Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në Sofje pati një takim tet-a-tet me Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, pas së cilës u mbajt takim i delegacionit maqedonas dhe atij bullgar, ku, përveç Presidentes Siljanovska Davkova, morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov.
Në takimin me presidentin bullgar u bisedua mbi nevojën e zhvillimit të thelluar të marrëdhënieve maqedonase-bullgare, tejkalimin e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, mbi rrjedhën e procesit të aderimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shfrytëzimin e përvojave bullgare në atë rrugë, si dhe mundësitë për të inkurajuar dhe promovuar bashkëpunimin bilateral në shumë fusha.
Presidentja theksoi se nevojitet dialog dhe bisedë e vazhdueshme midis dy vendeve fqinje anëtare të NATO-s dhe shembuj pozitivë nga të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme të mira fqinjësore.
Në këtë kontekst, ajo e theksoi rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe publike, si dhe nevojën e promovimit të bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, ekonomisë dhe tregtisë dhe fokusimin në sfidat e së tashmes, në vend të fokusimit në të kaluarën.
Në bisedën me Presidentin Radev, Presidentja theksoi se autoritetet maqedonase janë duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për ndërtimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore rajonale që janë me rëndësi strategjike për vendin, rajonin dhe Bashkimin Evropian.
Në këtë takim, Presidentja Siljanovska Davkova e theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut bilateral politik në të gjitha nivelet, shkëmbimin e vizitave dhe ndërtimin e marrëdhënieve me respekt dhe mbështetje reciproke, ndërsa u theksua përvoja pozitive në bashkëpunimin e planit të shkëmbimit kulturor, e cila kontribuon në rritjen e besimit dhe të miqësisë midis dy shoqërive.
Në këtë takim u shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimin e marrëdhënieve maqedonase-bullgare nëpërmjet prizmit të sfidave me të cilat përballohemi në nivel rajonal dhe global, të cilat kërkojnë një qasje të përbashkët dhe të harmonizuar.
Në interes të nxitjes së bashkëpunimit shumësektorial, bashkëbiseduesit vunë në dukje mundësinë e përfshirjes përveç aktorëve institucionalë dhe joinstitucionalë, edhe të sektorit qytetar dhe të biznesit, si dhe të institucioneve shkencore-arsimore dhe mediave.
Në këtë takim, Presidentja Siljanovska Davkova i dërgoi ftesë Presidentit Radev që ta vizitojë vendin tonë, të cilën Presidenti bullgar e pranoi.
Në takim, Presidentja Siljanovska Davkova shprehu ngushëllimet e saj për incidentin e sotshëm tragjik në Bullgari, në të cilin,nga rrëzimi i një aeroplani ushtarak, humbën jetën dy pilotë të aviacionit bullgar.