Kompetencat e Presidentit

Të drejtat dhe obligimet

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqëson Republikën dhe është komandanti suprem i forcave të armatosura.

Të drejtat dhe detyrat e veta Presidenti i Republikës i ushtron në bazë dhe në suazat e Kushtetutës dhe ligjeve.

Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë dhe me mandat prej pesë vjetësh.

Para marrjes së detyrës, Presidenti i Republikës jep deklaratë solemne para Kuvendit me të cilën obligohet se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në shtet.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut:

  • dorëzon mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe të dërguarit e posaçëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë shtetit;
  • pranon letrat kredenciale dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë;
  • propozon dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të cilët i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • propozon Guvernatorin e Bankës Nacionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin e emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • emëron dhe shkarkon drejtorin e Agjencisë së Zbulimit;
  • emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës.
  • emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  • emëron dhe shkarkon mbartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj;
  • jep dekorata dhe tituj nderi në pajtim me ligjin;
  • jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Presidenti i Republikës nënshkruan dekretin për shpalljen e ligjeve me Kryetarin e Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpallje të ligjit. Kuvendi e shqyrton përsëri ligjin dhe nëse miratohet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës është i detyruar ta nënshkruajë dekretin. Presidenti është i detyruar ta nënshkruajë dekretin, nëse, sipas Kushtetutës, ligji miratohet me dy të tretat e shumicës së votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Presidenti i Republikës e informon Kuvendin për çështjet e kompetencave të tij së paku një herë në vit.