Urime dërguar Presidentit Pendarovski me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

8 Shtator 2020 | Kumtesat

 

Me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, letra me urime Presidentit Pendarovski i dërguan këta udhëheqës shteti.

Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Elizabeta II me kënaqësi të veçantë e uroi festën shtetërore, Ditën e Pavarësisë me urimet dhe dëshirat më të sinqerta për lumturi dhe prosperitet të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Mbreti i Holandës, Vilem Aleksander, në urim dërgon dëshirat për mirëqenie të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. “Kur po e kremtojmë këtë festë, dua të theksoj se pandemia e kovid-19 është një sfidë e paparë për të gjithë ne. Ju dëshiroj Juve, qeverisë Suaj dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, fuqi, guxim dhe shëndet, sepse së bashku i vazhdojmë përpjekjet për tejkalim të virusit korona”, është shkruar në urimin e mbretit holandez.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trampi në emrin e popullit amerikan duke e uruar Ditën e Pavarësisë, 8 Shtatorin, thotë se këtë vit kremtimi është në rrethana kur po ballafaqohemi me pandeminë globale, por edhe përkrah kësaj sfide kolosale, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhje demokratike të sigurta dhe transparente në korrik, kurse vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj përparimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. “Në vijim të hapit pozitiv me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut tashmë kontribuon në Aleancë, si nikoqire e shumë ushtrimeve në poligonin ushtarak “Krivollak”. Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë aleati juaj dhe i mbështesim aspiratat e Maqedonisë së Veriut për integrim të mëtejshëm evropian dhe në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruhet në këtë urim nga presidenti amerikan.

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, në urimin drejtuar Presidentit Pendarovski dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dërgon urime të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë në emrin e vet dhe në emrin e bashkëkombësve të tij. “Këtë vit vendi Juaj mund të gëzohet jo vetëm për pranimin në NATO por edhe për vendimin e Këshillit Evropian për fillim të negociatave aderuese me BE-në. Me marrëveshjen historike për çështjen e emrit me Greqinë dhe reformat e rëndësishme, Maqedonia e Veriut, kontribuoi theksueshëm për këtë gjë. Edhe më i rëndësishëm mbetet vazhdimi i angazhuar i reformave në fushat qendrore: sundimi i të drejtës, sundimi i mirë si dhe mbajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Gjermania edhe mandej do të vazhdojë ta mbështesë vendin Tuaj në afrimin drejt Bashkimit Evropian, si dhe në tejkalimin e pasojave nga pandemia e kovid-19, si një partner i sinqertë”, shkruhet në urimin e Presidentit gjerman.

 Presidenti i Federatës Ruse, Vlladimir Putin në urimin e tij dëshiron shëndet dhe suksese , kurse të gjithë qytetarëve tanë paqe dhe mirëqenie. “Jam i bindur se përparimi i bashkëpunimit konstruktiv bilateral midis Federatës Ruse dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut do të ishte në interes të popujve tanë, do të kontribuonte në përforcimin e sigurimit dhe stabilitetit në Ballkan”, qëndron në urimin e presidentit rus.

Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Si Xhiping, duke dërguar urime me rastin e Ditës së Pavarësisë, thekson se marrëdhëniet midis dy shteteve janë stabile dhe me bashkëpunim praktik në të gjitha fushat e ndryshme lëvizin në linjë të sipërme. “Nga shfaqja e kovid-19, dy vendet tona dhe dy popujt tanë e mbështetën njëri-tjetrin që të luftojnë kundër epidemisë me solidaritet dhe e thelluan miqësinë tonë tradicionale. Unë i jap rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Maqedoni e Veriut dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me Ju, të promovoj shkëmbime bilaterale dhe ta pasuroj thelbin e marrëdhënieve tona me mbindërtimin e përbashkët të “Një rrip – një rrugë” dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore si platforma, me qëllim që të arrihet zhvillim më i madh në bashkëpunimin tonë miqësor në periudhën e re historike, kurse në të mirë të dy vendeve dhe të dy popujve tanë”, shkruan në këtë urim presidenti kinez.

Presidenti i Republikës së Francës, Emanuel Makron, duke e uruar Ditën e Pavarësisë, në këtë urim e tregon solidaritetin e tij si dhe solidaritetin e popullit francez për popullsinë maqedonase e cila është goditur, gjithashtu, nga pandemia kovid-19.  Ju dërgoj edhe falënderimin tim të përzemërt për riatdhesimin e shtetasve francezë dhe evropianë në fillim të krizës. Bashkimi Evropian, duke miratuar më shumë se 3 miliarda euro ndihmë për shtetet e Ballkanit Perëndimor  në ballafaqimin me këtë krizë pa precedent, e dëshmoi përkushtimin e tërësishëm të vet për këtë rajon, shkruan presidenti francez. Presidenti Makron në këtë urim dëshiron që marrëdhëniet bilaterale të vazhdojnë të përforcohen, kurse strategjia franceze për Ballkanin parashikon mbështetje të përforcuar të Francës për zhvillim social dhe ekonomik të rajonit, falë aktiviteteve të ardhshme të Agjencisë Franceze për Zhvillim në Republikën e Maqedonisë së Veriut në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm. “Viti 2020 ishte një etapë e rëndësishme në afrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, e cila u bë anëtarja e 30-të e Aleancës Atlantike, më 27 mars 2020. E përshëndes vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, të 25 marsit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit tuaj.  Jini të bindur se e keni të gjithë mbështetjen time për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Pas vendimit të Këshillit më 25 mars, dëshiroj që të përcaktohet sa më shpejt korniza negociuese.  Franca do të ndjekë a e reflekton ajo metodologjinë e re për zgjerim dhe do të vazhdojë t’i mbështesë reformat e domosdoshme për arritjen e përparimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, sidomos në fushën e sundimit të të drejtës e cila është në thelbin e vlerave evropiane”, shkruhet në urimin e presidentit francez.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në urim thotë se bashkëpunimi i afërm dhe marrëdhëniet miqësore midis dy shteteve, të cilat bazohen në vlerat e fuqishme, të përbashkëta, historike, shoqërore dhe kulturore, me zyrtarizmin e anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut janë përforcuar edhe me raportin në aleancë. “Shpresoj se sukseset Tuaja të deritanishme në drejtim të integrimit në BE, sa më shpejt të rezultojnë me anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendi ynë i cili që në vetë fillimin e mbështeste Maqedoninë e Veriut në integrimin në Evropë dhe strukturat euroatlantike, gjatë periudhës së vështirë të ballafaqimit me pandeminë kovid-19 nëpër të cilën po kalojmë, bëri përpjekje për dorëzim të ndihmës së mundshme maksimale mjekësore  për Maqedoninë e Veriut, mike”, shkruhet në urimin e presidentit turk, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi efikas në nivel bilateral dhe nivel të platformave multilaterale do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

Presidentja e Republikës së Greqisë, Katerina Sakelaropulu dërgoi urime të sinqerta dhe dëshira të përzemërta për përparim, zhvillim dhe prosperitet të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj. “Marrëdhëniet tona bilaterale hynë në një epokë të re. Me padurim pres zgjerim të përhershëm dhe thellim të bashkëpunimit të ngushtë dhe sinergjisë midis dy vendeve tona në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.” Presidentja greke në këtë urim shkruan mbi rëndësinë e zbatimit të tërësishëm dhe sistematik të Marrëveshjes së Prespës që është në interes të përbashkët të të dy vendeve, si dhe në interes të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit, që nga fillimi ballafaqohet me sfida të rëndësishme. “Do të desha të theksoj se Greqia e mbështet fort kursin për aderim të Maqedonisë së Veriut në BE, në përputhje me rregullat që vlejnë për aderim të çdo anëtari të ri në Bashkimin Evropian dhe për marrëdhëniet e mira fqinjësore”, shkruan presidentja greke duke shprehur pritje për një bashkëpunim konstruktiv dhe të ngushtë për zgjerim dhe thellim të marrëdhënieve bilaterale dhe partneritetit, siç u shkon dy vendeve fqinje dhe miqësore.

Presidenti i Republikës së Hungarisë, Janosh Ader, në urim shkruan se vendi ynë duhet të jetë krenar që arriti kthesa të rëndësishme në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, siç janë anëtarësimi në NATO dhe vendimi për fillim të negociatave për qasje në BE. “Ju bind se Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, shkruan në këtë urim, presidenti hungarez dhe shton se marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të përkryera dhe shpreh shpresën se, në të ardhmen, edhe mandej do të përforcohet bashkëpunimi politik, ekonomik dhe kulturor midis dy vendeve.

Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Simoneta Somaruga në urimin me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut thotë se marrëdhëniet e mira të bazuara në besimin midis dy vendeve mundësojnë ballafaqim të përbashkët me sfidat e mëdha globale. “Me padurim pres të punoj me Ju që t’i tejkalojmë këto sfida. Juve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ju uroj lumturi, prosperitet dhe suksese në të ardhmen”, shkruan në këtë urim presidentja zvicerane.

Urime me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut arritën edhe nga presidenti i Rumanisë, Klaus Johanis.

Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenskij në urim shkruan se i vlerëson marrëdhëniet miqësore tradicionale midis dy shteteve dhe shpreh mirënjohjen për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut  mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. “Jam i bindur se prioritetet e përbashkëta të integrimit evropian dhe euroatlantik janë bazë solide për realizimin efikas të potencialit ekzistues të bashkëpunimit tonë bilateral. Duke e shfrytëzuar këtë rast të këndshëm, Ju uroj, Ekselenca juaj, shëndet të mirë dhe suksese në aktivitetet shtetërore të përgjegjshme, kurse popullit mik të Maqedonisë së Veriut – paqe dhe harmoni”, thuhet në urimin e presidentit ukrainas.

Presidenti i Republikës së Moldavisë, Igor Dodon, në urim shpreh kënaqësinë prej marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis dy shteteve që zhvillohen në mënyrë dinamike, si dhe dëshirën e fuqishme të vendit të vet për zhvillim dhe përforcim të marrëdhënieve bilaterale. “Bindja ime është se sukseset e vendit Tuaj do të mbeten standarde të rëndësishme për bashkëpunimin e thellë bilateral”, shkruan në këtë urim presidenti i Moldavisë.  

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Xhuli Pajet, në urimin me rastin e Ditës së Pavarësisë shkruan se të dy shtetet janë të përkushtuara ndaj vlerave euroatlantike të cilat janë theksuar gjatë takimit midis presidentit Pendarovski dhe kryeministrit të Kanadasë, Xhastin Trudo. “Kanadaja e përshëndeti Maqedoninë e Veriut në NATO në mars, si anëtarja e 30-të e Aleancës dhe ne vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet tuaja për përparim në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian. Jam e bindur se do të vazhdojmë të mbështetim njëri-tjetrin drejt qëllimeve të përbashkëta dhe vitin e ardhshëm, të udhëhequr nga idealet tona të përbashkëta dhe interesat e përbashkëta, shkruan në urimin e guvernatores së përgjithshme të Kanadasë.

Guvernatori i përgjithshëm i Australisë, Dejvid Harli, në urim shpreh besimin se marrëdhëniet miqësore midis dy shteteve do të vazhdojnë të prosperojnë në vitin që vjen. “Solidariteti i bashkësisë ndërkombëtare është më i rëndësishëm se kurrë më parë, për kombet tona botërore që të punojnë së bashku në ballafaqimin me sfidat e virusit kovid-19”, shkruan në këtë urim guvernatori i përgjithshëm i Australisë.

Me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, letra me urime Presidentit Pendarovski i dërguan urime edhe Shkëlqesia e Tij Mbretërore Mohamed bin Sallman bin Abdulaziz Al Saud, Trashëgimtari i fronit, zëvendëskryeministri dhe ministri i mbrojtjes i Mbretërisë së Arabisë Saudite, mbreti i Marokut, Mohamed VI, presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al Sisi, presidenti i Palestinës, Mahmud Abas, presidenti i Afganistanit, Ashraf Gani, presidenti i Indonezisë, Xhoko Vidodo, presidenti i Mongolisë, Haltmagin Batullga, si dhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Luiz Mushikivabo.

 

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Takim lamtumire me ambasadorin shqiptar Fatos Rekën

Presidentin Stevo Pendarovski e mirëpriti në takim lamtumire ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Fatos Rekën. Në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, ku u vlerësua se ato shënojnë vazhdimisht...