Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në sesionin plenar të takimit të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni, që mbahet në Tivat, Mali i Zi.
Në fjalimin e vet, Presidentja Siljanovska Davkova foli mbi eurointegrimet, si sfida me prioritet për vendet e rajonit. Sipas saj, dhoma e pritjes e Bashkimit Evropian e quajtur Ballkani Perëndimor do të zbrazet vetëm në dy mënyra: Me integrimin e vendeve të këtij rajoni gjeopolitik në BE ose nëpërmjet shpërnguljes së njerëzve, sidomos të të rinjve, të cilët, siç tha, janë të lodhur nga pritja për anëtarësim të shteteve të tyre në Bashkimin Evropian dhe se integrohen me procedurë të përshpejtuar, në rrugë të shkurtër, jo rrallë edhe me pasaportë të një shteti tjetër.
Sipas Presidentes, kërcënimi i tillë demografik është i rrezikshëm jo vetëm për ekonominë, por edhe për demokracinë, sepse, siç theksoi ajo, gjithnjë e më pak qytetarë do të thotë gjithnjë e më pak presion ndaj autoriteteve për reformat evropiane, për shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, për vlerat demokratike dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Procesi Bërdo Brioni duhet të na ndihmojë që kjo sallë pritjeje që quhet Ballkan Perëndimor të zbrazet nëpërmjet integrimit të shteteve, dhe jo duke migruar qytetarët. Procesi do ta përmbushë qëllimin e tij kur shteti i fundit i mbërthyer në këtë rajon gjeopolitik të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit dhe kur t’ia dorëzojmë historisë zhargonin e Ballkanit Perëndimor dhe atë jo më vonë se 2030”, tha Presidentja Siljanovska Davkova.
Presidentja theksoi se është e nevojshme që të gjitha vendet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se progresi drejt BE-së është rezultat i arritjes së reformave dhe kritereve evropiane që lidhen me legjislacionin evropian.
“Si një vend i përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhebashkëpunimit rajonal, ne i respektojmë marrëveshjet bilaterale me fqinjët tanë dhe presim që fqinjët tanë të respektojnë marrëveshjet pa keqpërdorur të drejtën e vetos”, tha Presidentja.
Ajo u vuri në dukje liderëve të procesit Bërdo-Brioni nevojën e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes rajonale për njëri-tjetrin, sipas shembullit të vendeve skandinave, duke theksuar se kjo është e nevojshme që të fokusohemi në problemet kyçe të rajonit.
“E përmenda tashmë shpërnguljen e të rinjve. Do t’i shtoj kësaj nevojën për infrastrukturë, energji dhe lidhje digjitale, të cilat do ta ndihmojnë rajonin të bëhet më konkurrues në tregun më të gjerë evropian dhe global. Plani i Bashkimit Evropian për rritjen e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë instrument nga i cili të gjitha shtetet e rajonit, pavarësisht nga niveli i procesit të integrimit evropian, të kenë përfitime të barabarta. Por një problem edhe më serioz është në horizont, kurse ky është ndryshimi i klimës”, tha Presidentja.
Sipas presidentes maqedonase, riintegrimi evropian, përkatësisht ribashkimi, është i paplotë pa ne, sepse ndarja midis perëndimit dhe lindjes është artificiale dhe duhet të tejkalohet. Siç theksoi, integrimi i plotë i Ballkanit në BE do t’i japë fund rivizatimit të pafund të kufijve, si dhe ballkanizimit si fenomen.
Në deklaratë pas takimit, Presidentja theksoi se tubimi u zhvillua në atmosferë miqësore dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe mbështetjes rajonale, duke theksuar se nuk mund të presim respekt dhe mirëkuptim nga anëtarët e BE-së nëse nuk kuptohemi. Ajo e theksoi rolin kryesor të nismëtarëve të Procesit Bërdo-Brioni, Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe shprehu shpresën për vazhdimin e zërit të tyre në procesin e ribashkimit apo riintegrimit tonë në Evropë.
Në samitin e sotëm, krerët e delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brioni miratuan Deklaratën, me të cilën e konfirmuan besimin e tyre të palëkundur se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është rruga më premtuese dhe e pazëvendësueshme për në Evropë, duke theksuar domosdoshmërinë e hapave të guximshëm për sigurimin e stabilitetit afatgjatë në kontinent dhe për krijimin e kushteve që të rinjtë të qëndrojnë në rajon dhe të përparojnë në shoqëri të drejta, me prosperitet dhe të qëndrueshme.