Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në “Shtëpinë evropiane” në Kriva Pallankë

18 Shkurt 2021 | Fjalimet

Presidenti Pendarovski, sot mbajti fjalim në hapjen e “Shtëpisë evropiane” (Europe House) në Kriva Pallanka, projekt i realizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Shtëpia evropiane” është hapësirë ku të rinjtë mund të shoqërohen, të mësojnë, të informohen dhe t’i shkëmbejnë mendimet dhe qëndrimet e veta, të diskutojnë, të promovojnë inovacione dhe iniciativa sipërmarrëse, të organizojnë evenimente të ndryshme kulturore, ndërsa në funksion të promovimit të vlerave evropiane.

Në këtë eveniment mbajtën fjalim edhe ambasadori Dejvid Gir, shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së veriut dhe Borjanço Micevski, kryetari i Komunës së Kriva Pallankës.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

I nderuar ambasador i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
I nderuar kryetar i Komunë së Kriva Pallankës,
Të nderuar të ftuar,
Miq të dashur,

Jam i lumtur që sot kam mundësinë të marr pjesë në hapjen e një hapësire të re, të quajtur Shtëpia evropiane (Europe House) në Kriva Pallankë. Pas Shtëpisë evropiane në Shkup, kjo është hapësira e parë e tillë në brendësi të vendit, që do të jetë e rëndësishme për ne të dëgjojmë çfarë mendojnë të rinjtë dhe me cilat sfida ballafaqohen në një kontekst të tillë lokal dhe rajonal.

Në këtë Shtëpi, të rinjtë fitojnë vend ku mund të komunikojnë, të krijojnë ide të përbashkëta, të shkëmbejnë mendime, qëndrime, të informohen, të fitojnë njohuri dhe shkathtësi, të propozojnë zgjidhje dhe gjithsesi të njihen dhe t’i përvetësojnë vlerat evropiane.

Të rinjtë në vendin tonë ballafaqohen me sfida serioze për të cilat u nevojitet mbështetje e vazhdueshme nga shteti. Të rinjtë me të drejtë po e kërkojnë vendin e vet në shoqëri, kurse ne të gjithë, kompetentë në këtë moment, duhet t’u krijojmë hapësirë, kushte dhe mundësi që të realizojnë përfytyrimet e tyre, dhe këtë ta bëjmë me aksion konkret dhe jo vetëm me fjalë.

Problemet me prioritet, siç janë papunësia, e cila ecën bashkë me varfërinë rinore, pjesëmarrja e dobët në proceset e vendimmarrjes, që i çon të rinjtë në apati dhe pasivitet në lidhje me ngjarje të rëndësishme në shoqëri, do të mund jo vetëm të diskutohen në këtë vend por edhe të gjejnë zgjidhje për to, nëpërmjet projekteve, përvojave dhe fondeve të cilat janë në dispozicion nga Bashkimi Evropian. Detyra jonë themelore, si politikanë është të punojmë natë e ditë që dëshpërimi nga trendet vendase ekonomike dhe politike te të rinjtë të mos jenë motiv që të ikin nga shteti. Në këtë kuptim, duhet ta ndërtojmë besimin tek institucionet, si dhe mundësinë që të ndikohet mbi punën e tyre, para së gjithash, për shkak të të ardhmes më të mirë të të rinjve dhe për përforcim të pozitës së tyre në shoqëri. Është e pakontestueshme se optimizmi te të rinjtë lidhet ngushtë me perspektivën evropiane të shtetit. Prandaj bllokadat në atë rrugë dhe prolongimi i integrimeve vetëm do ta përforcojnë dëshpërimin dhe do ta intensifikojnë murtajën e kohës sonë – migrimin.

Të nderuar,

Pres që kjo Shtëpi evropiane ta zhvillojë potencialin e të rinjve nga ky qytet apo rrethinë, të stimulohet aktivizimi i tyre qytetar nëpërmjet të cilit fitojnë shkathtësi të cilat lidhen me politikat publike dhe pjesëmarrjen në implementimin e tyre.

Jam i bindur se të rinjtë në Kriva Pallankë do ta shikojnë këtë lokacion në qytetin e tyre si shans dhe do të përfshihen aktivisht në programet e parapara.

Do të dëshiroja më sinqerisht ta falënderoj Bashkimin Evropian që e inicio dhe e financoi hapjen dhe punën e shtëpive evropiane. Falënderim edhe për vetëqeverisjen lokale në Kriva Pallankë e cila e njohu rëndësinë e këtij projekti dhe është partner në realizimin e tij.

Shpresoj se në një të ardhme të afërt do të vijojë hapja e shtëpive evropiane edhe në qytete të tjera duke e ofruar kështu idenë evropiane te të rinjtë në të gjitha pjesët e vendit tonë.

Nuk do të doja të zgjatem dhe vetëm do të dëshiroja punë të suksesshme, shumë aktivitete, evenimente të ndryshme, shoqëri dhe të rinj të kënaqur dhe të realizuar.

Ju faleminderit.


 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...