Presidentja Gordana Siljanovska Davkova shpalli të hapur Festivalin Olimpik Rinor Europian Veror dje në mbrëmje dhe tha se organizimi i një ngjarjeje sportive ndërkombëtare kaq të njohur është një nder i madh për vendin tonë.
Sipas saj, 4.000 atletë pjesëmarrës manifestojnë anën e bukur të së tashmes, duke garantuar të ardhmen e ndritur të sportit europian dhe botëror.
Për Presidenten, kjo nuk është vetëm një ngjarje e nivelit të lartë sportiv, por edhe simbol i të rinjve, gjenerator i bashkimit dhe solidaritetit, krijues i dialogut kulturor dhe sportiv europian, ku sportistët jo vetëm përfaqësojnë veten dhe vendet e tyre, por gjithashtu promovojnë kalorësinë sportive, miqësinë dhe trajtimin e drejtë si kur fitojnë ashtu edhe kur humbasin.
Presidentja Siljanovska Davkova i inkurajoi të rinjtë të vazhdojnë që ta zhvillojnë frymën olimpike, duke theksuar: ‘Besoj se do të tregojmë dhe provojmë edhe një herë se jemi mikpritës humanë dhe të mirë, një popull me audiencë sportive të pasionuar, që di të brohorasë, të inkurajojë dhe të shpërblejë’.
Festivali Olimpik Rinor Europian Veror po zhvillohet nga 20 deri më 26 korrik në Shkup dhe Kumanovë. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Presidentja Siljanovska Davkova, si dhe Presidenti i Festivalit Olimpik Europian, Spyros Kapralos, ndërsa u përfshi edhe “Parada e Delegacioneve” dhe një shfaqje vallëzimi nga Opera dhe Baleti Kombëtar.
Në vazhdim është fjalimi integral i presidentes Siljanovska Davkova:
Të nderuar atletë të rinj nga e gjithë Europa,
Të nderuar mbështetës të Olimpizmit dhe dashamirës të sportit,
Të nderuar mysafirë,
Të nderuar miq,
Është nder i madh të bëhemi vendi pritës i Festivalit Olimpik Rinor Europian Veror, i cili mblodhi rreth 4.000 sportistë që manifestojnë anën e bukur të së tashmes dhe garantojnë të ardhmen e ndritur të sportit europian dhe botëror.
Festivali Olimpik Rinor Europian Veror paraqet ngjarje supreme sportive, simbol i rinisë dhe kalorësisë në garë, gjenerator i bashkimit dhe solidaritetit, krijues i dialogut kulturor dhe sportiv europian.
Ne pranuam me guxim dhe kënaqësi sfidën e organizimit dhe realizimit të kësaj ngjarjeje të pamundur pa logjistikë komplekse, planifikim të detajuar, bashkëpunim dhe komunikim. Për fat të mirë, rreth 700 vullnetarë na erdhën në ndihmë, një forcë e vërtetë që garanton rrjedhën e suksesshme të garave dhe realizimin e plotë të agjendës së pasur sportive.
Shpreh mirënjohjen time të pafundme ndaj tyre për përkushtimin dhe dëshirën e sinqertë për të kontribuar në cilësinë e festivalit.
Dëshiroj që ta justifikojmë besimin që na është dhënë. Besoj se si shtet, si shoqëri dhe si qytetarë, do të tregojmë dhe dëshmojmë edhe një herë se jemi mikpritës të mirë dhe njerëzorë, si dhe se kemi audiencë sportive të pasionuar që di të brohorasë, të inkurajojë dhe të shpërblejë.
Festivali Olimpik paraqet mundësi e rrallë për pjesëmarrësit dhe mysafirët që të kenë takim të drejtpërdrejtë me kulturën maqedonase.
Të nderuar pjesëmarrës,
Gara në 15 sporte paraqet sfidë e madhe për ju. E di që ju jo vetëm që po përfaqësoni veten dhe vendet tuaja, as nuk po demonstroni vetëm aftësi, njohuri dhe formë fizike, por gjithashtu po promovoni kalorësinë sportive, miqësinë dhe trajtimin e drejtë si kur fitoni ashtu edhe kur humbisni.
Ju simbolizoni një stil jetese të shëndetshëm, duke u dhënë shembull pozitiv bashkëmoshatarëve tuaj se si koha mund të projektohet dhe të mbushet më së miri, më me mençuri dhe më me dobi përmes sporteve të mrekullueshme amatore, por edhe se si, duke arritur rezultate të shkëlqyera dhe duke ndërtuar një frymë të fortë olimpike, mund të hapen portat e sporteve profesionale.
Në vitet e adoleshencës, ju zhvilloni jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tuaj, duke u rritur dhe duke u bërë modele dhe krahasime për gjenerata të tëra të të rinjve.
Ju jeni heronjtë e ardhshëm të sportit për të cilët do të shkruajnë mediat dhe rrjetet sociale.
Është e pamohueshme që sporti ka një fuqi të jashtëzakonshme për të bashkuar, për të zhdukur dallimet racore, etnike, fetare dhe sociale, për të mundësuar një betejë të barabartë, nga e cila, pavarësisht rezultatit përfundimtar, të gjithë pjesëmarrësit janë fitues moralë.
Vazhdoni të zhvilloni frymën olimpike, ta përhapni vullnetin e mirë dhe miqësinë, të dërgoni mesazhet e paqes.
Ju inkurajoj që ta jepni më të mirën tuaj në betejat sportive dhe ju uroj suksese në garat.
Jashtë fushës sportive, ju uroj sinqerisht momente të paharrueshme që do t’ju kujtojnë në këtë festival sportiv.
Më lejoni ta shpall të hapur Festivalin Olimpik Rinor Europian Veror!