Presidenti Stevo Pendarovski, sot në suazat e projektit “Ballë për ballë”, u takua me studentët e Fakultetit të Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike – FINKI, të cilët e krijuan mjetin e marketingut për reklamimin “Hovitcer” (Howitzer) në rrjetin social amerikan “Redit” (Reddit) .
Informaticienët e rinj e njohën presidentin Pendarovski me inovacionin e tyre, mënyrën e krijimit të produktit dhe rezultatet e arritura, duke theksuar se synimi i tyre është tregu global.
Presidenti Pendarovski i përgëzoi për inovacionin, duke theksuar se ky mjet nuk është vetëm sukses i tyre personal, por kontribuon, njëkohësisht, në afirmimin e shtetit tonë.
Në takim, Presidenti theksoi se me njohuritë, entuziazmin, punën në ekip dhe këmbënguljen e tyre e realizuan idenë e tyre, duke krijuar një produkt të suksesshëm të njohur në tregun global. Sipas Presidentit Pendarovski, sukseset e tilla janë motivimi më i madh për të rinjtë që t’i zhvillojnë shkathtësitë e tyre TI dhe t’i përkushtohen shkencës dhe inovacionit, kurse në kushtet e digjitalizimit global, mbështetja e inovacionit në sektorin e TIK-ut është me rëndësi të madhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të shtetit.
Konsumatorët kryesorë të këtij mjeti për marketing janë sipërmarrësit dhe kompanitë në fazën e hershme, tregtarët në zhvillim dhe krijuesit e kripto-projekteve. Produkti i tyre arriti 2000 dollarë fitim në muaj, një muaj pasi është vendosur në përdorim, kurse vetëm për pesë muaj e kanë marrë investimin më të madh të huaj për kompani softuerike në Maqedoninë e Veriut – 500.000 dollarë.