Kompetencat e Presidentit
Të drejtat dhe obligimet
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqëson Republikën dhe është komandanti suprem i forcave të armatosura.
Të drejtat dhe detyrat e veta Presidenti i Republikës i ushtron në bazë dhe në suazat e Kushtetutës dhe ligjeve.
Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë dhe me mandat prej pesë vjetësh.
Para marrjes së detyrës, Presidenti i Republikës jep deklaratë solemne para Kuvendit me të cilën obligohet se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në shtet.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut:
- dorëzon mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe të dërguarit e posaçëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë shtetit;
- pranon letrat kredenciale dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë;
- propozon dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të cilët i zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- propozon Guvernatorin e Bankës Nacionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin e emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- emëron dhe shkarkon drejtorin e Agjencisë së Zbulimit;
- emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës.
- emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- emëron dhe shkarkon mbartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj;
- jep dekorata dhe tituj nderi në pajtim me ligjin;
- jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
Presidenti i Republikës nënshkruan dekretin për shpalljen e ligjeve me Kryetarin e Kuvendit. Presidenti i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpallje të ligjit. Kuvendi e shqyrton përsëri ligjin dhe nëse miratohet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, Presidenti i Republikës është i detyruar ta nënshkruajë dekretin. Presidenti është i detyruar ta nënshkruajë dekretin, nëse, sipas Kushtetutës, ligji miratohet me dy të tretat e shumicës së votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Presidenti i Republikës e informon Kuvendin për çështjet e kompetencave të tij së paku një herë në vit.