Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadores të porsaemëruar të Mbretërisë së Holandës, Uzlem Xhanel.
Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, e cila u mbajt në Vilën Biljana në Ohër, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu kënaqësi të veçantë për marrëdhëniet shumë të zhvilluara bilaterale midis të dy shteteve, të cilat karakterizohen nga dialogu intensiv politik dhe marrëdhëniet e partneritetit, për çka flet dëshmohet edhe kremtimi i vitit të kaluar i përvjetorit të rëndësishëm – 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit të suksesshëm.
Presidentja e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme nga Holanda mike, e cila që nga pavarësia ka qenë një nga donatorët më të mëdhenj dhe një mbështetëse e fortë e procesit evropian të shtetit tonë.
“Holanda na ndihmon vazhdimisht në reformat e gjyqësorit, sundimit të së drejtës dhe për administratën publike, për të siguruar institucione të forta dhe të pavarura, të cilat janë shtylla e çdo demokracie evropiane. Parimi holandez “i rreptë dhe i drejtë” u dëshmua si një formulë e shkëlqyer për zbatimin esencial të agjendës së reformave dhe arritjen e standardeve evropiane në vendin tonë”, tha Presidentja Siljanovska Davkova.
Duke theksuar se shteti ynë i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të forta të partneritetit që kultivohen në kuadër të NATO-s, veçanërisht në kohën kur përballohemi me sfida serioze globale të sigurisë dhe ristrukturim gjeopolitik, Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se shteti ynë mbetet i përkushtuar në realizimin e prioriteteve strategjike, duke shprehur besimin se perspektiva evropiane dhe euroatlantike është garanci e prosperitetit, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë rajonit dhe të Evropës.
Në fjalën e saj në këtë ceremoni, ambasadorja Xhanel theksoi se është e nderuar që emërohet si ambasadore në shtetin tonë dhe se i është dhënë mundësia të kontribuojë në marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të veçanta që ekzistojnë midis dy shteteve dhe popujve.
Ambasadorja Xhanel tha se gjatë viteve vendi i saj ka ofruar mjete të konsiderueshme financiare për të mbështetur kohezionin social dhe marrëdhëniet ndëretnike, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, arsimin, shëndetësinë dhe menaxhimin e financave publike. Ajo theksoi se aktualisht në vendin tonë punojnë rreth 180 kompani holandeze që ofrojnë punë për mbi 5000 qytetarë dhe gjithashtu rrisin shikueshmërinë e shtetit tonë në tregun ndërkombëtar.
Ambasadorja holandeze theksoi se stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë të jetë e një rëndësie kyçe për Holandën, kurse në lidhje me arritjen e qëllimit strategjik të shtetit tonë – anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ajo theksoi se Holanda do të vazhdojë të presë respektim të rreptë të kritereve të Kopenhagës përpara pranimit dhe se nuk ka vend për lëshime apo procedura të shkurtuara.
“Përparimi në fushën e sundimit të ligjit, kritereve ekonomike dhe reformës së administratës publike do të vazhdojë të përcaktojë shpejtësinë e negociatave të anëtarësimit individualisht për çdo vend kandidat. Detyra që është para jush kërkon përgjegjësi, përkushtim dhe rezultate të dukshme nga ju. Vetëm atëherë mbështetja për këto përpjekje reformuese e ofruar nga Bashkimi Evropian dhe Holanda do të jetë në gjendje të ketë rezultate të qëndrueshme”, tha ambasadorja Xhanel.
Presidentja Siljanovska Davkova i uroi suksese ambasadores Uzlem Xhanel në zbatimin e funksionit të përgjegjshëm.