Presidentja

 

Gordana Siljanovska Davkova është profesoreshë në pension për të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik në Fakultetin Juridik “Justinian i I” në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodij” në Shkup. Arsimin fillor dhe të mesëm e përfundon në Shkup, dhe më pas shkollimin e vazhdon në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup.

Studimet universitare i përfundon në vitin 1978, ndërsa arsimin e vazhdon me studime master në të njëjtin fakultet. Në vitin 1994 përfundoi studimet e doktoraturës me Cum laude në Fakultetin Juridik në Lubjanë, në Republikën e Sllovenisë. Në të njëjtin vit u zgjodh profesoreshë asistente, në vitin 1999 profesoreshë e asocuar dhe në vitin 2004 profesoreshë e rregullt në Departamentin për të Drejtën Kushtetuese dhe Sistemin Politik në Fakultetin Juridik në Shkup. Prof. Siljanovska Davkova është autore ose bashkëautore e më shumë se 200 titujve në fushën e drejtësisë, sistemit politik dhe të drejtës kushtetuese. Në vitin 2016, studentët e zgjodhën si profesoreshën më frymëzuese të Fakultetit Juridik. Ajo është themeluese e edukimit klinik (praktik) juridik në Republikën e Maqedonisë. Ka qenë drejtuese e Institutit për Shkenca Juridike dhe Juridiko-Politike dhe anëtare e administratës së Dekanatit, si dhe shefe e Departamentit të së Drejtës Kushtetuese dhe Sistemit Politik. Ajo është një nga themeluesit e studimeve politike dhe shkencave politike në vend. Në angazhimin e saj shoqëror ka qenë anëtare e Komisionit Kushtetues në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë (1991-1992); ministreshë pa resor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë (1992-1994); kryetare e Trupit Koordinues për Bashkëpunim me CEELI (Iniciativa Ligjore për Evropën Qendrore dhe Lindore ), 1992-1994, themeluar nga Shoqata e Avokatëve Amerikanë (American Bar Association – ABA); themelues dhe anëtar i Këshillit të Parë Maqedonas të Lëvizjes Evropiane; kryetare e Komitetit Nacional Maqedonas për Barazi Gjinore (1999-2002); Kryetare e Lobit të Grave, Grupi Punues për Çështjet Gjinore (2002-2004); Kryetare e Lëvizjes Qytetare të Maqedonisë (2004-2005); një nga themeluesit e Institutit Euro-Ballkan.

Në vitin 1991, ajo ishte anëtare e grupit të ekspertëve të Konferencës së Gjenevës për ish-Jugosllavinë. Që nga viti 1994 është pjesë e ekspertëve për çështjet gjinore në UNDP ndersa nga viti 1998 është eksperte për çështjet zgjedhore në OKB. Ajo ka qenë anëtare e Komitetit Drejtues për Demokracinë Lokale dhe Rajonale (CDLR), në Këshillin e Evropës (1996-2002). Është anëtare e Asociacionit Ndërkombëtar për të Drejtën Kushtetuese nga viti 1999 e deri më sot. Anëtare (nga viti 2002 deri në 2023) e Grupit të Ekspertëve të Pavarur për Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, Këshilli i Evropës, Strasburg, ku është nënkryetare (2004-2012). Në periudhën 2008-2016 ka përfaqësuar Republikën e Maqedonisë në Komisionin e Venecias. Ajo është fituese e shumë çmimeve, duke përfshirë kontributin e saj në sundimin e ligjit nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe një medalje për punën e saj drejt barazisë gjinore nga Unioni i Grave të Maqedonisë. Në vitin 2019, ajo ishte kandidate në zgjedhjet presidenciale të mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020, Siljanovska Davkova ishte bartëse e listës së kandidatëve për deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit në Njësinë Zgjedhore 1.

Si deputete e pavarur në kuadër të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, ajo u zgjodh kryetare e Komisionit për Barazi të Grave dhe Burrave, anëtare e Komisionit për Sistemin Politik dhe Komisionit për Arsim, si dhe Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane. Ajo është gjithashtu anëtare e Komitetit Drejtues për Bashkëpunim me Parlamentin Suedez dhe Komisionit për Bashkëpunim me Parlamentin e Izraelit. Ajo është zëvendës anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane dhe e delegacionit në OSBE. Ajo konsiderohet si një nga deputetet më aktive.

Gordana Siljanovska Davkova ka lindur më 11 maj 1953 në Ohër, është e martuar dhe ka dy fëmijë.