Deklarata e Presidentit Pendarovski në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten sllovene dhe Presidentin kroat

11 Shtator 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, sot pas përfundimit të takimit të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni në Shkup, mbajti konferencë të përbashkët për shtyp me presidentët e Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviq.

Në vijim është teksti i deklaratës së Presidentit Pendarovski.

E nderuar Presidente e Sllovenisë,

I nderuar President i Kroacisë

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Kjo është një ditë e rëndësishme për ne, sepse sot kemi nderin të jemi mikpritës të presidentëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, i cili është mekanizmi i vetëm për bashkëpunim në rajon në nivel të shefave të shteteve.

Së pari dëshiroj t’i falënderoj bashkorganizatorët tradicionalë, presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë – kolegët dhe miqtë e mi Natashën dhe Zoranin, që si liderë të Procesit Bërdo-Brioni i përfaqësojnë interesat e rajonit tonë, sidomos në suazat e Bashkimit Evropian.

Gjithsesi, falënderoj edhe presidentët e Serbisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe kryesuesin dhe dy anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë takim i cili kaloi në një atmosferë konstruktive dhe ku e konfirmuam rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, që është i domosdoshëm të bazohet mbi dialogun e sinqertë dhe të hapur.

Tema e parë e takimit të sotshëm ishte prioriteti numër një për vendet e Ballkanit Perëndimor, kurse ato janë aspirimet evropiane. Dëshira për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa përjashtim, e pranishme te të gjitha shtetet që janë pjesë e këtij forumi, është faktor i rëndësishëm i cili na motivon dhe na bashkon. Në këtë kontekst, të gjithë e kemi të qartë se duhet t’i arrijmë standardet evropiane të sundimit të mirë dhe ekonomisë funksionale të tregut.

Stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë të ndërvarur midis tyre. Prandaj është më se e nevojshme, të flasim haptazi për çështjet më të vështira, të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe t’i mbyllim çështjet e hapura. Gjithashtu, me përpjekje të përbashkëta duhet të veprojmë që Ballkani Perëndimor të kthehet tërësisht në agjendën evropiane dhe të mbetet aty.

Të nderuar,

Nuk ka dyshim se e ardhmja jo vetëm e rajonit tonë por edhe e botës do të përcaktohet nga sfida më e madhe globale, kurse këto janë ndryshimet klimatike. Zjarret e sivjetshme në pyjet dhe përmbytjet në rajon dhe në Evropë janë indikatorë se çfarë e ardhme na pret. Kushtet kohore ekstreme do të jenë më intensive dhe do të jenë më të shpeshta valët e nxehta, thatësirat dhe zjarret, stuhitë dhe përmbytjet.

Si rrjedhim politikat lidhur me ndryshimet klimatike, potenciali i të cilave i tejkalon kapacitetet e çdo shteti më vete, u imponua si një temë e rëndësishme diskutimi në këtë takim. Në këtë kuptim, të gjithë jemi dakord se duhet t’i përforcojmë përpjekjet tona në këtë garë globale me motin, me miratim të zgjidhjeve të cilat do të ndihmojnë në lehtësimin e pasojave negative të ndryshimeve klimatike, kurse do të përfshijnë solidaritet shoqëror, politik dhe rajonal.

Me kolegët e mi biseduam edhe mbi, pa dilema, sfidën më të madhe në rajon – shpërnguljen e të rinjve. Përfundim i përbashkët i të gjithë të pranishmëve ishte se nëse nuk ia pengojmë rrugën këtij trendi dhe ai nuk ngadalësohet me politika konkrete ne na pret një e ardhme shumë më e keqe sesa ajo të cilën momentalisht mund ta parandalojmë. Mesazhi ynë i përbashkët është t’i dyfishojmë edhe përpjekjet bilaterale edhe ato rajonale që të krijojmë perspektiva që të rinjtë të mbeten në rajon dhe të realizohen në vendet e veta.

Të nderuar,

Në fund, më lejoni ta shpreh kënaqësinë që në takimin e sotshëm arritën ta harmonizojmë tekstin dhe ta miratojmë Deklaratën e Shkupit, ku përmbahen konstatimet dhe angazhimet e përbashkëta të të nëntë presidentëve mbi temat që ishin lëndë e diskutimit të sotshëm.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit