Në lidhje me pyetjet për deklaratën e Pendarovskit për anëtarësimin potencial në Zonën ekonomike evropiane, informojmë si vijon:
Në tetor të vitit 2019 kur hapja e negociatave me BE-në për vendin tonë është shtyrë për shkak të miratimit të metodologjisë së re, në Bruksel, qarkullonte jozyrtarisht ideja për anëtarësim alternativ për shtetet e Ballkanit Perëndimor në Zonën ekonomike evropiane, kuptohet, pasi të përmbushen kushtet e nevojshme për këtë gjë.
Qëndrimi i Presidentit Pendarovski edhe atëherë edhe tani ishte se asnjë alternativë e anëtarësimit nuk duhet të pranohet sepse anëtarësimi i plotë në BE nënkupton të jeni pjesë e tregut të përbashkët evropian.
Megjithatë, me qëllim që të formohet qëndrim i përbashkët shtetëror në lidhje me idetë e dala në Bruksel, Presidenti Pendarovski, më 20 tetor 2019 mbajti takim me liderët e partive politike në pushtet dhe në opozitë të cilat kanë deputetë në Kuvend.
Në këtë takim është arritur konsensus absolut dhe nga të gjithë liderët, duke përfshirë edhe nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është mbështetur qëndrimi se Republikës së Maqedonisë së Veriut i nevojitet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, dhe jo pjesëmarrja në forma alternative të bashkëpunimit me BE-në, sepse vendit përveç integrimit evropian i nevojitet edhe integrim politik dhe miratim i standardeve dhe vlerave demokratike – sundimi i të drejtës, gjyqësor dhe mediume të pavarura, të drejtat dhe liritë e njeriut.
Në këtë drejtim, të gjithë të pranishmit nxorën përfundimin se nuk duhet të mendohet aspak për alternativa, por vendi duhet të vazhdojë me temp të përforcuar drejt realizimit të qëllimit strategjik – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian.