Presidenti Pendarovski: Të ndërtojmë një shoqëri në të cilën edhe më vulnerabilët midis nesh do t’i gëzojnë liritë dhe të drejtat njerëzore

28 Shkurt 2023 | Fjalimet

Presidenti Stavo Pendarovski sot mbajti fjalim në konferencën e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi të titulluar “A është Maqedonia e Veriut një vend i drejtë? Si e përparojnë bashkërish institucionet luftën kundër diskriminimit” që u mbajt në Shkup. Kjo konferencë është organizuar në suazat e projektit “Lufta kundër diskriminimit nëpërmjet mbështetjes së Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi” me ndihmë të Ambasadës britanike në Shkup, kurse zbatohet nga Qendra për menaxhim me ndryshimet.

Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit për ftesën që të mbaj fjalim në këtë konferencë kushtuar gjendjes me diskriminimin sistematik te ne. Këtë vit bëhen 75 vjet nga miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Së bashku me konventat dhe paktet e ngjashme, Deklarata Universale përcakton me vendosmëri se të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta. Njëkohësisht, sipas këtyre dokumenteve njëra nga kërcënimet më të mëdha të të drejtave dhe lirive të njeriut është pikërisht – diskriminimi.

Ligji aktual për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, i përcakton mekanizmat, masat dhe aktivitetet për mbrojtjen juridike dhe është i harmonizuar tërësisht me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe me standardet ndërkombëtare në këtë fushë. Megjithatë, obligimi ynë, si vend i cili ka aspirime që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare të demokracive euroatlantike është të mundësojë zbatim efikas dhe pa dallim të ligjit, siç i ka hije një shoqërie të hapur dhe demokratike.

Anketa e Qendrës për menaxhim me ndryshimet dhe Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi dëshmon se na nevojitet angazhim i theksuar nga të gjithë faktorët në shoqëri për përmirësimin e gjendjes. Sipas këtij hulumtimi, bazat më të shpeshta të diskriminimit janë përkatësia politike dhe etnike, sidomos në fushën e punësimit, shëndetësisë dhe shërbimeve administrative. Duhet të na shqetësojë sidomos e dhëna se mbi dy të tretat e të anketuarve nuk do të kishin ngritur ankesë në institucion shtetëror në rast diskriminimi, para së gjithash dhe më shpesh për shkak të mosbesimit te sistemi. Mbi 80% e të anketuarve konsiderojnë se institucionet nuk i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët. Kështu, më të varfrit, personat me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesit e bashkësisë rome janë midis bashkëqytetarëve tanë më të diskriminuar.

Shkaqet e diskriminimit janë të shumta, kurse i dimë dhe i jetojmë gjithë këto vite: nga stereotipat dhe frika nga të ndryshmit prej nesh, partizimi prej shumë dekadash i institucioneve, etnizimi i politikës dhe besimi i zvogëluar i qytetarëve në strukturat shtetërore, në nivel lokal dhe qendror. Për reduktimin drastik të diskriminimit sistematik, është e domosdoshme që ai të adresohet nga shumë kënde. Rol qendror në këtë proces ka Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, i cili për pothuajse tre vjet ka shqyrtuar qindra ankesa dhe ka marrë vendime dhe ka dhënë mendimet e veta. Së bashku me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Avokatin Publik, Komisioni e përbën bërthamën e luftës kundër diskriminimit sistematik, duke promovuar barazi dhe përparim të të drejtave të njeriut, kurse nëpërmjet kësaj edhe eliminim të të gjitha llojeve të diskriminimit. Në këtë drejtim është e nevojshme që të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe faktorët politikë, në vend të parë, ta mbështesin tërësisht Komisionin që të punojë pa pengesa dhe me kapacitet të plotë.

Parandalimi dhe mbrojtja nga diskriminimi nuk është obligim vetëm për Komisionin por edhe i çdo institucioni shtetëror i cili duhet të japë shembullin e vet në këtë drejtim. Institucionet, sidomos organet gjyqësore, duhet të kontribuojnë në këtë aspekt duke i zgjidhur të gjitha rastet e paraqitura që të përmbushet drejtësia. U bëj thirrje edhe organizatave qytetare dhe aktivistëve të jenë më të zëshëm dhe të vënë në dukje sa herë që ndonjë nga grupet vulnerabile të bashkëqytetarëve ballafaqohet me çfarëdo lloj diskriminimi. Natyrisht, kontributin e vet duhet ta japë edhe sektori i biznesit, i cili duhet të shtypë rastet e diskriminimit në punën e tyre sa herë që shfaqen.

Vitin e kaluar, Kabineti i Presidentit me Komisionin nënshkruan Memorandum bashkëpunimi, me qëllim që t’i koordinojmë aktivitetet tona për mbrojtje, dhe gëzimin e plotë dhe të barabartë të të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Në Kornizën e zhvillimit MKD 2030, një nga prioritetet është zhvillimi inkluziv i cili e ngushton hapësirën për diskriminim në cilëndo bazë qoftë dhe nënkupton respektim të të drejtave të njeriut në të gjithë sektorët. Kjo nënkupton vendosje sistematike të standardeve dhe normave ndërkombëtare, ndërtim të kohezionit më të mirë social, sigurim të ndihmës juridike pa pagesë për kategoritë vulnerabile dhe zhvillim të mekanizmave funksionalë për mundësim të barazisë gjinore në shtet.

Të nderuar,

Ne të gjithë lindim të lirë dhe të barabartë me dinjitet të lindur njerëzor. Të udhëhequr nga parimet e drejtësisë dhe barazisë të synojmë të ndërtojmë një shoqëri ku edhe më vulnerabilët midis nesh do t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Të jetojmë njëri me tjetrin pavarësisht nga dallimet tona, në një shoqëri të drejtë dhe në një shtet të drejtë i cili do të ofrojë mundësi të barabarta për një jetë të mbushur, të lumtur dhe me dinjitet për secilin prej nesh.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....