Deklarata e Presidentit Pendarovski pas takimit me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski

7 Maj 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, sot e priti liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Në vijim është deklarata e integruar e Presidentit Pendarovski pas takimit:

Takimi i sotshëm me Mickovskin ishte në drejtim të rivendosjes së dialogut, për të cilin me vite jemi vazhdimisht të kritikuar nga Bashkimi Evropian. Për një demokraci nuk është tipike të ekzistojë ndërprerje e komunikimeve midis institucioneve, ne jemi të paguar nga qytetarët të komunikojmë për të mirën e tyre, kurse jo të mbajmë inat ose teka personale. Sipas meje, nga ai aspekt, mendoj se në muajt e kaluar është humbur kohë, por, kur humbisni kohë është më mirë të humbni 10 muaj sesa 3 vjet.

Takimi ishte me kërkesë të Mickovskit dhe në bisedë telefonike ai kërkoi të bisedojmë mbi problemet dhe sfidat aktuale me të cilat po ballafaqohemi si shtet vitin e fundit – gjatë pandemisë, mbi efektet ekonomike të pandemisë, mbi bllokadën e eurintegrimeve etj. Mendoj se, ose supozoj se ju tregoi për disa projekte kyçe të cilat janë paraparë, nga Qeveria aktuale, të realizohen në periudhën e ardhshme, për të cilat ata kanë qëndrim krejtësisht të ndryshëm, megjithatë nuk do të përsëritja, supozoj se i dini qëndrimet e tyre, domethënë autostrada, centrali me gaz dhe terminali në Greqinë fqinje, Qendrën klinike etj.

Unë e informova për atë që ndodh në lidhje me eurointegrimet e bllokuara. Para pak kohe isha në Bruksel dhe në këtë pjesë shkurtimisht i thashë se nga Sofja nuk vjen praktikisht asnjë risi, për shkak të situatës te ta pas zgjedhjeve. Ata caktuan zgjedhje të reja në korrik dhe shkurtimisht i tregova se çfarë mendojnë, flasin, reflektojnë, planifikojnë miqtë tanë evropianë në Bruksel për të gjithë këtë situatë, në lidhje me eurointegrimet.

Në lidhje me ngjarjet e 27 prillit unë e përsërita qëndrimin tim për faljen e personave të cilët kanë kryer vepër penale pa precedent në Evropën bashkëkohore, se nuk vjen parasysh sepse faji i tyre në këtë proces është përcaktuar pa kontestim.

Në lidhje me kualifikimin juridik të veprës, është fakt se ata persona nuk janë gjykuar për veprën penale terrorizëm, por sipas një neni tjetër, për rrezikim terrorist të rendit kushtetues. Veprimet me të cilën mund të kryhet kjo vepër penale janë të ngjashme, dënimi është identik, minimum 10 vjet. Përndryshe, për 27 prillin, mbani mend, ekziston edhe aktvendim për një grup njerëzish të cilët ishin pjesë e turmës e cila hyri në Kuvend dhe e sulmuan Zijadin Selën. Nëse ndiqet kualifikimi juridik, domethënë gjithë kohën, kini kujdes, flas për kualifikimin juridik jo për interpretimet politike të aktvendimeve, nëse ndiqet kualifikimi juridik i atij aktvendimi, ata janë dënuar me të drejtë dhe morën dënime të larta, por nuk janë dënuar për veprën penale terrorizëm, por për vrasje në tentativë.
Ose për shembull, rasti me sulmuesin e deputetes, të atëhershme, Radmilla Sheqerinska, ato janë skena të cilat na tronditën ne dhe botën, i cili ishte, gjithashtu, pjesë e njerëzve që hynë në Parlament dhe i cili nuk është dënuar për terrorizëm, por për veprën penale dhunë.

Domethënë shkurtimisht, të merremi vesh, të gjithë këta që u përmendën bënë vepra të tmerrshme penale, lanë pasoja dhe trauma të vështira edhe te të sulmuarit dhe te familjet e tyre, morën dënime të merituara, sipas asaj që e dimë nga procedurat e mëparshme të cilat përfunduan dhe këtu nuk ka kompromis. Megjithatë, retorika politike, tani flas për këtë pjesë, në të cilën edhe atëherë edhe sot ato aktvendime janë vendosur, shpjeguar, integruar, sipas meje, e thelluan ndarjen midis qytetarëve.

Sipas njërit grup, sipas njërit arsyetim, ata janë terroristë të rangut të Al Kaedës dhe ISIS, kurse sipas grupit tjetër ata janë mbrojtës të Kushtetutës, edhe pse janë dënuar për rrezikim të rendit kushtetues, domethënë, nuk e kanë mbrojtur, por, përkundrazi e kanë shkelur Kushtetutën.

Teza ime është se nëse vazhdojmë me një retorikë të tillë politike të kundërvënë, retorikë politike tërësisht kontradiktore, ne jo vetëm që nuk do të arrimë në pajtim nacional ose qytetar, por nuk do të kemi mundësi të vendosim komunikim politik bazë midis nesh, siç është për fat të keq, situata tani. Shikoni një numër enorm të mediave, kamerave, sot lajmi nacional numër një është ai se u takuan lideri i partisë më të madhe të opozitës dhe Presidenti i shtetit. Kjo në demokraci, në demokraci të pjekura është punë rutinë që mediat nuk e ndjekin asnjëherë.

Edhe njëherë, sepse kishte edhe konstruksione të tilla – me këtë tezën time nuk bëj revizion të aktvendimit gjyqësor, sepse nuk kam arsye për një gjë të tillë, kjo punë ka përfunduar, njerëzit janë në burg, nuk them as se aktvendimi është marrë pa dëshmi. Vetëm flas për përpjekjet për interpretim politik të aktvendimeve që nuk kontribuon për vendosje të debatit normal politik ku nuk do të shihemi si armiq për vdekje.

Qëndrimi im se nëse ka dëshmi të reja të cilat më parë nuk kanë qenë të njohura mund të rihapet procesi, kjo nuk nënkupton se unë mbështes rihapjen e procesit. Unë vetëm e lexoj dispozitën e ligjit dhe mundësinë ligjore, sipas së cilës ata njerëz, nëpërmjet avokatëve të vet, sipas mjetit juridik të jashtëzakonshëm, mund të kërkojnë nga Gjykata e Lartë t’i vlerësojë dëshmitë e reja, kuptohet nëse ekzistojnë dëshmi. Dhe vendimin se a do të rihapet procesi, me siguri nuk do ta marrë ndonjë faktor politik, por gjykata.

Edhe pak fare shkurtimisht – e kuptoj nevojën, të cilën e kemi ndjekur disa ditët e kaluara, e dramatizimit dhe patetikës tipike për një pjesë të vogël të mediave dhe paralajmërimeve se me demek takimi i sotshëm do të kalojë në përpjekje që të rishqyrtohet procesi gjyqësor për 27 prillin, ose se nga ky takim kryhet presion i jashtëzakonshëm mbi gjyqësorin.

Të nderuar,

Supozoj se do të dakordohemi se është tërësisht e pazakonshme që presion mbi gjykatën të kryhet në takim publik në Kabinetin e Presidentit të shtetit. Zakonisht, ato presione bëhen në mënyrë tjetër dhe me mjete të tjera, për të cilat të gjithë kishim rastin t’i dëgjojmë në materialet e përgjuara.

Në fund, relavitizimi i pretenduar i ngjarjeve të 27 prillit të cilin disa ma atribuojnë mua, me siguri nuk mund ta prisni prej meje sepse edhe unë vetë si deputet në vitin 2017, atë ditë isha midis të sulmuarve dhe të lënduarve.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....