Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në promovimin e librit “Pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuar”

18 Maj 2023 | Fjalimet, Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në promovimin e librit “Pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuara” të autorit Teodor Bogoevski.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

I nderuar Teodor,
Të nderuar të ftuar,
Miq të dashur,

Sot kam nderin e veçantë të jem pjesë e promovimit të librit “Pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuara” nga mr. Teodor Bogoevski. Sipas meje, bëhet fjalë për një botim të vyer i cili meriton vëmendjen e publikut dhe në të cilin është përpunuar një temë, e cila, për fat të keq, te ne nuk trajtohet me atë intensitet dhe vëllim që i meriton.

Vitin e kaluar Teodori ishte tek unë, biseduam gjerë e gjatë mbi pozitën e personave me aftësi të kufizuara te ne, në kontekstin e angazhimeve për realizimin e të drejtave të tyre të barazisë, jetës me dinjitet dhe përfshirjes në jetën ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Gjithashtu, folën edhe për të gjithë angazhimin e tij të deritanishëm në drejtim të inkluzionit të personave me aftësi të kufizuar, më konkretisht, studentët me aftësi të kufizuar. Atëherë, midis të tjerash, Teodori më tregoi edhe për botimin e këtij libri, i cili është, në fakt, punimi i tij i magjistraturës.

Jam me të vërtetë i lumtur që sot marr pjesë në promovimin e tij, me shpresë se përveç promovimit të librit, do ta aktualizojmë edhe realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, si edhe rëndësinë e rolit dhe kontributit të tyre në jetën politike dhe në përgjithësi jetën e përgjithshme shoqërore. Përndryshe, ky është edhe një nga qëllimet e mr. Bogoevskit me botimin e këtij libri.

Në të ai i referohet historisë, por edhe gjendjeve aktuale të personave me aftësi të kufizuara, që në fund të përqendrohet në sistemin tonë politike dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara në organet vendimmarrëse. Kjo, pa dilemë, duhet të jetë një nga prioritetet e çdo shoqërie demokratike.

Domethënë, krijimi i ambientit në të cilin personat me aftësi të kufizuar do t’i kenë të gjitha të drejtat, supozon edhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, dhe, gjithsesi, në proceset e vendimmarrjes. Duke pasur parasysh se recenzentët e këtij punimi në mënyrë të detajuar dhe analitike janë shprehur për librin dhe vlerat e tij, nuk do të flisja më shumë rreth vetë librit dhe strukturës dhe përmbajtjes së tij.

Do të dëshiroja të theksoj se përveç qasjes shkencore, sistematike dhe të menduar thellësisht nga autori, peshë të veçantë veprës i jep edhe fakti se si person me aftësi të kufizuara, Teodor Bogoevski në të në mënyrë subtile e end edhe rrëfimin e vet, dëshmitë personale, emocionet dhe dilemat. Sipas meje, pikërisht ky autenticitet është vlerë e shtuar e librit “Pjesëmarrja politike e personave me aftësi të kufizuar”. Me këtë rast dëshiroj ta uroj sinqerisht Teodorin për librin, dhe për angazhimin e tij të përgjithshëm për përmirësim të pozitës së personave me aftësi të kufizuar.

Sidomos duhet të na gëzojë fakti se mr. Teodor Bogoevske është këshilltar për personat me aftësi të kufizuara i kryeministrit të qeverisë maqedonase, që padyshim është një shembull pozitiv. Shpresoj se më shumë persona me aftësi të kufizuara do të përfshihen në procesin e krijimit të politikave në vendin tonë, jo vetëm për çështjet që i prekin ata, por në përgjithësi për gjithçka që njihet si problem në shoqërinë maqedonase. E dimë të gjithë se në jetën e përditshme ballafaqohemi me shumë çështje dhe sfida të hapura dhe është e nevojshme bashkërisht, me të gjitha resurset në dispozicion t’i qasemi zgjidhjes së tyre.

Të dashur miq,

Në fund, më lejoni të theksoj se përmirësimi i pozitës së personave me aftësi të kufizuara nuk do të realizohet vetëm me përmirësim të legjislacionit, ose me ngritjen e standardeve dhe zbatimin e tyre, as vetëm me përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në proceset e vendimmarrjes. Për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë inkluzive, demokratike dhe  humane është e domosdoshme që secili prej nesh të ketë empati, solidaritet dhe respekt ndaj këtyre bashkëqytetarëve tanë.

Edhe njëherë urime Teodorit për botimin e librit dhe shumë suksese dhe fat edhe mandej në planin privat dhe profesional.

Ju faleminderit.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit