Presidenti Pendarovski në Prishtinë u takua me kryeministrin kosovar Albin Kurtin

15 Dhjetor 2021 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, sot në Prishtinë, në suazat e vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës u takua me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.

Presidenti Pendarovski dhe kryeministri Kurti në këtë takim vlerësuan se marrëdhëniet midis dy shteteve janë miqësore dhe konstruktive dhe në atë kontekst e riafirmuan interesin për përparimin e bashkëpunimit në shumë fusha të interesit të përbashkët. Presidenti Pendarovski shprehu kënaqësi për dinamikën e kontakteve midis qeverive të dy shteteve, duke nënvizuar se ai kontribuon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Në këtë takim u shpreh kënaqësia nga relacionet dhe bashkëpunimi i deritanishëm ekonomik midis dy shteteve dhe u shkëmbyen mendime në lidhje me mundësitë për përparim të tyre të mëtejshëm. Në këtë kuptim, Presidenti Pendarovski tha se lidhja infrastrukturore dhe bashkëpunimi në fushën e energjetikës, investimeve dhe turizmit duhet të jenë në fokusin e të dy shteteve në periudhën që vjen.

Gjatë bisedës, Presidenti Pendarovski e përsëriti mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe përgatitjen tonë për të dhënë kontribut në këtë drejtim, duke vlerësuar se si anëtare e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut do ta mbështesë politikën e dyerve të hapura të Aleancës.

Përveç kësaj, bashkëfolësit shkëmbyen mendime edhe në raport me dialogun Beograd-Prishtinë ku Presidenti Pendarovski e riafirmoi qëndrimin se Maqedonia e Veriut i mbështet përpjekjet e aleatëve dhe partnerëve tanë në drejtim të arritjes së zgjidhjes së pranueshme reciprokisht, e cila do të kontribuojë në përforcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe do të sigurojë mundësi për prosperitetin e mëtejshëm të të gjithë rajonit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...