Presidenti Pendarovski: Viti ynë i parë i anëtarësimit në NATO dëshmoi se nuk jemi vetë në ballafaqimin me sfidat

27 Mars 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në evenimentin qendror me rastin e njëvjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s që u mbajt në kazermën “Ilinden” në Shkup.

“Tashmë prej një viti marrim pjesë në të gjitha komitetet dhe trupat e punës dhe marrim vendime strategjike. Si anëtare e barabartë kemi qasje të tërësishme në informacionet më relevante të cilat i ka Aleanca. Ai mekanizëm i shkëmbimit të informacioneve na ndihmon ta parandalojmë  rrezikun dhe të informuar më mirë të krijojmë politika dhe të marrim vendime mbi çështjet vitale të sigurisë dhe mbi çështjet e jashtme politike. Njëkohësisht, jemi pjesë e mekanizmave koordinues të NATO-s për ballafaqim edhe me kërcënimet hibride dhe fushatat për dezinformim të publikut”, thekoi në fjalim Presidenti Pendarovski.

Në lidhje me pandeminë, Presidenti Pendarovski tha se NATO-ja ishte dhe është e angazhuar që kriza shëndetësore të mos kalojnë në krizë sigurie. “Nëpërmjet mekanizmave solidarë të NATO-s që në fillim morëm pajisjet dhe materialet e domosdoshme mjekësore, por edhe shkëmbyem njohuri dhe përvoja”, shtoi Presidenti.

Në suazat e solemniteti është bërë edhe pasqyrë e aftësive të njësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe janë dhënë mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm me atashetë ushtarakë në vend.

Të pranishmit në këtë solemnitet mbajtën një minutë heshtje në respekt të përfaqësuesve të Armatës të cilët kanë ndërruar dhe humbur jetën si dhe të viktimave nga kovid-19.

Të nderuar përfaqësues të Armatës,

I nderuar kryeministër i Qeverisë,

E nderuara ministre e Mbrojtjes,

I nderuar komandat i forcave të armatosura të NATO-s në Napoli,

Të nderuar të pranishëm,

Saktësisht, para një viti u bëmë anëtare e plotfuqishme e Aleancës së Atlantikut Verior. Rruga deri në anëtarësim ishte e gjatë dhe e vështirë, pritëm 20 vjet, më shumë nga të gjithë kandidatët në historinë e organizatës. Por edhe përkrah të gjitha shtyrjeve, nuk hoqëm dorë, prandaj ky ishte dhe mbetet qëllimin ynë kryesor strategjik nga pavarësia deri më sot.

Me këtë i përmbyllëm përpjekjet e shumë përbërjeve parlamentare dhe qeverive dhe e materializuam mbështetjen të cilën na e jepte vazhdimisht shumica e madhe e qytetarëve maqedonas.

Edhe para anëtarësimit ne mbështeteshim në vlerat dhe parimet e aleancës. Zbatonim reforma në mbrojtje, kontrolloheshim në ushtrimet e përbashkëta ushtarake, merrnim pjesë në misionet e rrezikshme paqësore dhe në këtë mënyrë kontribuonim aktivisht në sigurinë tonë dhe në sigurinë e përbashkët.

Gjatë kësaj, ishim të vetëdijshëm për një të vërtetë. Anëtarësimi në NATO nuk është garanci se nuk do të ballafaqohemi me sfidat sepse ato janë të pashmangshme për çdo shtet në botë. Megjithatë, anëtarësimi është garanci se kur të ballafaqohemi, nuk do të jemi vetë dhe se përgatitja jonë për rezistencë dhe mbrojtje do të multiplikohet. Viti ynë i parë i anëtarësimit e vërtetoi pikërisht këtë.

Pandemia e cila filloi si krizë shëndetësore, shumë shpejt kaloi në krizë ekonomike, sociale dhe ekologjike. Ne dhe bota, pësuam dëme të jashtëzakonshme njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Është ende herët të shihen pasojat afatgjata të kësaj fatkeqësie. Por, është e dukshme – e gjithë bota po jeton në epokën e paparashikueshmërisë. Po ndryshon jo vetëm numri dhe intensiteti por edhe karakteri i rreziqeve të sigurisë dhe kërcënimeve hibride, të cilat janë shumë komplekse për menaxhim dhe për shtetet më të fuqishme.

Dhe pikërisht këtu janë përparësitë e anëtarësimit në NATO. Domethënë shumë nga problemet me të cilat po ballafaqoheshim si shtet para pandemisë dhe para anëtarësimit nuk u zhdukën, por, u bënë më të lehta për t’u mbartur.

Sot mbi ne, si simbol i lidhjes sonë, fluturojnë avionët ushtarakë të NATO-s, të cilët janë pjesë e patrullimit ajror dhe mbrojtje e qiellit tonë i cili është pjesë e territorit të përbashkët euroatlantik, objekt i mbrojtjes kolektive.

Tashmë prej një viti marrim pjesë në të gjitha komitetet dhe trupat e punës dhe marrim vendime strategjike. Si anëtare e plotfuqishme kemi qasje të tërësishme në informacionet më relevante të cilat i ka Aleanca. Ai mekanizëm i shkëmbimit të informacioneve na ndihmon ta parandalojmë  rrezikun dhe të informuar më mirë të krijojmë politika dhe të marrim vendime mbi çështjet vitale të sigurisë dhe mbi çështjet e jashtme politike. Njëkohësisht, jemi pjesë e mekanizmave koordinues të NATO-s për ballafaqim edhe me kërcënimet hibride dhe fushatat për dezinformim të publikut.

Në raport me pandeminë, NATO-ja ishte  dhe është ende e angazhuar që kriza shëndetësore të mos kalojë në krizë sigurie. Nëpërmjet mekanizmave solidarë të NATO-s që në fillim morëm pajisjet dhe materialet e domosdoshme mjekësore, por edhe shkëmbyem njohuri dhe përvoja.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë periudhë të pasigurisë globale dhe të tensioneve gjeopolitike, NATO-ja është faktor i rëndësishëm stabilizues për Maqedoninë e Veriut. Por, kjo mbështetje dhe ky solidaritet është i dyanshëm. Në territorin tonë, në kushte të gjendjes së krizës dhe gjendjes së jashtëzakonshme e angazhuam Armatën si mbështetje për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Vazhdojmë me pjesëmarrje në misionet paqësore. Momentalisht, përfaqësuesit e Armatës janë pjesë e misionit “Mbështetje vendimtare” në Afganistan. Në nëntor të vitit 2020, për herë të parë u bëmë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë duke filluar kështu të kontribuojmë drejtpërdrejt edhe mbi stabilitetin e rajonit.

Me qëllim që ta përforcojmë rezistencën e shtetit ndaj kërcënimeve të reja dhe të vjetra, vazhdojmë të investojmë në modernizimin dhe zhvillimin e Armatës. Në këtë pjesë, midis presidentit dhe qeverisë ekziston konsensus për kornizën precize kohore kur duhet ta arrijmë qëllimin për veçimin të 2% të PBV-së për mbrojtjen dhe ne kemi qëllim që ta respektojmë fjalën e dhënë.

Po, njëkohësisht, që të jemi të përgatitur për botën postkovid, është e rëndësishme t’i kultivojmë vlerat themelore të Aleancës perëndimore – lirinë, demokracinë dhe sundimin e të drejtës, si parakushte themelore për zhvillimin ekonomik dhe social.

Të nderuar të pranishëm,

Edhe pse këtë përvjetor e festojmë në kushte të jashtëzakonshme, me dëme kolektive dhe shumë tragjedi personale, nuk duhet ta humbasim rëndësinë e vërtetë të kësaj dite.

Viti ynë i parë i anëtarësimit ishte, njëkohësisht, edhe një nga vitet më të vështira në historinë më të re botërore. Por, sfidat tani nuk i shikojmë në sy të vetmuar, me ne janë 29 shtete, 29 demokraci, 29 armata të fuqishme, 29 miq tanë, dhe në kohë të mira dhe në kohë të këqija.

Miq të dashur,

Dëshiroj që përvjetorët dhe jubiletë e ardhshëm të anëtarësimit maqedonas në NATO t’i festojmë në një ambient më të qetë dhe më të sigurt.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...