U nënshkrua Deklarata e përbashkët për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat e NATO-s

16 Nëntor 2021 | Kumtesat

Në ceremoni solemne në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u nënshkrua Deklarata e përbashkët për integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat e NATO-s, duke u rrumbullakosur kështu procesi i integrimit ushtarak i shtetit tonë në Aleancë.

Deklaratën e përbashkët e nënshkruan shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjenerallejtënanti Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i Komandës aleate të NATO-s për transformim, gjenerali Filip Lavinj.

Në fjalimin e vet në këtë ceremoni solemne, Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se nënshkrimi i deklaratës dëshmon se shteti arriti rezultate të rëndësishme pas një viti e gjysmë anëtarësim dhe e vërtetoi kredibilitetin. Sipas Presidentit Pendarovski, përfundimi i këtij procesi është sukses edhe për Aleancën në tërësi.

“E gjithë kjo, nuk nënkupton edhe përfundim të procesit më të gjerë reformues. Përkundrazi, kjo nënkupton se duhet të vazhdojmë ta përparojmë demokracinë dhe funksionimin e shoqërisë shumetnike dhe gjatë kësaj t’i respektojmë marrëveshjet e arritura bilaterale dhe multilaterale. Ndërmorëm obligimin se deri në vitin 2024 do të arrijmë pragun të veçojmë 2% të PBV-së për mbrojtjen. Edhe pse ndodhin gjëra të paparashikueshme, si pandemia apo kriza energjetike të cilat na imponojnë një rend tjetër të prioriteteve në buxhet, megjithatë, mbrojtja dhe siguria janë baza e funksionimit të të gjithë sektorëve të tjerë shoqërorë”, tha Presidenti Pendarovski.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjenerallejtënanti Vasko Gjurçinovski vlerësoi se akti i sotshëm e reflekton dhe i jep efekt punës tridhjetëvjeçare të mundimshme dhe të përkushtuar në të gjitha segmentet si shtet, por edhe si Armatë, me qëllim që të bëhemi pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake-politike.

“Dua të theksoj se integrimi i tërësishëm dhe transformimi i shtetit tonë është një proces i vazhdueshëm i cili nuk përfundon praktikisht asnjëherë, por përkundrazi është adaptimi i përhershëm i Armatës dhe i proceseve të saj të brendshme të cilat çojnë deri në ndërveprueshmërinë e tërësishme me anëtaret e tjera të NATO-s, kurse gjithçka me qëllim të tejkalimit të suksesshëm të sfidave bashkëkohore me të cilat po ballafaqohemi” tha gjenerali Gjurçinovski.

Komandanti i Komandës aleate të NATO-s për transformim, gjenerali Filip Lavinj, theksoi se përfundimi i procesit integrues i Maqedonisë së Veriut në NATO është me të vërtetë një sukses i madh jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Aleancën.

“Nënshkrimi i kësaj deklarate të përbashkët nuk është vetëm një përcaktues i rëndësishëm për forcat e armatosura të Maqedonisë së Veriut, por e vërteton edhe fuqinë e Maqedonisë së Veriut si një anëtare e besueshme dhe e rëndësishme e Aleancës, vend anëtar i cili ka vullnet dhe ka mundësi që t’i adaptojë strukturën dhe fuqitë e veta me nevojat dhe kërkesat e NATO-s”, tha gjenerali Lavinj.

Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska Jankovska vlerësoi se akti i sotshëm dëshmon se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO është i merituar si rezultat i proceseve të mëdha, serioze dhe shumë ambicioze reformuese.

“Më lejoni t’i uroj të gjithë ata të cilët morën pjesë në këtë proces të rëndësishëm, t’i uroj dhe t’i falënderoj për orët e shumta të kaluara me punë të padukshme. Për shkak të atyre orëve të shumta pune të padukshme, sot mund të lëvdohemi hapur për këtë sukses të madh historik. Një vit e gjysmë nga anëtarësimi ynë të themi se i përmbushëm të gjitha kushtet për integrim të tërësishëm ushtarak në aleancën më të fuqishme politike-ushtarake. Kjo dëshmoi se jemi aleatë te të cilët NATO-ja mund të mbështetet, se e mbajmë fjalën e vet si anëtarja më e re në NATO, se jemi të aftë pa shtyrje ta realizojmë atë që e kemi ndërmarrë si obligim dhe se garantojmë kontribut të barabartë në të gjitha misionet dhe në të gjitha operacionet e NATO-s” tha ministrja Sheqerinska Jankovska.

Paraprakisht, Presidenti Pendarovski e mirëpriti komandantin e Komandës Aleate të NATO-s për transformim, gjeneralin Filip Lavinj.

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Urimi i Presidentit Pendarovski me rastin e Ramazan Bajramit

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane Ramazan Bajram, u dërgoi urim qytetarëve të fesë islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu. I nderuar Reisul Ulema H....