Politika e brendshme
Në pjesën e politikës së brendshme, në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut:
- dorëzon mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- propozon dy gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
- emëron dhe shkarkon mbartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj;
- jep dekorata dhe tituj nderi në përputhje me ligjin;
- jep falje në përputhje me ligjin;
- kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të drejtat dhe detyrat e veta i kryen në bazë dhe në suazat e Kushtetutës dhe ligjeve.
Një pjesë e madhe e aktiviteteve të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në planin e brendshëm nuk është përcaktuar me Kushtetutën dhe me ligjet dhe del nga prioritetet e tij që i dedikohen mbështetjes së dialogut politik, promovimit dhe mbështetjes së aktiviteteve të të rinjve, si dhe projekteve dhe aktiviteteve në fushën e arsimit, shkencës, mbrojtjes së mjedisit jetësor, sektorit qytetar, bashkëpunimit ekonomik, përparimit të të drejtave të grupeve të lëndueshme në shoqëri dhe përmirësimit të inkluzionit.
Aktivitetet e Presidentit në plan të brendshëm përfshijnë:
- vizita në nivel lokal – komuna, bashkësi lokale, institucione arsimore dhe kulturore etj.;
- takime me qytetarë në Kabinet dhe në mjediset ku jetojnë dhe punojnë ata;
- pjesëmarrje në konferenca dhe manifestime të tjera në shtet;
- mbajtje të ligjëratave në evenimente në shtetin tonë;
- dhënie të bursave në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës;
- aktivitete lidhur me promovimin e shkencës maqedonase dhe inovacionit;
- inicim dhe realizim të projekteve në bashkëpunim me institucionet shkencore-arsimore dhe me organizatat qytetare në shtet;
- mbështetje të evenimenteve sportive dhe kulturore;
- nxitje dhe mbështetje të dialogut politik.
Përveç angazhimit personal të Presidentit edhe anëtarët e Kabinetit në emrin e tij, janë angazhuar, gjithashtu, në promovimin dhe në realizimin e prioriteteve të përcaktuara nëpërmjet pjesëmarrjes në punën e komisioneve, trupave koordinues dhe grupeve ndër resurseve në nivel të vendit, duke dhënë propozime, sugjerime dhe ide në emër të presidentit.
Bashkëpunimi me sektorin qytetar
Zhvillimi i sektorit qytetar ka rëndësi të jashtëzakonshme mbi zhvillimin e vlerave demokratike të një vendi, si dhe mbi ngritjen e vetëdijes publike. Kontributi i sektorit qytetar për promovim dhe për ndërtim të kulturës qytetare është edhe reflektim i bashkëpunimit me institucionet shtetërore.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me organizatat qytetare përpiqet vazhdimisht për zhvillimin e shoqërisë qytetare dhe për përmbushjen e nevojave të qytetarëve që të kenë jetë më cilësore dhe të ardhme më të mirë. Fushat e bashkëpunimit me organizatat qytetare janë të ndryshme, si projektet humane dhe humanitare, arsimi, kultura, ekologjia, grupet e margjinalizuara dhe personat me aftësi të kufizuara, demokracia dhe e drejta qytetare.