Presidenti Stevo Pendarovski, në prag të Ditës Botërore të Luftës kundër Diabetit -14 nëntori, sot i mirëpriti përfaqësuesit e Lidhjes së shoqatave të të sëmurëve me diabet të Maqedonisë së Veriut – LSHSMMV.
Në këtë takim, bashkëfolësit biseduan mbi aktivitetet aktuale të 25 shoqatave të cilat i bashkon kjo Lidhje, kurse të cilat janë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së jetës të personave me diabet. Përfaqësuesit e kësaj Lidhjeje theksuan se muajt e kaluar janë ballafaquar me mungesë e shiritave dhe të aparateve për matjen e sheqerit në gjak, si dhe mungesën e terapisë antidiabet. Njëkohësisht, bashkëfolësit në këtë takim thanë se nevojitet të ndryshohet tërësisht mënyra e furnizimit me insulinë dhe të braktiset sistemi me procedura tenderi.
Në këtë drejtim, Presidenti Pendarovski shprehu mbështetje për kërkesat e tyre që të vendosë çmim referent për furnizim me matës të glukozës dhe shiritave për matjen e sheqerit, si dhe t’u rimbursohen shpenzimet për terapinë e re antidiabetike.
Duke referuar se nga viti në vit numri i të sëmurëve me diabet në vend po zmadhohet vazhdimisht, përfaqësuesit e Lidhjes së shoqatave të të sëmurëve me diabet theksuan se është e domosdoshme edhe edukimi përkatës dhe ngritja e vetëdijes së publikut, sepse si pasojë e sheqerit të parregulluar në gjak, është zmadhuar numri i goditjeve në tru.