Presidenti Pendarovski: Nevojitet që të shpallet përsëri gjendja e jashtëzakonshme

16 Prill 2020 | Kumtesat

Sot në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt seanca e 5-të e Këshillit të sigurimit, dedikuar gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur për shkak të mbrojtjes dhe ballafaqimit me epideminë e virusit korona. Në deklaratën e vet pas seancës së Këshillit, Presidenti Pendarovski theksoi se në përputhje me vlerësimet e kryera për periudhën që vijon, nevojitet që të shpallet përsëri gjendja e jashtëzakonshme. Vendimin, tha Presidenti, do ta marrë në përputhje me kompetencat e veta kushtetuese dhe do të zgjasë në 30 ditët në vijim.

Në vazhdim është deklarata e Presidentit Pendarovski pas përfundimit të seancës së 5-të të Këshillit të Sigurimit.

Të nderuar,

Sot e  mbajtëm seancën e pestë të Këshillit të Sigurimit, dedikuar gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të mbrojtjes dhe ballafaqimit me epideminë me virusin korona.

Të ftuar dhe të pranishëm në këtë seancë ishin kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, ministrat e punëve të brendshme dhe punëve të jashtme, Naqe Çulev dhe Nikolla Dimitrov dhe profesorët Veton Latifi dhe Nenad Markoviq. Anëtarët e tjerë, si edhe ministrat Venko Filipçe dhe Bujar Osmani të cilit ishin ftuar, për shkak të situatës së re të krijuar me kryetarin e Komunës së Kumanovës, nuk morën pjesë në seancë.

Pas referimit të ministrave kompetentë dhe diskutimit mbi pikën e vetme të rendit të ditës, u nxor përfundimi se të gjitha resurset që janë në dispozicion në shtet janë drejtuar kah ballafaqimit me pandeminë e shkaktuar nga Kovid-19. Kemi një zhvillim pozitiv në Dibër dhe Qendër Zhupë, ku ndërpritet, përkatësisht përfundon gjendja e krizës. Por, për fat të keq, situata në Kumanovë po komplikohet, prandaj aty janë dërguar resurse njerëzore dhe material mbrojtës shtesë.

Qëndrimi im është se për situatën në Kumanovë duhet të përkushtohemi veçanërisht dhe ndoshta shumë shpejt edhe aty do të nevojitet të zbatohet modeli i suksesshëm i Dibrës dhe Qendër Zhupës, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për komunë me mbi 100.000 banorë dhe pikërisht për këtë arsye përbën potencial enorm për përhapjen e virusit.

Ditët e fundit trendet janë negative edhe në Prilep, kurse kryeqyteti për shkak të numrit të madh të popullatës së vet mbetet objekt i analizës dhe monitorimit të vazhdueshëm dhe të përforcuar.

Në Këshill ramë dakord se shërbimet kompetente punojnë me përkushtim dhe japin përpjekje maksimale. Stafi shëndetësor, policia, armata mobilizohen natë e ditë në të gjitha rajonet kritike, kanë bashkëpunim të përkryer në terren, kurse po zbatohen me efektivitet edhe drejtimet dhe rekomandimet e Organizatës Botërore Shëndetësore. Për sakrificën e tyre dhe angazhimin natë e ditë, i falënderoj të gjithë ata në emër të qytetarëve.

Këshilli i Sigurimit diskutoi edhe mbi Vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të cilin e mora më 18 mars këtë vit. Në periudhën e kaluar në bazë ditore kam marrë informacione prej Shtabit Qendror të Krizës, kurse Qeveria gjatë ditës së djeshme më dorëzoi Raport mbi masat dhe aktivitet  në 30 ditët e kaluara dhe propozim për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në 30 ditët në vijim.

Në përputhje me vlerësimet e kryera për periudhën që vijon, është e qartë se është e nevojshme të shpallet përsëri gjendja e jashtëzakonshme. Vendimin do ta marr në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese dhe do të zgjasë në 30 ditët në vijim.

Këtu dua të jap publikisht koment për disa dilema të cilat u shfaqën në opinionin ekspert dhe të përgjithshëm këto ditët e fundit. Është e qartë se krijuesi i Kushtetutës nuk e ka paraparë një situatë të tillë: Kuvendi të mos punojë dhe të mos mund ta verifikojë vendimin tim të parë mbi gjendjen e jashtëzakonshme. Në një situatë kur deputetët marrin rrogë, kur asnjë prej tyre nuk ka kërkuar apanazh, i cili kërkohet pas përfundimit të mandati, që nënkupton se ata kanë ende mandat valid, kurse, Kuvendi, megjithatë, nuk punon, unë e marr përgjegjësinë për marrjen e një vendimit të tillë, vetëm sepse kemi situatë pa precedent kur është shumë më e rëndësishme të ruhet jeta dhe shëndeti i njerëzve, sesa të fshihemi pas interpretimeve juridike.

Prandaj, dua të qartësoj si vijon: gjendja e vazhdueshme e jashtëzakonshme përfundon sot për shkak të përfundimit të afatit prej 30 ditësh për të cilin ishte caktuar dhe nuk do të vazhdohet formalisht dhe juridikisht sepse nuk ka bazë kushtetuese për këtë gjë. Prandaj, unë, sot, në bazë të propozimit të ri të argumentuar nga Qeveria, kurse në situatë kur Kuvendi nuk punon, do të marr vendim të ri për përcaktimin e ekzistimit të gjendjes së jashtëzakonshme për periudhë prej 30 ditësh në të gjithë territorin e shtetit.  Por, ky vendim nuk e zvogëlon përgjegjësinë e të gjithë faktorëve relevantë politikë në shtet, që t’i shprehin qartë dhe publikisht qëndrimet e veta në lidhje me këtë çështje, sepse nga mesi i majit do t’i kemi të njëjtat dilema juridike para vetes.

Këtu më lejoni të shtoj disa fjalë për punët për të cilat nuk kam kompetencë të drejtpërdrejtë, megjithatë, dua t’i përcjell reagimet e shumë qytetarëve tanë që m’i kanë dërguar mua, në lidhje me masën për kufizimin e lëvizjes. Me mbi 80 orë ndalim të tërësishëm të lëvizjes në të gjithë territorin siç parashihet për festën, ne momentalisht futemi në grupin e shteteve me masa më rigide, në këtë kuptim,në Evropë.

Jo vetëm unë, besoj se dhe shumica e qytetarëve e kanë krejtësisht të qartë logjikën dhe arsyetimin për vendosjen e kësaj mase, por, thashë edhe herën e kaluar, të përsërit, masat më drastike duhet të zbatohen me përjashtim dhe për një periudhë të arsyetueshme kohore. Gjithçka më tepër se kjo do të jetë kundërproduktive dhe ndoshta do t’i zgjidhë problemet në shëndetësi, por do të shkaktojë probleme në disa fusha të tjera.

Të njëjtën gjë e mendoj edhe për mbylljen e tërësishme të subjekteve afariste dhe në këtë drejtim dua ta inkurajoj Qeverinë pas festës ta përcaktojë planin për kthim me faza të aktivitetit ekonomik në normalitet sepse është e qartë se jo vetëm ne, por edhe e gjithë bota do të duhet të mësojë që të jetojë me patjetër me virusin një periudhë të gjatë, kurse ndërkohë duhet të gjejmë me patjetër modalitetet që jeta me të gjitha restrikcionet e domosdoshme dhe me masat parandaluese të vazhdojë të funksionojë.

Të nderuar,

Më lejoni, besimtarëve të fesë ortodokse t’ua uroj festën e madhe të krishterë, Ringjalljen e Krishtit – Pashkën e Madhe, të cilën e festojmë tradicionalisht me shërbesat e rregullta në kisha dhe me takime me më të afërmit. Këtë vit, kisha do të duhet të përshtatet me rregullat të cilat vlejnë për të gjithë të tjerët. Për shkak të pandemisë, na janë marrë apo reduktuar për një periudhë të caktuar shumë të drejta të gjithëve, si për shembull, e drejta e lëvizjes së lirë apo e drejta e arsimimit të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, por në këtë periudhë ne të gjithë kemi një qëllim më të lartë – të ruajmë jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë, kuptohet, përfshirë edhe besimtarët.

Në shtetin tonë të përbashkët, asnjë bashkësi fetare nuk është mbi të tjerat, asnjë besimtar nuk është më i rëndësishëm se ndonjë ateist dhe anasjelltas. Ja për një javë fillon Agjërimi i Ramazanit i cili këtë vit për herë të parë do të jetë në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme me të gjitha rregullat dhe kufizimet të cilat na i vendos ajo për të gjithë ne.

Një gjë duhet ta kemi të qartë – vetëm të bashkuar dhe me respekt maksimal për njëri-tjetrin mund ta tejkalojmë këtë krizë.

Të përfundoj, në seancën e sotme konkluduam se Këshilli i Sigurisë do të vazhdojë të ndjekë gjendjen dhe do të mbajë takime kur të shfaqet nevoja.

Ju faleminderit.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....