Presidenti Stevo Pendarovski sot e priti Andreas Shider, eurodeputetin austriak dhe bashkëkryesuesin e Komitetit të Përzier Parlamentar Bashkimi Evropian – Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim, Presidenti Pendarovski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut e vlerëson lart mbështetjen e fuqishme nga Parlamenti Evropian dhe se kjo kontribuon në përmirësimin e atmosferës politike në vend dhe e përshpejton procesin e aderimit në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, Presidenti shprehu kënaqësinë nga Rezoluta e fundit e miratuar nga eurodeputetët, ku në mënyrë të paanshme u vlerësua pamja reale mbi reformat e arritura dhe mbi gjendjen politike në vend.
Në këtë bisedë u tha se edhe përkrah vështirësive të shkaktuara nga pandemia e kovid-19, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqishëm në procesin eurointegrues.
Presidenti Pendarovski e falënderoi eurodeputetin austriak për angazhimin, si dhe i riafirmoi pritjet për miratimin sa më të shpejtë të Kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian gjatë presidencës portugeze.
Bashkëfolësit shprehën pritjen se bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Parlamentit Evropian do të vazhdojë me një dinamikë edhe më të përforcuar, për të cilën kontribut dhe nxitje të rëndësishme jep dialogu konstruktiv në Komitetin e Përzier Parlamentar Bashkimi Evropian – Republika e Maqedonisë së Veriut.