Sot në Kabinetin e Presidentit u mbajt seanca e 13-të e Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pikat e rendit të ditës mbi të cilat u diskutua ishin personat nga Afganistani të pranuar në territorin tonë dhe vendosja e sistemit mbi menaxhimin me kriza.
Të pranishmit konstatuan se Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s, dëshmoi përgatitje dhe i ofroi kapacitetet e veta për pranimin e personave nga Afganistani.
Ministrat dhe përfaqësuesit kompetentë të institucioneve informuan mbi aktivitetet e deritanishme për strehimin e personave të pranuar nga Afganistani, për të cilët janë bëtë kontrollet e domosdoshme të sigurisë dhe për të cilët janë përgatitur protokolle të sigurisë për qëndrimin e tyre në shtet.
Në lidhje me pikën e dytë të rendit të ditës, Këshilli i Sigurimit i propozoi Qeverisë, në afatin sa më të shkurtër të mundshëm të formojë grup pune, i cili do të shqyrtojë gjendjen e sistemeve për menaxhim me krizat. Duke pasur parasysh gjendjet e fundit me zjarret, grupi i punës duhet të propozojë masa konkrete me qëllim që sistemi për menaxhim me krizat të jetë më funksional dhe më efikas.
Përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me ftesë të Presidentit Pendarovski në këtë seancë morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Viktor Dimovski, drejtori i Agjencisë së Kundërzbulimit, Erold Musliu, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Krizat, Stojançe Angellov, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti dhe koordinatori nacional për zbatim të Platformës nacionale për zvogëlim të rreziqeve nga fatkeqësitë dhe katastrofat, Zoran Petrov.