Konferenca për shtyp e presidentëve Pendarovski dhe Osmani-Sadriu

26 Prill 2023 | Kumtesat

Në suazat e vizitës zyrtare të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në Republikën e Maqedonisë së Veriut, presidentët Pendarovski dhe Osmani-Sadriu mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp.

Në vijim është teksti i deklaratës së Presidentit Pendarovski.

E nderuara Presidentja Osmani-Sadriu,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot e mirëprita Presidenten e Republikës së Kosovës e cila është në vizitë zyrtare te ne. Këtë vizitë e realizuam një vit e gjysmë pas vizitës sime në Kosovë. Përndryshe, ky është takimi ynë i katërt në disa vitet e fundit dhe më gëzon me të vërtetë fakti që vendosëm një dinamikë të tillë të kontakteve në nivelin më të lartë politik gjatë mandateve tona që janë ende në vazhdim.
Kam kënaqësinë të theksoj se me Presidenten Osmani-Sadriu sot kishim një bisedë kuptimplotë, ku shkëmbyem mendime dhe informacione mbi temat aktuale të marrëdhënieve bilaterale, mbi gjendjet në të dy vendet, mbi bashkëpunimin tonë ekonomik aktual dhe të ardhshëm, si dhe mbi çështjet rajonale dhe integrimet evropiane, të cilat, për fat të keq, po zhvillohen në trysninë e efekteve negative të invazionit rus mbi Ukrainën.

Gjatë bisedave, e theksuam trendin pozitiv në marrëdhëniet bilaterale dhe i përshëndetëm bashkërish kontaktet në nivel qeveritar, midis ministrive të ndryshme në të dy shtetet. Bashkëpunimi i ndërsjellë në segmente të ndryshme është në dobi të qytetarëve tanë dhe duhet të vazhdojë medoemos me intensitet më të madh në periudhën e ardhshme.

Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, Republika e Kosovës është në listën e 20 vendeve me të cilat kemi shkëmbimin më të madh tregtar. Gjatë vitit të kaluar 2022, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar ka qenë 482 milionë euro. Shpresoj se trendi i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me numra të zmadhuar dhe me projekte të përbashkëta në suazat në të cilat bashkëpunojmë.

Në kontekst të sfidave aktuale rajonale, me Presidenten Osmani-Sadriu u dakorduam se shtetet tona kanë një vend të rëndësishëm me rolin e vet aktiv në përpjekjet e përbashkëta për arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm, fqinjësinë e mirë dhe në prosperitetin ekonomik në këtë pjesë të Evropës. Në këtë kontekst, konstatuam se e ardhmja e përbashkët e dy shteteve tona në strukturat euroatlantike është investim në stabilitetin dhe prosperitetin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast, do të dëshiroja ta riafirmoj qëndrimin tonë se i mbështesim aspiratat euroatlantike të Republikë së Kosovës dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë përvojat e veta në lidhje me proceset reformuese, si në rrugën drejt Bashkimit Evropian ashtu edhe në lidhje me anëtarësimin në NATO. E mbështesim vendimin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe e mbështesim aktivisht pjesëmarrjen e Kosovës në formatet e ndryshme rajonale dhe kontinentale të bashkëpunimit.

Temë e pashmangshme, kuptohet, ishin edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, ku e riafirmova qëndrimin tonë për këtë çështje, kurse ai është se e përshëndesim marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i të cilit do të kontribuojë mbi paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin, jo vetëm të fqinjëve tanë, por edhe të rajonit në tërësi.

Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj veçanërisht për pajtueshmërinë, edhe Beogradin edhe Prishtinën, për mbajtjen në shtetin tonë të një sesioni të rëndësishëm të dialogut të tyre, që vetëm e konfirmoi politikën parimore të cilën e udhëheqim dhe e cila në vitet e kaluar nëpërmjet disa kompromiseve të cilat i bëmë e përforcuan kohezionin e brendshëm në shoqërinë shumetnike maqedonase, kontribuoi në stabilitetin rajonal dhe e ktheu vendin në institucionet vitale të aleancës perëndimore pas viteve të gjata të izolimit të vetimponuar.

Mandej, dëshiroj të them se jemi të gatshëm edhe në cilësinë e kryesuesve aktualë me OSBE-në ta ndihmojmë këtë proces, sidomos në fazën e zbatimit të pjesëve të caktuara nga marrëveshja e arritur, kuptohet, me pajtueshmërinë e të dyja palëve të involvuara.

Në takimin me Presidenten kosovare biseduam edhe mbi mundësitë për përparimin e të drejtave të maqedonasve në Kosovë, në një kohë kur, për fat të keq, disa propaganda të huaja janë aktivizuar përsëri. Në këtë drejtim, qëllimi ynë i përbashkët është afrimi i qytetarëve nga të dyja anët e kufirit dhe lehtësimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërkufitar.

E nderuar Presidentja Osmani-Sadriu,

Në fund, më lejoni edhe njëherë, Juve, dhe anëtarëve të delegacionit tuaj t’ju uroj vizitë të suksesshme dhe qëndrim të këndshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit