Republika e Maqedonisë së Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut gjendet në Evropën Juglindore, në qendër të Gadishullit Ballkanik dhe përfshin një sipërfaqe prej  25.713 km2.

Kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është Shkupi.

Territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i ndarë, administrativisht, në 80 komuna, prej të cilave 10 e përbëjnë Qytetin Shkup, si një njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Për qëllime statistikore, ekonomike dhe administrative, territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut është ndarë edhe në tetë rajone planore.   

Relievi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është kryesisht malor.

Republika e Maqedonisë së Veriut kufizohet me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Kosovës në veri, me Republikën e Bullgarisë në lindje, me Republikën e Greqisë në jug dhe me Republikën e Shqipërisë në perëndim. 

Të dhëna të tjera

Popullata

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me regjistrimin e fundit të zbatuar në vitin 2021, jetojnë 1.836.713 qytetarë.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut jetojnë përfaqësues të popullit maqedonas, si dhe qytetarë të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak, dhe të tjerë.

Gjuha

Në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër të cilën e flasin minimum 20% e qytetarëve është, gjithashtu, gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në përputhje me ligjin.

Valuta shtetërore

Denar

Klima

Republika e Maqedonisë së Veriut ka klimë mesatarisht kontinentale dhe mesdhetare, me katër stinë të veçanta të vitit. Përgjatë luginës së lumit Vardar dhe rajonit të Strumicës, klima është mesatarisht mesdhetare, kurse në brendësi të vendit klima është kryesisht kontinentale me verë të ngrohtë dhe të thatë dhe dimër të ftohtë dhe me reshje.

Zona kohore

UTC+1 (CET)

UTC+2 (CEST)

Sistemi politik dhe gjyqësor

Republika e shpalli pavarësinë pas referendumit të mbajtur më 8 shtator 1991.

Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social.

Pushteti shtetëror ndahet në pushtet ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqëson Republikën dhe është Komandanti suprem i forcave të armatosura të Maqedonisë së Veriut.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është organ përfaqësues i qytetarëve dhe mbartës i pushtetit ligjvënës në Republikë.

Kuvendin e përbëjnë nga 120 deri në 140 deputetë, të cilët zgjidhen në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është mbartëse e pushtetit ekzekutiv. Qeveria dhe çdo anëtar i saj zgjidhen në Kuvend dhe për punën e vet mban përgjegjësi para Kuvendit. Qeverinë e përbëjnë kryeministri dhe ministrat.

Pushtetin gjyqësor e zbatojnë gjykatat. Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut është edhe gjykata më e lartë në Republikë edhe e siguron unitetin në zbatimin e ligjeve nga gjykatat.

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut është organ i pavarur dhe sovran gjyqësor, që siguron dhe garanton pavarësinë dhe sovranitetin e pushtetit gjyqësor.

Prokuroria Publike është organi i vetëm dhe i pavarur shtetëror i cili i ndjek kryerësit e veprave penale dhe veprave të tjera të dënueshme të përcaktuara me ligj dhe kryen edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut është organi i Republikës i cili e mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.

Qytetarëve ua garanton të drejtën e vetëqeverisjes lokale.

Njësitë e vetëqeverisjes lokale janë komunat.

Simbolet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Emblema e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Emblema shtetërore është me karakter peizazh. Emblema e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfaqëson një fushë të rrethuar me kallinj gruri të cilët lidhen në majë, të gërshetuar me fruta afioni dhe gjethe duhani, që në fund janë të lidhura me një fjongo të zbukuruar me motive popullore. Në mes të fushë është vizatuar mal në rrëzë të të cilit rrjedh një lumë, kurse pas malit agon dielli.   

Flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut është miratuar në vitin 1995 dhe e simbolizon diellin me tetë rreze në sfond të kuq. Nga qendra në sfondin e kuq shtrihet dielli i artë me tetë rreze diellore, të cilat dalin nga disku diellor me zgjerim deri në skajet e flamurit. Rrezet e diellit kryqëzohen dhe përputhen me pikën ku priten diagonalet e flamurit. Raporti i gjerësisë dhe gjatësisë së flamurit është një në raport me dy.

Himni i Republikës së Maqedonisë së Veriut

„Sot mbi Maqedoni” është himni i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kompozuar në vitin 1941. Autor i tekstit është Vllado Maleski, kurse autor i muzikës Todor Skallovski. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është miratuar si himn i Republikës Socialiste të Maqedonisë në suazat e ish-Jugosllavisë, kurse në vitin 1992 është shpallur me ligj edhe për himn të Republikës së pavarur të Maqedonisë..

Sot mbi Maqedoninë

Sot mbi Maqedoninë lind,
dielli i ri i lirisë!
Maqedonasit luftojnë,
për të drejtat e veta!
Maqedonasit luftojnë,
për të drejtat e veta!
Përsëri po valëvitet flamuri,
mbi Republikën e Krushevës!
Goce Dellçev, Pitu Guli,
Dame Gruev, Sandanski!
Pyjet Maqedonase këndojnë,
këngë të reja, lajme të reja!
Maqedonia e lirë,
e lirë jeton!