Presidenti Stevo Pendarovski, i shoqëruar nga bashkëshortja Elizabeta Gjorgievska, me ftesë nga Presidenti shqiptar Bajram Begaj, sot ishte në vizitë pune në Republikën e Shqipërisë. ku i vizitoi Komunën e Pustecit dhe Komunën e Pogradecit.
Në Glloboçeni, afër Pustecit, Presidenti Pendarovski dhe Presidenti Begaj e vizituan Muzeun kushtuar veprës dhe personalitetit të shkrimtarit shqiptar me prejardhje maqedonase Sterjo Spase. Në hapësirat e muzeut, presidentët Pendarovski dhe Begaj dhe delegacionet e të dyja vendeve patën takim plenar.
Në këtë takim u shpreh kënaqësia nga miqësia tradicionale dhe bashkëpunimi i përforcuar midis të dy shteteve, si dhe bindja se mbështetja e ndërsjellë dhe shkëmbimi i përvojave do të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së qëllimeve strategjike dhe integrimit të tërësishëm të të dyja shteteve në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, u theksua se hapja e negociatave për anëtarësim hapi edhe perspektiva dhe mundësi të reja për të dyja vendet, të cilat kërkojnë angazhim më të madh dhe ndërmarrje të proceseve serioze reformuese. Njëkohësisht, u theksua se të dyja vendet duhet të fokusohen në lidhjet infrastrukturore dhe energjetike, në bashkëpunimin ekonomik, në trajtimin efektiv të rreziqeve nga katastrofat dhe ndryshimet klimatike, si dhe në sfidat që i sjellin çështjet e sigurisë.
Në Pustec, Presidenti Pendarovski dhe bashkëshortja Gjorgievska e vizituan shkollën e kombinuar tetëvjeçare dhe të mesme “Trajan Gjorgjiovski dhe Mitre Kolevski” dhe bibliotekën e hapur, ku ishin ekspozuar libra në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Në deklaratën për mediat, Presidenti Pendarovski tha se këtu është përqendruar numri më i madh i maqedonasve në Shqipëri dhe se banorët e Pustecit dhe nxënësit kanë kushte të përkryera për arsimim dhe mësim në gjuhën amtare. Duke e falënderuar për ftesën Presidentin Begaj, Presidenti Pendarovski tha se vizita miqësore është me qëllim që të dëshmojmë se pakicat tona të cilat jetojnë në shtete të tjera i kanë të njëjtat kushte për të jetuar si edhe në shtetet e tyre amë. “Domethënë atë që e kanë shqiptarët në Maqedoni ta kenë edhe maqedonasit që jetojnë në Shqipëri dhe anasjelltas”, tha Presidenti Pendarovski duke shtuar se të dyja shtetet në lidhje me kujdesin për pakicat kombëtare mund të jenë shembull për të gjithë.
Gjatë vizitës në shkollë janë dhuruar edhe libra në gjuhën maqedonase nga Bllazhe Koneski, Petre M. Andreevski, Zhivko Çingo etj.
Në Pustec, Presidenti Pendarovski u takua me përfaqësuesit e Shoqatës së maqedonasve nga Shqipëria SONCE, me të cilët shkëmbyen mendime mbi aktivitetet, përpjekjet e tyre, si dhe mbi mundësitë për përparim të pozitës së pakicës maqedonase në Shqipëri.
Presidentët Pendarovski dhe Begaj i vizituan edhe kishat “Shën. Arkangjel Mihail” dhe “Shën. Maria” në ishullin Mal Grad në Liqenin e Prespës.
Gjatë vizitës në Republikën e Shqipërisë, Presidenti Pendarovski u takua edhe me pushtetet lokale dhe kryetarët e komunave të Pustecit dhe Pogradecit, Pali Kolefski dhe Ilir Xhakolli.