Presidenti Pendarovski: U bëj apel të gjithë faktorëve politikë të përfshihen në mënyrë konstruktive në procesin e integrimit evropian

14 Tetor 2022 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në evenimentin “Në rrugën evropiane: reforma të reja, mundësi të reja”, në organizim të Sekretariatit për Çështje Evropiane, kushtuar Raportit të Komisionit Evropian mbi përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.

Në vijim është teksti integral i fjalimit të Presidentit Pendarovski.

Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,

Para dy ditësh e morëm raportin më të ri të Komisionit Evropian mbi përparimin e Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane. Si edhe të gjitha raportet e deritanishme, që i kemi shumë, në të përmbahen vlerësimet reale mbi statusin e procesit reformues vendas. Por, për dallim nga më parë, sipas meje, ekzistojnë tri momente të reja lidhur me këtë raport.

Së pari, hapja e negociatave e zmadhon peshën, relativitetin e vetë raportit. Konferenca ndërqeveritare në korrik të këtij viti, për ne, objektivisht përbënte një kthesë historike, sepse e shënoi fazën e re thelbësore të integrimeve. Kështu, për herë të parë, Raporti përveç detyrës sonë shtëpiake, u bë edhe obligim që Bashkimi Evropian të përfshihet më aktivisht në proces. Skriningu do të shënojë saktësisht të gjitha lëshimet tona sistematike dhe do t’i përcaktojë shembujt për transformimin e mëtejshëm të shoqërisë.

Së dyti, raportin e marrim në kushte të një konteksti të komplikuar gjeopolitik, pa precedent. Evropa dhe bota po ballafaqohen me një krizë të thellë ekonomike dhe energjetike që janë shkaktuar në fillim nga pandemia, por, janë thelluar në mënyrë drastike me agresionin rus mbi Ukrainën. Raporti tregon saktësisht se në pjesën e politikës evropiane të jashtme dhe të sigurisë kemi harmonizim 100 për qind me Bashkimin siç nuk kanë të gjitha vendet anëtare.

Së treti, raporti na vjen në kohën e zmadhimit të europesimizmit midis qytetarëve maqedonas për shkak të eurointegrimeve të ngadalësuara. Është e qartë se ngecja aktuale ishte jo vetëm për shkak të mungesës së reformave, por, para së gjithash, për shkak të lodhjes nga zgjerimi dhe bllokadat e hapura dhe kërkesat joparimore të një shteti anëtar në këtë proces.

Edhe pse përgjegjësia për tempin e integrimeve është e përbashkët, pasojat nuk janë, sepse ato i ndiejnë vetëm qytetarët maqedonas. Për herë të parë nga viti 1991, mbështetjen për eurointegrimet nuk mund ta marrim si të mirëqenë, sepse qytetarë janë në fund me durimin.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë 17 viteve të gjata të kandidaturës, jemi dëshmitarë të shumë reformave të filluara, por të papërfunduara dhe të shumë ligjeve të miratuara evropiane, por të zbatuara në mënyrë selektive. Disa herë me radhë qytetarët maqedonas dhe përfaqësuesit e tyre të përzgjedhur politikë kanë pranuar kompromise të vështira pa precedent në historinë moderne, gjithçka në emër të të ardhmes evropiane. Entuziazmi është ngritur disa herë te njerëzit kur dukej se jemi para vetë portës së Evropës së Bashkuar. Dhe pothuajse gjithmonë ato pritje janë tradhtuar për shkak të kërkesave dhe bllokadave të cilat realisht nuk lidhen me vlerat evropiane. Në planin e brendshëm, integrimet e ngecura evropiane kanë shkaktuar kriza të shpeshta politike, polarizim në shoqëri, partizim të institucioneve, ngecje ekonomik dhe më të vështirën dhe më të dhimbshmen, shpërngulje masive të të rinjve.

Duke folur objektivisht, vetëm, vazhdimësia e negociatave mund ta ndryshojë gjendjen e tillë. Duke e pranuar propozimin francez, e tejkaluam bllokadën bullgare. Në këtë moment, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e provokimeve eventuale të ardhshme të subjekteve politike me këndvështrime anakronike, si dhe me kërkesa joparimore dhe thelbësisht joevropiane që cenojnë karakteristikat tona të identitetit. Por, në Evropë, duhet ta ketë gjithkush të qartë se partnerë për një dialog të tillë këtu nuk do të gjejnë. Nuk duhet të harxhojmë kohë dhe energji që të qetësojmë ndërgjegjen e papastër të dikujt. I gjithë potenciali duhet të fokusohet në reformat reale dhe jo në reformat retorike, sepse këtë e presin, prej nesh, gjatë, shumë gjatë qytetarët maqedonas.
Për vazhdim të negociatave do të nevojitet me patjetër konsensus shtetëror edhe për ndryshimet kushtetuese, të cilin duhet ta bëjmë përsëri në emër të të ardhmes evropiane. Megjithatë, në këtë angazhim duhet të hyjmë me plan dhe pa u nxituar, kurse, ai proces të zhvillohet aq kohë saç do të nevojitet që të mos hapim plagë të reja në indin e kombit maqedonas.

Në negociata do ta kemi të qartë se integrimet nuk janë vetëm marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, por bëhet fjalë për një angazhim kolosal për transformim të shtetit dhe shoqërisë që do të kërkojë durim nga të gjithë ne, por edhe sakrifica në shumë fusha të jetesës sonë sidomos të atyre të cilët sot janë të privilegjuar në shumë baza.

Qëllimi përfundimtar është ndërtimi i shtetit juridik funksional me sistem gjyqësor efikas. Jo rastësisht sundimi i të drejtës është hapi i parë, por edhe i fundit në eurointegrime. Nëse ka drejtësi, do të ketë edhe besim tek institucionet edhe zhvillim ekonomik dhe zhvillim të përgjithshëm shoqëror. Parakusht krucial për shtet juridik është lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit të lartë, klientelizmit dhe në përgjithësi, kundër standardeve të dyfishta gjatë zbatimit të ligjeve që shpesh varet nga gjendja jonë e pasurisë, statusi shoqëror, përkatësia etnike ose politike.

Jam thellësisht i bindur se negociatat për anëtarësim do të jenë faktor stabilizues jo vetëm për shtetin tonë por edhe një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin. Jemi dëshmitarë se më rezistentë ndaj pasojave negative të krizave të llojeve të ndryshme, janë pikërisht shtetet me demokraci të zhvilluar, ekonomi të fuqishme dhe institucione transparente. Njëkohësisht, perspektiva reale evropiane është mënyra më e mirë për ndërtim të rezistencës ndaj liderëve autoritarë dhe ndaj alternativave katastrofike gjeopolitike.

Në fund, negociatat janë mundësi për zvogëlimin e euroskepticizmi nëpërmjet kthimit të Bashkimit Evropian në derë të madhe te ne dhe në rajon. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet dukshmërisë më të madhe të Bashkimit me mekanizmat, iniciativat, kritikat edhe fondet e veta strukturore. Qytetarët duhet ta ndiejnë Bashkimin, jo si një organ të largët, burokratik, por si aleat të tyre në përpjekjet për jetë më të mirë, këtu, në Maqedoninë e Veriut.

Të nderuar,

Negociatat për anëtarësim do të vazhdojnë me vite dhe do të kërkojë prej nesh lëshimin e shprehive dhe praktikave të vjetra dhe dërgimin e rezultateve konkrete. Në atë kuptim, të gjithë duhet të japim kontributin e vet, nga Kuvendi i cili ka vendin qendror në miratimin e legjislacionit evropian, Qeveria, Presidenti, pushteti lokal, ekspertët nga sektori qytetar, mediat.

Ky është një proces serioz i cili nuk duron improvizime. Çdo hap që do të bëjmë, përveç Brukselit, do ta ndjekë edhe gjykatësi më mirë – opinioni maqedonas. Çdo keqpërdorim i këtij procesi për interesat e ngushta partiake apo personale do të nënkuptojë humbje të kohës së vyeshme, të cilën nuk e kemi, por, edhe më e rëndësishmja, do të nënkuptojë humbje shtesë të besimit edhe ashtu të ulët të qytetarëve tek institucionet shtetërore.

Kurse, shteti në të cilin qytetarët nuk kanë besim me siguri nuk është shtet në të cilin ata do të duan të jetojnë.

Të nderuar të pranishëm,

Në thelbin e vet, integrimet evropiane nuk mund të jenë qëllim dhe prioritet vetëm i një garniture politike. Ato janë projekt nacional të cilin e mbështesin të gjitha partitë relevante politike nga fillimi i pavarësisë maqedonase deri më sot. Prandaj, u bëj thirrje të gjithë faktorëve politikë, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, të përfshihen në mënyrë konstruktive dhe të kontribuojnë për zhvillim e tij pa pengesa. Si një angazhim mbipartiak, reformat evropiane mund të na ndihmojnë t’i kthejmë të mirën e përgjithshme dhe interesin publik në qendër të diskursit politik dhe praktikës. Kështu do t’i realizojmë edhe prioritetet vitale nacionale strategjike, kurse, ato janë, të dëshmojmë bashkërisht zhvillim të fuqishëm ekonomik dhe social, besim më të madh tek institucionet dhe emigrim më të vogël drastik të të rinjve.

Së bashku mund ta arrijmë atë që nuk mund ta arrijmë veç e veç. Nëse arrijmë të ndërtojmë shoqëri demokratike dhe me prosperitet, me të gjitha nishanet, atëherë mund të themi se shteti i pavarur maqedonas, i konstituar në vitin 1991 më në fund do ta fitojë justifikimin dhe logjikën e vet historike.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...