Politika e jashtme

Politika e jashtme është një nga fushat ku Presidenti ka kompetenca në lidhje me drejtimet strategjike të vendit, përfaqësimin e tij jashtë, mënyrën se si bëhet politika e jashtme, mundësitë për bashkëpunim të ri, si edhe vendosjen e kuadrit të diplomacisë.

Në nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut shkruhet se Presidenti “e përfaqëson Republikën. Presidenti i Republikës është komandanti suprem i forcave të armatosura të Maqedonisë. Presidenti i Republikës, të drejtat dhe detyrat e veta i kryen në bazë dhe në suazat e Kushtetutës dhe të ligjeve”.

Rolin e Presidentit në përfaqësimin e Republikës e përcaktojnë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për punët e jashtme.

Në përputhje me të drejtën dhe ndërkombëtare dhe zakonet, si përfaqësuesi më i lartë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Presidenti e përfaqëson shtetin në suaza ndërkombëtare, sidomos në kontaktin dhe komunikimin me shtetet e tjera dhe me organizatat ndërkombëtare. Gjithmonë kur Presidenti qëndron në vizitë zyrtare apo pune në një shtet të huaj, ai e përfaqëson Republikën e Maqedonisë së Veriut, kurse deklaratat zyrtare të Presidentit janë edhe qëndrim zyrtar i shtetit të Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh se Presidenti zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta dhe se mandatin e tij e marr drejtpërdrejt nga qytetarët, Presidenti ka përgjegjësi më të madhe në përfaqësimin e shtetit jashtë shtetit.

Presidenti i Republikës është i pari midis katër organeve për kryerjen e punëve të jashtme (së bashku me Kuvendin, Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme). Këto organe i përcaktojnë drejtimet, marrin dhe miratojnë vendime mbi aktivitetet dhe mbi qëndrimet, dhe i realizojnë me bashkëpunim të ndërsjellë të harmonizuar të gjitha aktivitetet shtetërore lidhur me punët e jashtme. Organet e ushtrimit të punëve të jashtme e krijojnë, përcaktojnë dhe e zbatojnë politikën e jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Presidenti, Kryeministri dhe Ministri e përfaqësojnë shtetin në marrëdhëniet ndërkombëtare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe zakonet.

Njëkohësisht, Presidenti Pendarovski:

– merr pjesë në krijimin e politikës së jashtme në bashkëpunim me Qeverinë nëpërmjet përcaktimit të drejtimeve të përgjithshme të politikës së jashtme, duke përfshirë edhe çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare me implikime mbi sigurinë dhe mbrojtjen e vendit;

– e ndjek zbatimin e politikës së jashtme dhe për rezultatet dhe për mosmarrëveshjet eventuale me organet e tjera për zbatimin e punëve të jashtme mund ta informojë Kuvendin;

– jep propozime dhe merr pjesë në marrjen e qëndrimeve për çështje të caktuara të politikës së jashtme që janë në kompetencën e tij, duke përfshirë edhe aspektet e sigurisë dhe të mbrojtjes të cilat dalin nga marrëdhëniet ndërkombëtare;

– emëron dhe shkarkon, me dekret, ambasadorët dhe të dërguarit e posaçëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë shtetit në procedurë të përcaktuar me Ligjin për punët e jashtme;

– jep pëlqimin për dhënie  agrementit shefit të përfaqësisë së huaj diplomatike.

– pranon letrat kredenciale dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë në procedurë të përcaktuar me Ligjin për punët e jashtme.