Presidenti Stevo Pendarovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në Samitin e 10 jubilar të organizatës “Maqedonia 2025”, i cili për shkak të pandemisë së kovid-19, po mbahet në formë hibride.
Duke theksuar se po ballafaqohemi me recesionin global të shkaktuar nga pandemia, Presidenti Pendarovski në fjalimin e vet, theksoi se paradigma e dallimit të mundësive, ndërtimit të kulturës së konkurrencës dhe arsimit cilësor, sot na nevojitet më shumë se kurrë më parë.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentit Pendarovski.
Të nderuar të pranishëm,
Kam nderit të mbaj fjalim në Samitin e 10 jubilar të organizatës “Maqedonia 2025”, organizatë e cila është themeluar dhe udhëhiqet nga emigrantë të shquar maqedonas të cilët duan ta ndihmojnë atdheun e vet që të bëhet një ekonomi e fuqishme dhe konkurrente. Përveç faktit që, nga vetë fillimi, “Maqedonia 2025” u shfaq në kontekst specifik – krizë globale financiare që e ngadalësoi tempin e zhvillimit ekonomik te shumë ekonomi, kjo nuk i lëkundi nga qëllimi që të jenë gjenerator i ideve ambicioze për prosperitetin e shtetit dhe për mirëqenien e qytetarëve të tij.
Ekipi i “Maqedonia 2025” nuk hoqi dorë nga ky projekt, por vazhdoi të kërkojë mënyra si të ndërtojë në shoqërinë maqedonase kulturën e konkurrencës dhe arsimin cilësor në kushte të sistemit politik demokratik dhe të sundimit të të drejtës.
Të nderuar,
Kjo paradigmë e dallimit të mundësive dhe në krizat më të mëdha, sot na nevojitet më shumë se kurrë më parë.
Republika e Maqedonisë së Veriut gjendet në periudhën kryesore të zhvillimit të vet. Anëtarësimi në NATO, vitin e kaluar, e vendosi vendin në një kontekst të ri gjeopolitik, kurse integrimi në Bashkimin Evropian i drejton praktikisht reformat në të gjithë resorët.
Recesioni global aktual i shkaktuar nga pandemia, sipas intensitetit dhe vëllimit të vet, i tejkalon efektet e krizës financiare dhe kreditore të vitit 2008. Ky, ta quaj, përqendrim krizash, si edhe në shumë vende të tjera në botë, i nxori në pah dobësitë tona strukturore dhe të sistemit. Do ta përmend vetëm krizën energjetike aktuale që ushton presion shtesë mbi ekonominë, mbi kompanitë dhe mbi qytetarët, sepse jemi të varur shumë prej importit të energjisë.
Të ballafaquar me të gjithë këtë, ne kemi vetëm një opsion. Në vend që të presim që të përfundojnë ngjarjet turbulente, duhet të punojmë me energji të dyfishtë në ripërpilimin e postulateve të rritjes dhe zhvillimit tonë ekonomik. Në këtë aspekt nuk jemi të vetmit. Shumë strategji dhe plane nacionale do të duhet të rishqyrtohen dhe përshtaten me realitetin e ri, për rimëkëmbje më të lehtë dhe më të qëndrueshme në periudhën postkovid.
Për një të ardhme më të mirë, me rëndësi të madhe është të ekzistojë një vizion i përbashkët për zhvillimin e shtetit. Për këtë qëllim, që në fillim të mandatit tim e iniciova projektin “MKD 2030” si kornizën tonë autentike, strategjike për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut deri në fund të kësaj dekade. Duke përfshirë përfaqësues nga të gjitha segmentet në shoqëri, nëpërmjet “MKD 2030” duam t’i projektojmë prioritetet afatgjata zhvilluese në shoqërinë tonë. Në të njëjtën kohë e mbështes edhe Strategjinë zhvillimore nacionale 2021-2041, e cila si fazë e ardhshme duhet të ndërlidhet me “MKD 2030”. Në këtë periudhë të shkurtër, të cilën e kemi para nesh, duhet t’i drejtojmë përpjekjet tona të përbashkëta drejt qëllimit kryesor, kurse ai është: të krijojmë të ardhme për qytetarët, sidomos për të rinjtë, këtu, në vendin tonë.
“MKD 2030” fokusohet në shumë tema të ndërvarura, nga digjitalizimi, decentralizimi dhe demokracia, nëpërmjet politikave ekologjike, ekonomike, agrare dhe politike, deri te arsimi dhe shkenca dhe lufta kundër shpërnguljes së të rinjve nga vendi.
Që ky zhvillim të realizohet realisht, ai duhet të fokusohet te digjitalizimi. Në raportin e vet më të ri strategjik, Komisioni Evropian i identifikon hiperlidhjen digjitale dhe transformimin teknologjik si një prej katër trendëve kryesore globale që do të ndikojnë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2050. Në të ardhmen e afërme, gjysma e profesioneve do të automatizohen, kurse shumë profesione thjeshtë do të jenë të panevojshme.
Forumi ekonomik botëror vlerëson se për shkak të digjitalizimit të përshpejtuar të ekonomisë globale tashmë në dekadën e ardhshme madje 70% e vlerës së krijuar nëpërmjet prodhimtarisë dhe shërbimeve do të bazohet në modelet digjitale të biznesit. Në këto procese përparësi do të kenë shoqëritë digjitale me infrastrukturë të zhvilluar digjitale dhe kulturë të strategjive inovative, inkluzive dhe të qëndrueshme të biznesit.
Ku jemi ne në këtë pamje? Sipas të dhënave më të reja të Eurostatit të vitit 2020, mesatarja, e pamë pak më parë, e digjitalizimit dhe shkathtësive digjitale në Maqedoninë e Veriut është vetëm 32%, kurse mesatarja në Bashkimin Evropian është 56%. Edhe pse një numër enorm i qytetarëve tanë kanë qasje në internet, shumica e tyre e shfrytëzojnë kryesisht për informim dhe komunikim nëpërmjet mediave sociale. Është e domosdoshme t’i drejtojmë përpjekjet tona kah zhvillimit të shkrim-leximit dhe shkathtësive digjitale te qytetarët sepse ata tashmë janë kriter i pazëvendësueshëm për përfshirje të barabartë në tregun globale të punës.
Ne nuk fillojmë nga zeroja. Në vend ekziston një sektor solid TI i cili shënon çdo vit zhvillim gjithnjë dhe më të madh me krijim të vendeve të reja të punës duke e zmadhuar pjesëmarrjen në ekonominë maqedonase.
Përveç zvogëlimit të papunësisë dhe zhvillimit të ekonomisë, digjitalizimi mundëson transparencë të domosdoshme që ta minimizojmë ndoshta sëmundjen më të madhe për çdo shtet, kurse ajo është korrupsioni. Këtu e përfshi edhe të ashtuquajturin korrupsion të përditshëm të imët apo beninj i cili realisht i mbingarkon shërbimet publike, por akoma më shumë korrupsionin e lartë, malinj që lidhet me krimin e organizuar.
Në vijim të kësaj teze mjafton ta vështrojmë Indeksin e katërt global për korrupsion për vitin 2021 që dëshmon se ekonomitë më të zhvilluara digjitale kanë nivelin më të ulët të korrupsionit, flas për Evropën. Përveç kësaj, digjitalizimi do ta ngrejë nivelin e shërbimeve për qytetarët, do të kontribuojë të kemi të dhëna më të sakta dhe në kohë mbi gjendjet në shtet, do ta lehtësojë udhëheqjen e biznesit, do të krijojë klimë më të përshtatshme për inovacionet, hapjen e inkubatorëve dhe start-up, dhe arsimimin e një brezi të ri nomadësh digjitalë.
Të nderuar të pranishëm,
Sado që të duket e papërshtatshme që të flitet mbi digjitalizimin në kohë kur shteti po ballafaqohet me krizë serioze energjetike dhe lëkundje të çmimeve, megjithatë, nuk duhet të lejojmë sfidat momentale të na pengojnë që ta planifikojmë këtë hap të domosdoshëm në zhvillim.
Nuk ekzistojnë kushte të mira për fillim të ndryshimeve pozitive. Kushtet e mira do të jenë rezultat i ndryshimeve pozitive. Suksesi i brezit tonë do të vlerësohet në bazë të faktit se a do të arrijmë të sigurojmë një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë, këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kurse këtë do ta arrijmë vetëm nëse ndërtojmë shoqëri të përparuar të bazuar mbi njohuritë dhe ekonominë e qëndrueshme të bazuar në teknologji.
Besoj se me platformën e vet për të ardhme me prosperitet “Maqedonia 2025” do të jetë pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për transformim të të gjithë shoqërisë në shoqëri me prosperitet dhe për këtë brez edhe për brezat e ardhshëm.
Ju falënderoj dhe ju dëshiroj samit të suksesshëm.