Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në hapjen solemne të Forumit të 12 global në Baku, që organizohet nga Qendra ndërkombëtare “Nizami Ganxhavi” dhe do të mbahet nga sot deri më 15 mars në Baku, Republikën e Ayerbajxhanit.
Ajo vlerësoi se Forumi Global në Baku, gjatë viteve të fundit, është shndërruar në një nga platformat ndërkombëtare më të rëndësishme që adreson çështjet më të rëndësishme rajonale dhe globale.
“Multilateralizmi po i lëshon vendin multipolarizmit. Rivaliteti në rritje gjeopolitik po e dobëson sistemin e sigurisë kolektive. Kombet e Bashkuara janë margjinalizuar pikërisht atëherë kur na nevojiten më së shumti. Konsensusi pas Luftës së Dytë Botërore po vihet në pikëpyetje. Si të jetojmë në fillim të një epoke të re në të cilën po minohet sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregulla?” – tha Presidentja Siljanovska Davkova në hapjen e Forumit.
Në kontekstin e tensioneve aktuale gjeopolitike, Presidentja theksoi se dita-ditës kemi gjithnjë e më shumë pyetje, ndërsa gjithnjë e më pak përgjigje, kurse bota po bëhet një vend shumë më ndryshe.
Ajo shprehu bindjen se Forumi Global në Baku mund të ofrojë perspektiva të reja për mënyrën se si të vazhdojmë të punojmë drejt arritjes dhe ruajtjes së paqes, si interesi i përbashkët më i lartë.
Fjalimin kryesor në hapjen solemne të ngjarjes e mbajti Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Alijev, ndërsa ndër folësit ishin edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryesuesja e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.
I nderuar President Alijev,
Të nderuar shkëlqesi
Zonja dhe zotërinj,
I falënderoj nikoqirët tanë të mrekullueshëm të Qendrës ndërkombëtare “Nizami Ganxhavi” për ftesën e tyre që të marr pjesë në Forumin e 12-të global në Baku, në Azerbajxhan.
Edhe përkrah largësisë gjeografike, dy vendet tona mike ndajnë lidhje të thella. Të dyja janë kryqëzime qytetërimesh me një histori të gjatë të bashkëjetesës multietnike dhe multireligjioze. Të dyja e rivendosën pavarësinë në vitin 1991 dhe janë përkushtuar ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit në suazat e OKB-së. Por ekziston edhe një lidhje tjetër. Azerbajxhani është vendi i zjarrit. Ndërsa unë vij nga vendi i diellit. Kurse dielli, siç ka thënë një nga poetët tanë maqedonas, “është zjarri më i vjetër që na ngroh.” Këtë ngrohtësi e përjetova gjatë ditëve të kaluara, gjatë vizitës sime zyrtare në Republikën mike të Azerbajxhanit. Ju faleminderit, President Alijev, për mikpritjen Tuaj të ngrohtë.
Mikpritja azerbajxhanase po merr edhe një dimension ndërkombëtar, këtu në Forumin Global në Baku, i cili gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga platformat ndërkombëtare më të rëndësishme. Duke shfrytëzuar përvojën dhe mençurinë e brezave të shumtë të liderëve, Forumi Global në Baku i adreson çështjet më të rëndësishme rajonale dhe globale.
Të nderuar shkëlqesi
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë vit 2025, për të cilin disa presin të jetë një vit kthesë. Ditë pas dite, kemi gjithnjë e më shumë pyetje, kurse gjithnjë e më pak përgjigje. Bota po bëhet një vend shumë më ndryshe. “Multilateralizmi po ia lëshon vendin multipolarizmit. Rivaliteti gjeopolitik në rritje po e dobëson sistemin e sigurisë kolektive. Kombet e Bashkuara janë margjinalizuar pikërisht atëherë kur na nevojiten më së shumti. Konsensusi pas Luftës së Dytë Botërore po vihet në pikëpyetje. Sikur po jetojmë në fillim të një epoke të re në të cilën po minohet sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregulla.
Para pak kohe, Presidenti gjerman Shtajmer, në Konferencën e Sigurisë në Munih, deklaroi se „mungesa e rregullave nuk duhet të bëhet parimi udhëheqës në rendin e ri botëror“, sepse kjo do të nënkuptonte braktisjen e arritjes sonë më të rëndësishme civilizuese të vendosur 80 vjet më parë me Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Çështja nuk është se a do të kemi rregulla apo jo, por se cilat do të jenë ato rregulla dhe mbi në çfarë themelesh do të mbështeten? A do të mbështeten në parimin pacta sunt servanda apo parimin e fuqisë? A kemi përveç përplasjeve të interesave edhe përplasje të vlerave dhe realiteteve? A mund t’i zgjidhim krizën dhe sfidat më të mëdha të kohës sonë pa rregulla të përbashkëta? Çfarë bote do t’u lëmë të rinjve dhe brezave të ardhshëm?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet që do të shqyrtojmë në Forumin Global të këtij viti në Baku. Është nder për mua që do të mund të ndaj mendimet e mia në panelin e tretë kushtuar Paktit të së Ardhmes së Kombeve të Bashkuara.
Të dashur miq,
Para 80 vjetësh, Çmimi Nobel për Paqen i është dhënë ish-sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara, Kordell Hull, për rolin e tij në themelimin e Kombeve të Bashkuara. Në fjalimin e tij, ai na rikujtoi se çështja kyçe për njerëzit dhe kombet është „nëse ata kanë vuajtur mjaftueshëm dhe kanë mësuar mjaftueshëm, për të hedhur poshtë dyshimet, paragjykimet dhe interesat afatshkurtra dhe të ngushta dhe që të bashkohen në promovimin e interesit të tyre më të madh të përbashkët. Ky interes i madh dhe i shkëlqyer është paqja e qëndrueshme, në suazat e së cilës forcat e sapozbuluara të shkencës dhe teknologjisë të njeriut mund të përdoren që të rritet mirëqenia e njerëzimit në lartësi të paimagjinueshme.“
Besoj se Forumi Global në Baku mund të ofrojë perspektiva të reja për mënyrën se si të vazhdojmë të punojmë drejt arritjes dhe ruajtjes së atij interesi të përbashkët më të lartë.
Ju faleminderit.