Presidenti Stevo Pendarovski dhe Presidenti i Republikës Federative të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer sot në Çarshinë e vjetër në Shkup u takuan me anëtarët alumni të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik dhe bursistët e organizatave partnere të kësaj qendre, ku u diskutua mbi perspektivat e të rinjve në Maqedoninë e Veriut dhe mbi procesin e integrimit evropian të rajonit.
Presidentët Pendarovski dhe Shtajnmajer me të rinjtë shkëmbyen mendime mbi çështje aktuale në Evropë dhe rajon, mbi perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut, sfidat e të rinjve, euroskepticizmin në rritje dhe parimin e konsensusit në lidhje me zgjerimin e BE-së, ballafaqimin me largimin e të rinjve, sigurimin e perspektivave për të rinjtë.
Presidenti Shtajnmajer i përshëndeti aktivitetet e Qendrës Presidenciale për Edukim Politik dhe theksoi se është kënaqësi për të t’i dëgjojë qëndrimet e të rinjve të Maqedonisë së Veriut, mendimet e tyre për Bashkimin Evropian, si dhe pritjet e tyre nga Gjermania.
Në këtë diskutim të dy presidentët thanë se një nga obligimet e politikanëve është të mundësojnë kushte dhe ta nxitin zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shteteve, me qëllim që të rinjtë të kenë perspektivë në vendet e tyre.
Qendra Presidenciale për Edukim Politik është formuar me vendim të Presidentit Stevo Pendarovski në drejtim të përpjekjeve për përforcim të vlerave demokratike politike, të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, të pluralizmit politik, tolerancës së ndërsjellë, bashkimit dhe solidaritetit. Në suazat e QPEP-së mbahet Shkolla për politika, kurse partnerë të këtij projekti janë Fondacioni “Fridrih Ebert”, Fondacioni për demokraci i Uestminsterit, Fondacioni “Konrad Adenauer”, Instituti nacional demokratik për punë ndërkombëtare (NDI), Instituti ndërkombëtar republikan (IRI) dhe Fondacioni “MKD 2025”.
Paraprakisht, të dy presidentët shëtitën nëpër Çarshinë e vjetër të Shkupit, si pjesë kulturore-historike e qytetit dhe simbol i shoqërisë sonë multietnike.