Presidenti Pendarovski e mirëpriti gjeneralin Ejrik Kristofersen, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë.
Në këtë takim u bisedua mbi bashkëpunimin e përgjithshëm bilateral në fushën e mbrojtjes, i cili përfshin aktivitete nga domeni i bashkëpunimit ushtarako-mjekësor, trajnime dhe bashkëpunim midis akademive ushtarake, si dhe për pjesëmarrjen dhe kontributin e përbashkët në operacionet paqësore ndërkombëtare.
Presidenti e falënderoi për mbështetjen e përgjithshme të Norvegjisë në procesin e zbatimit të standardeve të NATO-s dhe në transformimin e Armatës sonë, për ndihmën dhe donacionet me qëllim të ballafaqimit me pandeminë kovid-19, si dhe për mbështetjen financiare për ndërtimin e kapaciteteve demokratike në vend.
Bashkëfolësit shkëmbyen informacione dhe mendime mbi ngjarjet në Ukrainë, dy kandidaturat e reja për anëtarësim në NATO dhe për përforcimin e krahut lindor të Aleancës, si dhe mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Evropa. Në këtë drejtim, Presidenti tha se si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojmë t’i japim mbështetje ushtarake, humanitare dhe diplomatike Ukrainës me qëllim që të ndalojë agresioni rus.
Presidenti tregoi gatishmëri për përparimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe të përforcimit të aleancës së NATO-s në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të përbashkëta për siguri dhe paqe kolektive në kontinentin evropian.
Në këtë takim u fol edhe mbi mundësitë për zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta stërvitëse në poligonin e armatës “Krivollak”.