Presidenti Pendarovski: Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotfuqishëm në BE, por instrument për përfshirje më të shpejtë të të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor

5 Dhjetor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në Konferencën “Procesi i Berlinit 2022 – Bashkëpunim i intensifikuar: Procesi i rinovuar i Berlinit dhe e ardhmja e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore”, që organizohet nga Fondacioni “Fridrih Ebert” në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federative të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të nderuar pjesëmarrës në konferencë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin e veçantë të mbaj fjalim në konferencën ndërkombëtare kushtuar Procesit të Berlinit që organizohet nga Fondacioni “Fridrih Ebert”, Zyra në Shkup dhe Ambasada e Republikës Federative të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kënaqësia është edhe më e madhe sepse kjo konferencë ndodh pas një takimi shumë të rëndësishëm dhe produktiv në Berlin me përfaqësues të gjashtë shteteve nga Ballkani Perëndimor, pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, kurse me organizim nga Qeveria gjermane dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Me këtë takim, pas një pasiviteti disavjeçar, u ringjall përsëri Procesi i Berlinit, i cili është iniciuar në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme e RF të Gjermanisë, zonja Angela Merkel.

Pasivizimi i Procesit të Berlinit përputhet me fillimin e krizës shëndetësore, të shkaktuar nga pandemi në fillim të vitit 2020. Që atëherë, dhe deri në fund të vitit 2022 ndodhën ndryshime tektonike në Evropë dhe në botë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi rajonin tonë. Sot mund të them pa ekzagjerim se pas pothuajse tri vitesh, në planin gjeopolitik po ballafaqohemi me një situatë tërësisht të ndryshme, por, edhe me rrethana të brendshme tërësisht të ndryshuara në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe te shtetet e rajonit tonë. Konteksti i ri obligon të përpilohet dhe të zbatohet një qasje inovuese si në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit, ashtu edhe në bashkëpunimin intrarajonal.

Tani më lejoni t’u referohem ndryshimeve të ndodhura dhe drejtimeve të ardhshme të cilat mendoj se duhet t’i ndjekim në suazat e Procesit të Berlinit. Siç dihet, iniciativa për këtë proces u shfaq në vitin 2013, kurse u realizua një vit më vonë, kur në mënyrë simbolike dëshirohej të shënohet njëqind vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila filloi pikërisht në Ballkan, me atentatin mbi princin austriak Franc Ferdinand në Sarajevë. Pas asaj ngjarjeje filloi Lufta e Parë, kurse më vonë edhe Lufta e Dytë Botërore, kurse Ballkani ishte dhe mbeti sinonim i ndarjeve, konflikteve dhe burim i problemeve, në përgjithësi.

Procesi i Berlinit ishte përfytyruar të jetë pajtim simbolik dhe ndryshim i perceptimit të tillë për Ballkanin, nëpërmjet hartimit të të ardhmes së tij drejt integrimit të tërësishëm evropian, në rrethin e shteteve dhe popujve që jetojnë në shoqëri stabile dhe me rend, me prosperitet ekonomik dhe social, me sisteme juridike funksionale dhe bashkëpunim intensiv të ndërsjellë. Në atë periudhë ekzistonte edhe ambicia, të paktën një pjesë e shteteve të rajonit, të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian deri në vitin 2025, qëllim i cili sot, m e siguri është i paarritshëm për cilindo nga gjashtë shtetet në rajonin tonë.

Kriza botërore shëndetësore e shkaktuar nga pandemia jo vetëm që e testoi përgatitjen e shteteve që të menaxhojnë me kriza të mëdha por edhe e testoi edhe solidaritetin evropian dhe në ato suaza, raportin e shteteve të Bashkimit Evropian ndaj shteteve nga rajoni. Procesi i ngadalshëm i shpërndarjes së vaksinave për shtetet e rajonit tonë në pranverën e vitit 2021, por problemi paraprak në marrëdhëniet me publikun në lidhje me shpërndarjen e materialit të domosdoshëm mjekësor, krijuan perceptimin te qytetarët se Bashkimi Evropian nuk është i pranishëm dhe i preokupuar me vetveten dhe në momente të vështira.

Ai vakum, edhe pse relativisht i shkurtër, është shfrytëzuar për aktivitete propaganduese të aktorëve kancerogjenë, jashtë Ballkanit, të cilët janë kundër integrimit të rajonit në lidhjet perëndimore ushtarake-politike dhe ekonomike. Edhe pse nga shpejtësia e premtuar lehtë për dërgim të vaksinave, nga ana e tyre, në fund nuk doli asgjë, madje edhe për sasitë të cilat i parapaguam, megjithatë, përshtypja negative për marrëdhënien e Brukselit ndaj rajonit mbeti e pranishme gjerësisht midis qytetarëve. Një pjesë e problemit është, thashë edhe komunikimi i keq me publikun, për të cilin kemi një pjesë të përgjegjësisë edhe ne, por, në fund të ditës, nuk mund ta mohojmë faktin se qytetarët pritën shumë më shumë dhe më shpejt nga aleatët tanë, sesa nga shtetet e njohura për praktikimin e modeleve jodemokratike të sjelljes.

Më 24 shkurt këtë vit, Federata Ruse pa asnjë arsye me pohime të shpikura për gjoja gjenocid filloi një agresion klasik mbi një shtet tjetër sovran duke i shkelur kështu parimet e rendit ndërkombëtar, juridik dhe politik të pas luftës. Ky agresion brutal në mënyrën më të dukshme, por, njëkohësisht, edhe më të keqe na dëshmoi se lufta në truallin e Evropës jo vetëm që mund të ndodhë por edhe se idetë për ndarjen e Evropës në sfera të ndikimit, aneksimit ilegal të territoreve, shpërnguljen me dhunë të njerëzve, vrasjen e civilëve dhe krimet e tjera ushtarake janë përsëri midis nesh, edhe pse jemi në dekadën e tretë të shekullit të 21-të. Nga ana tjetër, kjo luftë na rikujtoi edhe dimensionin kryesor, por krejtësisht të harruar, si dhe qëllimin e konceptit të quajtur Evropë e Bashkuar, kurse ato janë që nëpërmjet integrimit të sigurohet paqja në kontinent.

Të nderuar,

Rajoni ynë humbi objektivisht vite e vite në procesin e integrimit evropian. Në vitin 2019, fillimi i negociatave për ne dhe për Shqipërinë është shtyrë në momentin e fundit për shkak të idesë së paralajmëruar për një metodologji të re në negociatat aderuese. Kur është miratuar, në fillim të vitit 2020, filloi bllokada e dëmshme ndaj nesh nga Bullgaria, që në mënyrë indirekte u reflektua edhe mbi Shqipërinë. Kërkesa krejtësisht legjitime për marrëdhënie të mira fqinjësore është zëvendësuar në mënyrë unilaterale me insistimin në çështjet historike dhe të identitetit si gjoja parakusht për fillimin e negociatave. Edhe pse, me ndihmën e kryesisë franceze dhe të miqve tanë në BE, është gjetur kompromis që mundësoi tejkalimin e bllokadës, megjithatë, dëmet e bëra mbi besimin e ndërsjellë midis  popujve, por edhe ndaj atraksionit të modelit të Bashkimit Evropian ishin të madha. Dëshmia më e mirë për këtë është euroskepticizmi i zmadhuar që vërtetohet në të gjitha hulumtimet e mendimit publik.

Gjithashtu, edhe përvoja e deritanishme e Serbisë dhe Malit të Zi nuk ndihmën aspak në këtë kuptim. Domethënë të dyja shtetet negociojnë pothuajse një dekadë dhe ende nuk janë në gjysmën e negociatave. Bosnja dhe Hercegovina me vite lufton për statusin kandidat, kurse Kosova për liberalizimin e vizave. E gjithë kjo gjendje me siguri nuk e zmadhon entuziazmin tonë dhe kjo ndodh pikërisht në periudhën kur më në fund i hapëm negociatat.

Të nderuar,

Në kushte të tilla, riaktualizimi i Procesit të Berlinit me një program të ri pune është lajm i përkryer. Tri marrëveshjet e nënshkruar për kalimin e kufijve midis shteteve tona me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe profesionale të doktorëve të mjekësisë dhe stomatologjisë, si edhe të arkitektëve, janë një hap i madh përpara në krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Nuk shoh asnjë arsye që këto tri marrëveshje të mos ratifikohen shpejt në parlamentet nacionale që të mund të hyjnë në fuqi, kurse mandej të zbatohen siç janë përpiluar, në interes të qytetarëve të të gjithë rajonit.

Mbështetja e paralajmëruar për ballafaqimin me krizën energjetike për shtetet tona nga presidentja e Komisionit Evropian në vlerë prej një miliarda euro është, gjithashtu, shprehje e solidaritetit evropian dhe hap në kthimin e besimit te shumica e qytetarëve në vlerat e integrimit evropian.

Shumë herë i kam treguar përparësitë strategjike dhe strukturore të Procesit të Berlinit në raport me format e tjera të bashkëpunimit rajonal. Nga ky vend do të desha t’i përsërit shkurtimisht. Së pari, në Procesin e Berlinit marrin pjesë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor me çka arrihet inkluzion i vërtetë dhe anashkalohet mundësia që dikush të margjinalizohet apo izolohet nga ky proces. Së dyti, Procesi i Berlinit është iniciativë e përbashkët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor që është shumë e rëndësishme në lidhje me përgjegjësinë e funksionimit të tij sepse mbi aktivitetin e tij ka monitorim në aspektin e zbatimit të standardeve dhe rregullave evropiane. Dhe në fund, por më e rëndësishmja, Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, por instrument për përfshirje më të shpejtë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Mendoj se pjesëmarrja e juaj e sotshme me bashkësponsorim nga Zyra e “Fridrih Ebert” dhe nga Ambasada gjermane, si dhe vizita para pak kohe e Presidentit gjerman Shtajnmajer në Republikën e Maqedonisë së Veriut dëshmojnë qartë interesin dhe entuziazmin e ri të gjetur edhe nga Bashkimi Evropian, jo vetëm të Gjermanisë, edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut të vazhdojmë në atë udhë, sepse iniciativat rajonale të këtij lloji, për shkak të pikave të veta referente nga e kaluara dhe për shkak të planeve më të reja që janë prezantuar para më pak se dy muaj, vërtetojnë se kjo është mënyra më e shpejtë që t’i mbledhim të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nën të njëjtën kauzë – integrim sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.

Sot pres një diskutim të  frytshëm dhe rekomandime të dobishme dhe praktike nga ju për këtë proces, këtë angazhim të përbashkët në të cilin jemi të gjithë së bashku, ta bëjmë më të shpejtë, më efikas, në interes të të gjithëve ne, që jetojmë jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ju faleminderit. 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....