Presidenti Stevo Pendarovski, në suazat e pjesëmarrjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dje pasdite në Nju-Jork e dekori Organizatën e Kombeve të Bashkuara me Dekoratën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Presidenti Pendarovski ia dorëzoi dekoratën Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Gutereshit që jepet për ndihmën dhe mbështetjen e madhe të OKB-së gjatë ballafaqimit me tërmetin katastrofal të Shkupit dhe për kontributin e vyeshëm për rindërtimin e qytetit të Shkupit, i cili u shndërruar në qytetin e solidaritetit dhe në simbol të vërtetë të miqësisë midis popujve.
Presidenti Pendarovski u takua me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh dhe bisedoi mbi aktivitetet e përgjithshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në suazat e Kombeve të Bashkuara, si dhe mbi rolin e organizatës në ballafaqimin me sfidat globale.
Presidenti Pendarovski e falënderoi për përkushtimin e OKB-së në vendin tonë dhe shprehu pritjen që bashkëpunimi të vazhdojë në të ardhmen me intensitet të zmadhuar. Ai theksoi se angazhimi i vazhdueshëm i OKB-së në Maqedoninë e Veriut kontribuon në përforcimin e kapacitetit të vendit në sektorët kryesorë për zhvillim të shoqërisë maqedonase.
Në këtë takim u shkëmbyen mendime dhe informacione mbi rrjedhën e eurointegrimeve tona, mbi politikën aktuale dhe mbi gjendjen e sigurisë në rajon, si dhe për agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën. Presidenti Pendarovski e theksoi angazhimin dhe përkushtimin tonë të fuqishëm për përforcimin e rolit të OKB-së në ballafaqimin me sfidat globale.