Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti takim me ambasadorët e vendeve të Grupit të Vishegradit, të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim morën pjesë ambasadori i Republikës së Polonisë, Vojcieh Ticinjski, i Republikës së Çekisë, Mirosllav Toman, i Republikës së Sllovakisë, Henrik Markush dhe i Hungarisë, Llasllo Ishtvan Duks.
Duke shprehur kënaqësinë e mbajtjes së takimit tradicional vjetor, Presidenti Pendarovski e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit intensiv dhe të vazhdueshëm midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Grupit të Vishegradit dhe pritjen për thellimin e tij në periudhën në vazhdim.
Në kontekst të aspirimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Presidenti Pendarovski i falënderoi vendet e Grupit të Vishegradit për mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme dhe të zëshme në suazat e institucioneve evropiane.
Në këtë takim janë shkëmbyer mendime dhe informacione mbi ngjarjet aktuale lidhur me fillimin e negociatave aderuese për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti Pendarovski vlerësoi se shtyrja e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare mund ta ulin kredibilitetin e procesit të zgjerimit dhe do të ketë ndikim negativ mbi zhvillimin rajonal dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti theksoi se nuk ka plan B për të ardhmen evropiane të vendit, duke thënë se punohet intensivisht në planin A, kurse ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Presidenti Pendarovski tha se do të vazhdojnë përpjekjet për tejkalim të problemit dhe riafirmim të qëndrimit se për identitetin dhe gjuhën, si e drejta themelore e njeriut për vetëpërcaktim, nuk do të negociohet.
Në këtë takim janë shkëmbyer edhe mendime mbi gjendjen aktuale me pandeminë e kovid-19.