Presidenti Pendarovski mbajti fjalim në Samitin rinor mbi ndryshimet klimatike në Shkup

20 Tetor 2021 | Fjalimet

Presidenti Stevo Pendarovski sot mbajti fjalim në Samitin rinor mbi ndryshimet klimatike në Shkup – Nga Milanoja deri në Glasgou dhe mandej…, iniciativë e cila është mbështetur nga UNICEF-i, kurse është financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Samiti është organizuar në partneritet me Ambasadën e Italisë, si një nga mbështetëset e Samitit rinor mbi ndryshimet klimatike të OKB-së, në Milano dhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si mbështetëse e Konferencës për ndryshime klimatike të OKB-së, në Glasgou.

Të nderuar të pranishëm,
Shkëlqesi të nderuar,
të dashur pjesëmarrës,

Kam nderin ta hap këtë Samit rinor mbi ndryshimet klimatike që e organizojmë në bashkëpunim të ngushtë me UNICEF-in, kurse si pjesë e iniciativës sonë të përbashkët “Rikrijo të ardhmen”.

Këtë vit festojmë tri dekada të pavarësisë maqedonase, vite të sukseseve, por, edhe të sfidave të shumta të cilat kanë qëndruar dhe po qëndrojnë ende para shtetit tonë të përbashkët. Nuk ka dyshim se 30 vitet e ardhshme, jo vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për mbarë botën, do të përcaktohen nga sfida më e madhe globale, siç është ndryshimi klimatik.

Raporti i fundit i Panelit ndërqeveritar për ndryshime klimatike – IPCC flet padyshim se ne tashmë jetojmë në dekadën e fundit ku mund të ndikojmë që ta kufizojmë ngrohjen globale. Megjithatë, që ta bëjmë këtë gjë është e domosdoshme ta ndryshojmë rrënjësisht dhe shpejt sistemin prodhues dhe energjetik në botë. Duhet të fitojmë shprehi të reja, të qëndrueshme dhe të dëshmojmë kujdes shumë më të madh për mjedisin jetësor. Në të kundërtën, nëse nuk arrijmë t’i zvogëlojmë në nivel global gazrat e serrës gjatë kësaj dekade vendimtare, dhe nëse nuk arrijmë zero neto emisione deri në vitin 2050, atëherë do të arrijmë, padyshim, në pikën e cila nuk ka kthim.
Zjarret në pyje dhe përmbytjet e sivjetshme edhe te ne edhe në Evropë na tregojnë çfarë e ardhme na pret. Për shkak të ndryshimeve klimatike kushtet ekstreme të motit do të jenë gjithnjë dhe më të shpeshta dhe më intensive, me më shumë viktima njerëzore dhe dëme më të mëdha mbi ekonomitë dhe ekosistemet nacionale. Në disa rajone do të jenë më të shpeshta valët e nxehta, thatësirat dhe zjarret, kurse në rajone të tjera, stuhitë dhe përmbytjet. Jashtëzakonisht i lëndueshëm ndaj ndryshimeve klimatike është dhe do të jetë Rajoni i Mesdheut ku bëjmë pjesë edhe ne.

Këto janë konstatimet dhe parashikimet e shkencës. Por, çfarë mund të bëjmë ne në lidhje me këtë gjë? Realisht, vetëm mund të bëjmë shumë pak, por së bashku me shtetet e tjera në Evropë dhe botë, mund të bëjmë shumë. Maqedonia e Veriut është një nga shtetet e para që e ka miratuar Strategjinë nacionale për zhvillim energjetik deri në vitin 2040. Edhe përkrah pandemisë së kovid-19, këtë vit kemi miratuar kontribut të rishqyrtuar nacional të përcaktuar për zvogëlim në gazrat e serrës. Kemi përcaktuar 63 plane për aksion klimatik, që lidhen drejtpërdrejt me 15 qëllime për zhvillim të qëndrueshëm.

Më gëzon fakti që Qeveria para pak kohe e miratoi Strategjinë afatgjate për aksion klimatik me Plan aksionar. Qëllimi i kësaj strategjie është të arrijmë zhvillim të gjelbër, me karbon të ulët dhe klimatik të qëndrueshëm. Strategjia na obligon t’i zvogëlojmë emetimet neto nacionale të gazrave të serrës për 72% deri në vitin 2050 në krahasim me nivelin e vitit 1990.

Të nderuar pjesëmarrës në samitin rinor,

Pasojat e vendimeve që i sjell brezi ynë do t’i ndiejnë të gjithë brezat e ardhshëm. Për dhjetë ditë duhet të marr pjesë në Samitin botëror të liderëve mbi ndryshimet klimatike në Glasgou. Aty përveç se do t’i përcjell qëndrimet dhe politikat e shtetit tonë, së bashku me liderët e tjerë botërorë do të kujdesem për të ardhmen e brezave tuaja dhe të gjithë brezave të ardhshëm.

Ju jeni brezi më i informuar dhe më i digjitalizuar në historinë e njerëzimit. Që t’i japim fund kësaj sfide globale neve na nevojiten me patjetër entuziazmi juaj, idetë dhe zgjidhjet tuaja kreative dhe inovative. Prandaj jemi sot këtu, që t’i dëgjojmë mendimet tuaja se si t’i realizojmë konkretisht në vepër strategjitë e përmendura, si dhe të mundësojmë një të ardhme më të sigurt edhe për ju edhe për brezat e ardhshëm.

Ju faleminderit.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....