Presidenti Pendarovski u takua me Presidenten e Republikës Helene, Katerina Sakelaropulu

5 Tetor 2021 | Kumtesat

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot në Athinë realizoi takim tet-a-tet me Presidenten e Republikës Helene, Katerina Sakelaropulu, pas së cilës u mbajt edhe mbledhje plenare midis delegacioneve të të dy shteteve.

Në këto takime u konstatua trendi pozitiv i marrëdhënieve bilaterale të përgjithshme midis dy shteteve, por edhe se ekziston potencial për përforcim të mëtejshëm të bashkëpunimit në çdo fushë. U shpreh kënaqësia se të dy shtetet e lanë të kaluarën pas veti dhe janë fokusuar drejt të ardhmes. Në këto takime, Presidenti Pendarovski shprehu falënderim për mbështetjen e Republikës Helene e cila mbetet një nga mbështetësit më të zëshëm të integrimit tonë në Bashkimin Evropian dhe shprehu pritjet se mbështetja do të intensifikohet në periudhën në vijim.

Presidentja Sakelaropulu në takimin tet-a-tet i dëshiroi mirëseardhjen Presidentit Pendarovski dhe tha se kjo vizitë e parë zyrtare e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në shtetin e tyre është e rëndësishme dhe do të kontribuojë mbi zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Dua të nënvizoj se ne investojmë në përforcimin e marrëdhënieve tona bilaterale dhe për perspektivën tuaj evropiane, tha Presidentja Sakelaropulu.

“Do të dakordoheni me mua se zbatimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Prespës me vullnet të mirë është i rëndësishëm për marrëdhëniet tona. Tashmë kanë kaluar dy vjet e gjysmë nga zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, dhe duhet të pranojmë se janë bërë shumë hapa pozitivë drejt zbatimit, por megjithatë ekzistojnë mjaft çështje të pazgjidhura. Mbyllja e këtyre çështjeve të hapura do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

Ne nga ana jonë i shqyrtojmë të gjitha anët e Marrëveshjes së Prespës dhe përpiqemi t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura për përmirësim të marrëdhënieve tona”, theksoi në takim Presidentja e Republikës Helene, Katerina Sakelaropulu.

Presidenti Pendarovski theksoi se kjo vizitë ka dimension historik dhe është e rëndësishme, si takimi i parë në nivelin më të lartë politik midis dy shteteve fqinje pas tridhjetë vjetësh.
“Ne edhe më parë kishim një bashkëpunim të përkryer, por nga viti 2018 e këndej e vendosëm atë kornizën politike dhe juridike të quajtur Marrëveshja e Prespës, e cila na mundësoi të bashkëpunojmë edhe më mirë. Dua t’ju them një parim juridik të cilin ju e njihni mirë dhe të cilin ne kemi qëllim ta mbajmë në lidhje me Marrëveshjen e Prespës. Ai është “pacta sunt servanda” ose marrëveshjet duhet të ruhen dhe të respektohen”, tha Presidenti Pendarovski.

Presidenti Pendarovski shtoi se është dakord me kualifikimin se janë bërë shumë punë në dy e gjysmë vitet e fundit në zbatimin e marrëveshjes.

“Unë do të thosha se pjesa më e madhe, më e vështirë është zbatuar, kuptohet se ka ende disa gjëra që duhet të përfundojnë, dhe ne kemi vullnet dhe qëllim të qartë politik që ta zbatojmë atë marrëveshje deri në shkronjën e fundit”, theksoi Presidenti Pendarovski në takimin me Presidenten e Republikës Helene.

Presidenti tha se Komisioni për çështjet historike, arkeologjike dhe arsimore dhe Komisioni për brendet tregtare kanë marrëveshje për takimin e ardhshëm. “Ata kishin një ngecje në punë, por pres që tani ajo kohë të kompensohet dhe të fillojmë me ritëm të përshpejtuar t’i zgjidhim çështjet e mbetura të cilat janë në agjendë”, shtoi Presidenti Pendarovski në këtë takim.

“Prespa na mundësoi të hyjmë në Aleancën e NATO-s dhe qëllimi ynë i ardhshëm për të cilin presim ndihmën dhe mbështetjen tuaj është fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian dhe ta rrumbullakosim ëndrrën tonë evropiane dhe euroatlantike. Të mos harrojmë cili është titulli i tërësishëm i Marrëveshjes së Prespës. Ajo nuk është vetëm për zgjidhjen e problemit me emrin, por edhe për vendosjen e partneritetit strategjik midis dy shteteve tona”, theksoi Presidenti Pendarovski në takimin tet-a-tet me Presidenten Sakelaropulu.

Në mbledhjen plenare të dy delegacioneve u vërtetua mbështetja e Republikës Helene për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe u riafirmua përgatitja për zbatim të tërësishëm të Marrëveshjes së Prespës.

Presidenti Pendarovski theksoi se zbatimi i përpiktë i Marrëveshjes së Prespës do të jetë dëshmi se Republika Helene i respekton obligimet ndërkombëtare të ndërmarra.

Në këtë takim, Presidenti shprehu mirënjohjen për solidaritetin dhe vaksinat e dhuruara, si dhe për ndihmën në ballafaqimin me zjarret e para pak kohe në Gjevgjeli.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...