Republika e Maqedonisë së Veriut në planin ndërkombëtar

Anëtarësimi i plotë i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimi dhe përparimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal, janë qëllime strategjike dhe afatgjate në politikën e jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Republika e Maqedonisë së Veriut synon dhe e realizon politikën e transparencës ndaj të gjithëve, lidhjen rajonale dhe zmadhimin e bashkëpunimit midis vendeve.

Nëpërmjet politikës së jashtme – në plan bilateral, rajonal dhe multirajonal – shteti i promovon aktivisht vlerat dhe interesat e veta nacionale, i përgatitur që të kontribuojë në ballafaqimin me sfidat rajonale, por edhe me sfidat e botës së globalizuar.

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e plotfuqishme në Kombet e Bashkuara nga viti 1993. Në periudhën 2014-2016 shteti ishte anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në OKB. Ish-ministri i punëve të jashtme, Sërgjan Kerim, ishte president i Kuvendit të Përgjithshëm të 62-të të Kombeve të Bashkuara në vitin 2007.

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Këshillit të Evropës nga viti 1995.

Nga maji deri në nëntor 2010 shteti për herë të parë ka drejtuar Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e Organizatës së sigurimit dhe Bashkëpunimit të Evropës (OSBE) në vitin 1995.

Në vitin 2003 Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e Organizatës Botërore Tregtare.

Republika e Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 është anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Me dekretin e Presidentit Pendarovski, në dhjetor të vitit 2019, ambasadori Pajo Aviroviq është vendosur në detyrën I dërguari special i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Përhershëm të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Republika e Maqedonisë së Veriut është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga viti 2005. Marrëdhëniet e tërësishme diplomatike me Bashkimin Evropian janë vendosur në vitin 2005. Në vitin 2001 është nënshkruar Marrëveshja për stabilizim dhe asociim. Në vitin 2004 shteti ka dorëzuar kërkesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas finalizimit të përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshilli Evropian i ka dhënë shtetit statusin kandidat për anëtarësim. Nga viti 2009 Komisioni Evropian rekomandon në vazhdimësi fillimin e negociatave aderuese për anëtarësim. Në mars të vitit 2020 Këshilli Evropian e miratoi vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe takimit për hapjen e skriningun, që u mbajtën në Bruksel më 19 korrik 2022, u shënua fillimi i negociatave aderuese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s nga viti 2020.  Në vitin 1993 Kuvendi mori vendim për hyrjen e shtetit në anëtarësi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në vitin 1995 shteti iu bashkëngjit programit të NATO-s – Partneriteti për paqe, kurse në vitin 1999 e filloi Planin aksionar për anëtarësim. Më 11 korrik 2018, NATO-ja i dërgoi ftesë Republikës së Maqedonisë së Veriut për fillim të bisedimeve për anëtarësim. Formalisht, negociatat për anëtarësim filluan më 18 tetor 2018. Më 6 shkurt 2019, përfaqësuesit e përhershëm në NATO të vendeve anëtare e nënshkruan protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut  në NATO. Protokolli i aderimit është ratifikuar në të gjitha shtetet anëtare të NATO-s. Më 11 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi Ligjin për ratifikimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut, kurse një ditë më vonë Presidenti Pendarovski e nënshkroi dekretin për shpalljen e tij. Më 20 mars 2020 Presidenti Pendarovski e nënshkroi Instrumentin për hyrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s nga 27 marsi 2020, pasi në Uashington është deponuar instrumenti për hyrje në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

Republika e Maqedonisë së Veriut është përfshirë në iniciativa të shumta rajonale, siç janë Iniciativa qendrore evropiane, Procesi i bashkëpunimit në Evropën Juglindore, Procesi Bërdo-Brioni etj.

Republika e Maqedonisë së Veriut jep kontributin në paqen botërore nëpërmjet pjesëmarrjes në misionet paqësore ISAF në Afganistan, Liria për Irakun, ALTEA në Bosnjë dhe Hercegovinë. Mbështetje vendimtare në Afganistan, UNIFIL në Liban dhe Mbështetje për KFOR-in në Kosovë.

Marrëveshja e Prespës

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Greqisë më 17 qershor 2018 e nënshkruan Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shfuqizim të Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneriteti strategjik midis palëve.

Me këtë marrëveshje është tejkaluar dallimi rreth emrit të shtetit tonë dhe u shfuqizua Marrëveshja e përkohshme midis palëve, e nënshkruar në Nju-Jork, më 13 shtator 1995.

Në përputhje me këtë marrëveshje, emri zyrtar i shtetit tonë është Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia është maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut emërtohet si gjuha maqedonase. Republika e Greqisë ra dakord të mos kundërshtojë kërkesat për anëtarësim apo anëtarësimin e shtetit tonë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja hyri në fuqi më 12 shkurt 2019, pasi Kuvendi i miratoi amendamentet XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligjin kushtetues për zbatim të amendamenteve nga XXXIII deri te XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.