Presidenti Pendarovski e dha mirënjohjen “Të rinj të suksesshëm” për vitin 2022

24 Nëntor 2023 | Kumtesat

Presidenti Stevo Pendarovski, në ceremoni, në Kabinetin e Presidentit, sot e dha mirënjohjen “Të rinj të suksesshëm” për vitin 2022.

Kjo mirënjohje jepet si nxitje e mendimit shkencor-kërkimor dhe punës artistike të të rinjve në shtetin tonë.

Si shkencëtarja e re më e mirë në shkencat shoqërore mbartëse e mirënjohjes është dr. Millka Ivanovska Haxhievska, e cila ligjëron në Universitetin Lund në Suedi, kurse si shkencëtari i ri më i mirë në shkencat humane u zgjodh dr. Boban Karapejovski. Punimet e tij janë mbi tema të morfologjisë dhe stilistikës maqedonase, nëpërmjet të cilave kandidati ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës maqedonase dhe makedonistikës.

Si shkencëtarja e re më e mirë në shkencat teknologjike dhe natyrore-matematikore u zgjodh Gordana Kapllan, doktor e shkencave në fushën e ndërtimtarisë dhe gjeodezisë dhe profesorë inordinare në Institutin “Toka dhe Kozmosi” në Universitetin Teknik në Eskishehir në Turqi. Si shkencëtari i ri më i mirë në shkencat mjekësore u zgjodh Filip Koneski, specialist i kirurgjisë orale dhe specializant në kirurgjinë maksilofaciale.

Në kategorinë “Talent i ri” mbartës i mirënjohjes është Mario Vançovski, nxënës në SHMK “Sllavço Stojmenski” – Shtip, fitues i shumë çmimeve në garat e matematikës, fizikës dhe kimisë.

Mirënjohje për sukses të veçantë të arrirë dhe për afirmim të inkluzionit mori Kristijan Llazarev, i cili ka arritur rezultate mbresëlënëse në pjesën e inkluzionit të personave me aftësi të kufizuara në shumë fusha, por më shumë në zhvillimin dhe përshtatjen e teknologjive asistive, të cilat e përmirësojnë në mënyrë të shumëfishtë jetën e personave të prekur, si dhe qasjen e tyre tek informacionet, arsimi, punësimi dhe aktivitetet shoqërore.

Në kategorinë artisti/artistja i ri/e re/ më i mirë/më e mirë u zgjodh Darja Rizova dhe Qëndrim Rijani, të cilët me arritjet e veta krijuese gjatë vitit 2022 kanë dhënë kontribut të veçantë në afirmimin e krijimtarisë teatrale maqedonase, si në vend ashtu edhe jashtë.

Në fjalimin e vet në këtë ceremoni Presidenti Pendarovski theksoi se mbartësit e mirënjohjeve janë shembull pozitiv për bashkëmoshatarët e tyre, por edhe për brezat e tashëm dhe të ardhshëm.

“Ata duhet të jenë dhe mbeten modeli ynë sipas të cilit do të sillen dhe do të krijojnë vlera brezat e reja. Shembulli i tyre i përkushtimit dhe investimit të kohës së vet dhe mundit të vet në vetvete, si rruga e vetme drejt suksesit duhet të jetë shembull edhe për qytetarët tanë më të rritur. Thashë dhe e përsëris, është e domosdoshme t’i mbështesim të rinjtë dhe t’i vlerësojmë she shpërblejmë arritjet e tyre. Në këtë kontekst, besoj se mirënjohja “Të rinj të suksesshëm” jep kontributin e vet dhe e plotëson misionin dhe qëllimin e vet”, tha Presidenti Pendarovski.

Presidenti Pendarovski tha se talentet, shkencëtarët dhe artistët e rinj duhet t’i inkurajojmë, që të vazhdojnë ta zhvillojnë potencialin e vet, kështu që do ta zmadhojmë motivimin e tyre për arritje të reja, kurse kjo arrihet vetëm nëpërmjet valorizimit përkatës dhe sistemit adekuat të meritave.

“Të gjithë të rinjve tanë të suksesshëm, kreativë duhet t’u mundësohet të jenë fuqi lëvizëse e shoqërisë sonë, të kenë dyer të hapura në institucionet arsimore dhe shkencore, në kompanitë, në industritë kreative. Thjesht duhet t’u jepet shans, që të rinjtë dhe individët e suksesshëm të mbeten dhe ta ndërtojnë karrierën e vet në vendin e tyre amë duke e reduktuar kështu, ikjen enorme të të rinjve. Kuptohet, ndonjëherë është e nevojshme dhe e paanashkalueshme, që karriera profesionale dhe nevoja për përparim dhe përsosje t’i çojë edhe jashtë kufijve, por është mirë që ata edhe mandej të jenë pjesë e projekteve, programeve dhe hulumtimeve të përbashkëta të institucioneve në vend, të mbeten edhe mandej të lidhur profesionalisht me vendin. Është absolutisht kritike prandaj duhet të bëjmë gjithçka që është në kompetencat tona që resursi ynë më i madh – potenciali njerëzor, të mos ikë pa u kthyer”, tha Presidenti Pendarovski në këtë ceremoni.

Mirënjohja “Të rinj të suksesshëm” jepet të katërtën herë me radhë për rezultate të arritura në vitin e kaluar kalendarik në fushën e shkencave shoqërore, natyrore-matematikore dhe teknike, humane dhe mjekësore, për të rinjtë me arritje të rëndësishme në praktikat artistike dhe kulturore, si dhe për të rinjtë inovatorë, talente dhe për të rinjtë e suksesshëm me aftësi të kufizuara.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit