Në drejtim të përpjekjeve për përforcim të vlerave demokratike politike, për promovim dhe mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, të pluralizmit politik, tolerancës së ndërsjellë, për unitet dhe solidaritet, me vendim të Presidentit Stevo Pendarovski u formua Qendra për Arsim Politik e Presidentit.
“Qendra për Arsim Politik është një nga projektet kryesore në programin tim të punës, që do t’i lidhë të rinjtë me prejardhje të ndryshme në suazat e shumë evenimenteve edukative me ligjërues dhe trajnues eminentë nga vendi dhe jashtë vendit. Qëllimi është ta nxitim interesin për politikën te të rinjtë dhe të motivohen të përfshihen, ta kuptojnë më mirë dhe ta praktikojnë politikën në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëpërmjet Qendrës do ta promovojmë kulturën e dialogut në shpirtin e vlerave demokratike dhe do të kontribuojmë në përfshirjen e tërësishme të arsimit politik në arsimin formal dhe joformal”, theksoi Presidenti Pendarovski.
Me qëllim që të zbatohen aktivitetet e Qendrës për Arsim Politik të Presidentit, si trup i përkohshëm pune i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është formuar Këshilli i programit i përbërë nga kryetari, shtatë anëtarë dhe sekretari.
Si partnerë në suazat e këtij projekti marrin pjesë fondacione dhe shoqata: Fondacioni “Fridrih Ebert” – Shkup; Fondacioni për Demokraci e Uestminsterit, filiali në Republikën e Maqedonisë së Veriut; Fondacioni “Konrad Adenauer”, filiali – Shkup; Instituti Nacional Demokratik për Punë Ndërkombëtare (IND) zyra në Maqedoninë e Veriut, Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) filiali – Shkup dhe Fondacioni “MK2025”
Në punën dhe aktivitetet e Qendrës për Arsim Politik të Presidentit mund të marrin pjesë të gjitha shoqatat dhe fondacionet nga vendi dhe jashtë që kanë si qëllim themelor promovimin e kulturës së dialogut në shpirtin e vlerave demokratike.