Presidenti Stevo Pendarovski sot në Krushevë mbajti fjalim në evenimentin me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Mjedisi Rural.
Evenimenti organizohet nga Federata Nacionale e Fermerëve me mbështetje nga Organizata suedeze zhvillimore “We Effect” dhe Shoqata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar – GIZ, me qëllim të ngritjes së vetëdijes mbi rëndësinë dhe rolin e grave nga mjediset rurale dhe përparimit të pozitës së tyre ekonomike dhe sociale në shoqëri.
Në vijim është fjalimi i Presidentit Pendarovski.
Të nderuara bashkëqytetare nga mjediset rurale,
Të nderuar anëtarë të Federatës Nacionale të Fermerëve,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të vetëqeverisjes lokale,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar të ftuar,
Ju faleminderit për nderin të jem pjesë e aktivitetit kushtuar festimit të 15 Tetorit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Mjedisi Rural. Sot, pikërisht duke festuar këtë datë të rëndësishme dhe nëpërmjet kësaj ngjarjeje, kontribuojmë në rritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e kontributit të gruas rurale për bashkësitë lokale, por edhe për shoqërinë në tërësi. Për fat të keq, duhet të pranojmë se në realitet jemi ende larg arritjes së barazisë së plotë për gratë rurale në çdo nivel të shtetit.
Padyshim që na pret një punë e madhe që të mundësojmë pavarësi ekonomike dhe integrim social të gruas rurale. Gjatë kësaj, kusht i domosdoshëm është mbështetje e lidershimit të grave dhe të organizatave që merren me këtë problematikë.
Zëri i gruas rurale, nevojat e saj dhe problemet me të cilat ballafaqohet duhet të dëgjohet, por edhe të zgjidhen. Mbështetja e kësaj kategorie grash nuk duhet të jetë deklarative dhe e qëllimshme, siç është zakonisht, dhe jo vetëm në ditën ndërkombëtare, por thelbësore dhe e përditshme. Prandaj nevojitet angazhimi i të gjitha palëve të prekura dhe një partneritet funksional ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë qytetare për përfshirjen e grave rurale në procesin e vendimmarrjes në të gjitha nivelet, në mënyrë që ato vetë të bëhen krijuese të politikave dhe iniciativave për përmirësim të pozitës së tyre. Thjesht, me fjalë të tjera, ato duhet të vendosin për veten dhe rolin e tyre në shoqëri.
Gjithsesi, është e rëndësishme të kapërcehen stereotipat dhe vlerësimi tradicional për vendin dhe rolin e gruas në bashkësi dhe në shoqëri, i cili është më i theksuar pikërisht në zonat rurale. Në këtë kontekst janë veçanërisht të rëndësishme temat e ofrimit të lejes së lindjes së paguar dhe sigurimit shëndetësor për gratë fermerë.
Të nderuar,
Gratë rurale janë shtylla e ekonomisë rurale, duke kontribuuar si fermerë, punonjëse sezonale dhe si sipërmarrëse. Me angazhimin e vet ato, para së gjithash, kontribuojnë në familje, përkatësisht sigurojnë ushqim dhe artikuj ushqimorë për amvisërinë, por, edhe për prodhimtarinë që e plasojnë në tregje. Përveç kësaj pune, është edhe kujdesi i tyre i përditshëm për familjen dhe barra më e madhe e rritjes dhe edukimit të fëmijëve. Me pak fjalë, gratë rurale janë shembull përkushtimi, solidariteti dhe kujdesi për të tjerët.
Prandaj ato meritojnë të marrin mbështetje dhe ndihmë pa rezervë nga secili prej nesh, në kuadër të kompetencave tona. Sigurisht një nga mënyrat për të përmirësuar situatën është rrjetëzimi dhe përdorimi i përvojave nga vendet e tjera. Prandaj, e përshëndes krijimin e platformës rajonale për veprim të përbashkët për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të grave rurale. I përshëndes dhe shpreh mirënjohjen time për praninë e aktivitetit të sotëm organizatat që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të cilat marrin pjesë, të cilat janë pjesë e kësaj platforme rajonale.
Do të desha fjalimin tim ta përfundoj duke i uruar sukses platformës rajonale dhe në përgjithësi të gjitha organizatave dhe aktivistëve në përpjekjet për mbështetje të grave rurale dhe për përmirësimin e pozitës së tyre socioekonomike në shoqëri.
Ju faleminderit.