Presidentja Gordana Siljanovska Davkova nga sot do të qëndrojë në vizitë pune në Durrës, Republikën e Shqipërisë, ku do të marrë pjesë në Takimin e Liderëve të Vendeve Pjesëmarrëse në procesin “Brdo-Brioni”.
Në fokus të takimit të këtij viti do të jenë disa tema: integrimi europian, Plani i Rritjes së BE-së, politika rinore dhe ikja e trurit, si dhe bashkëpunimi dhe siguria rajonale.
Qëllimi kryesor i procesit në fjalë është integrimi i të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor, duke forcuar bashkëpunimin rajonal. Liderët e vendeve pjesëmarrëse në procesin “Brdo-Brioni” takohen të paktën një herë në vit.
Procesi “Brdo-Brioni” është një iniciativë e përbashkët e presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë. Takimi i parë i udhëheqësve u mbajt në vitin 2013, në Brdo pranë Kranjit.