Presidentja Siljanovska Davkova në Forumin e 12 global në Baku: BE-ja mbetet qëllimi ynë strategjik, kurse SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partneri ynë strategjik

13 Mars 2025 | Fjalimet, Kumtesat

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në Forumin e 12 global në Baku, në sesionin me temë “Pakti për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara: ndërtimi i një konsensusi të ri global”.

Ajo bëri thirrje për reforma thelbësore të cilat do t’i bëjnë institucionet globale më legjitime, më të drejta, më efektive dhe më konsistente në përmbushjen e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ajo, theksoi, njëkohësisht, se edhe pse janë të vjetërsuara, Kombet e Bashkuara janë, megjithatë, organizata e vetme e cila, përveç se ka legjitimitet universal, ka edhe potencial që t’i drejtojë problemet.
Në fjalim e riafirmoi anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si qëllim strategjik i shtetit. Por theksoi se nuk e anashkalojmë edhe partneritetin tonë strategjik me SHBA-në.

Kërkoi një rrugë të qartë integrative, të bazuar në parime dhe rregulla.

Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
Të nderuar shkëlqesi
Zonja dhe zotërinj,

I falënderoj nikoqirët tanë të Qendrës ndërkombëtare “Nizami Ganxhavi” për ftesën e përzemërt që të marr pjesë në Forumin e 12-të global.

Ky Forum global në Baku mbahet në periudhën midis përvjetorëve të dy konferencave të rëndësishme. Në shkurt përfunduan 80 vjet nga Konferenca në Jalta, në të cilën u vendosën kufijtë e rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore. Në prill do të përfundojnë 80 vjet nga fillimi i Konferencës në San Francisko, në të cilën edhe formalisht u vendos ka rend me Kombet e Bashkuara si qendra e tij.

80 vjet më vonë, është ende e vështirë të përfytyrohet bota pa Kombet e Bashkuara. Por, pothuajse është e pamundur të përfytyrohet krijimi i Kombeve të Bashkuara në këtë vit 2025 sipas qëllimeve ambicioze të vitit 1945.

Pse është, kështu?

Organizata botërore ishte dizajnuar për epokën e cila prej shumë vitesh është pas nesh me një kompleksitet më të vogël dhe me një parashikim më të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Prej atëherë, bota ka kaluar nëpër një transformim të madh gjeopolitik, gjeoekonomik, shkencor, teknologjik dhe industrial. Është zmadhuar numri i vendeve anëtare dhe i popullsisë botërore, globalizimi është thelluar dhe sfidat janë shumuar. Por kompetencat, strukturat dhe procedurat e Kombeve të Bashkuara mbetën kryesisht të ngrira në kohën e themelimit të saj në 1945. Janë humbur shumë mundësi për reformat e domosdoshme. Instrumentet e vjetruara multilaterale të Kombeve të Bashkuara nuk janë më në gjendje t’u përgjigjen sfidave aktuale gjeopolitike, ekonomike, ekologjika, demografike dhe teknologjike.

Rrallëherë kemi pasur nevojë për Kombet e Bashkuara sa sot. E megjithatë, rrallëherë Kombet e Bashkuara kanë qenë kaq të margjinalizuara politikisht sa janë sot.
Që të korrigjojmë disa nga mangësitë, shtatorin e kaluar u mblodhëm në Nju-Jork, në Samitin e së Ardhmes, për të miratuar Paktin për të Ardhmen. Pakti, së bashku me Marrëveshjen Globale Digjitale dhe Deklaratën për Brezat e Ardhshëm, ofroi vizion për multilateralizëm që në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë do të mund të përmbushte tri qëllimet kryesore të OKB-së – paqen dhe sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Por, ende pa u miratuar, Pakti u ballafaqua me një kritikë të dyfishtë të pritjeve shumë të vogla dhe shumë të mëdha.

Nga njëra anë, disa idealistë pohonin se Pakti nuk është sa duhet i fuqishëm për të qenë eliksiri që do ta rinovonte organizatën tonë 80-vjeçare.

Nga ana tjetër, disa realistë e konsideronin Paktin si një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar rendin e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, rrënojat e të cilit janë rreth nesh. Në vend të multilateralizmit, kemi multipolarizim dhe rivalitet gjeopolitik në rritje. E drejta ndërkombëtare është gërryer nga standardet e dyfishta. Po shpërthejnë konflikte të reja për resurset, ujin, energjinë dhe mineralet e rralla. Lufta kundër natyrës duket sikur është e humbur që më parë. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë bërë të paparashikueshme. Në vend të paqes së përjetshme të Kantit, për të cilën ëndërronin disa nga autorët e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ne duket sikur ndodhemi në një gjendje parahobesiane.

Megjithatë, pavarësisht këtyre kritikave, Pakti u miratua si një konsensus global i ndërtuar me kujdes rreth dy çështjeve kryesore.

Së pari, edhe pse të vjetruara, Organizata e Kombeve të Bashkuara mbeten e vetmja organizatë që, përveç legjitimitetit universal, ka përvojën e akumuluar, njohuritë dhe potencialin që të adresojë problemet, që të mobilizojë opinionin global, që të koordinojë proceset e hartimit të politikave dhe të marrjes së vendimeve, si dhe që të ndihmojë në zbatimin e tyre.

Së dyti, janë të domosdoshme reforma thelbësore të cilat do t’i bëjnë institucionet globale më legjitime, më të drejta, më efektive dhe më konsistente në përmbushjen e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit duhet të zgjerohet, të reformohet dhe të demokratizohet në mënyrë që të jetë më i përgjegjshëm dhe më transparent në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Asambleja e Përgjithshme duhet ta zërë vendin e saj të vërtetë si organi kryesor përfaqësues, jo vetëm për debat, por edhe për krijimin e politikave. Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të bëhen të detyrueshme për të gjitha shtetet. Vetëm kështu Kombet e Bashkuara do të jenë në gjendje t’u përgjigjen sfidave aktuale gjeopolitike, ekonomike, mjedisore, klimatike, teknologjike dhe demografike.

Pakti për të Ardhmen është një lloj marrëveshjeje globale shoqërore, një kontratë e re në frymën e Rusosë, e cila duhet të përforcojë sistemin multilateral me Kombet e Bashkuara në thelbin e tij.
Por, që në muajt e parë, kjo marrëveshje globale shoqërore është përballur me një sfidë të re. Pyetja që shumëkush sot po e shtron nuk është nëse Pakti për të Ardhmen do të jetë i suksesshëm, por a do të arrijë ta mbijetojë vitin 2025. A do të arrijë të mbijetojë në rrethanat e reja gjeopolitike dhe, nëse mbijeton, a do të bëhet pikë referimi për rinovimin e Kombeve të Bashkuara, apo do të reduktohet në një dokument tjetër ambicioz, por të vonuar, që do të mbledhë pluhur në arkivat e East River?

Kjo varet nga dy gjëra.

Së pari, nëse shtetet do t’i përmbushin angazhimet e marra. Së dyti, nëse do të heqin dorë nga standardet e dyfishta. Pse pikërisht standardet e dyfishta? Sepse ato janë thembra e Akilit për multilateralizmin. Zbatimi selektiv, në vend të atij universal, i rregullave dhe parimeve ndërkombëtare, vë në pikëpyetje universalitetin e vetë parimeve.

Me vetëm një ilustrim, do të ndalem te kontinenti im dhe te vendi im.

Ajo që Kombet e Bashkuara janë për botën, është Bashkimi Evropian për Evropën – një projekt multilateral me një qëllim suprem – paqen në kontinent. Këtë e realizon nëpërmjet politikës së zgjerimit me vende të reja anëtare që i plotësojnë kriteret e Kopenhagës. Si mishërim i multilateralizmit, Bashkimi Evropian ka për detyrë ta mbrojë multilateralizmin në mënyrë të paanshme dhe të qëndrueshme. Por, rruga evropiane e shtetit tim është e shtruar me standarde të dyfishta, me kërkesa dhe kushte të reja që nuk u janë vendosur shteteve të tjera.

Para pak kohe, në një nga panelet e Konferencës së Sigurisë në Munih, Kryeministri maqedonas bëri një pyetje retorike: pse, kur Rusia e mohoi identitetin dhe gjuhën ukrainase, e gjithë Evropa u ngrit në mbrojtje të Ukrainës, ndërsa kur një shtet anëtar i Bashkimit Evropian mohoi identitetin dhe gjuhën maqedonase, të gjithë heshtin? Përgjigjja e moderatorit të panelit ishte: “sepse ju nuk jeni të sulmuar”. Domethënë, duhet të veprojmë “ex ante” dhe jo “post festum”.

Për hir të së vërtetës, nuk heshtin, por kërkojnë që t’i pranojmë kushtet e padrejta dhe të negociojmë për identitetin tonë kombëtar, për gjuhën tonë, kulturën tonë, historinë tonë, madje edhe për rendin tonë kushtetues.

Si një shtet i vogël, ne nuk heqim dorë nga qëllimi ynë strategjik – anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Përndryshe, ne jemi pjesë natyrore e Evropës: gjeografikisht, historikisht, në aspektin kulturor. Nëse jemi pjesë integrale e Evropës dhe nëse e perceptojmë veten si evropianë, atëherë ribashkimi evropian nuk mund të përfundojë pa ne. Ai është simfoni e papërfunduar pa ne. Nuk heqim dorë as nga partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse, pavarësisht tronditjeve aktuale, besojmë në rëndësinë e një transatlantizmi efektiv, të bazuar në rregulla dhe parime ndërkombëtare. Por, gjithashtu, jemi të vetëdijshëm se gjithmonë, para se të shkelen kufijtë fizikë, shkelen parimet dhe vlerat. Standardet e dyfishta krijojnë precedentë që më pas shndërrohen në rregulla. E kur bëhen kompromise me rregullat dhe parimet ndërkombëtare dhe me të drejtën ndërkombëtare, komprometohen Kombet e Bashkuara, zhvlerësohet Kartën e OKB-së dhe minohet rendi ndërkombëtar.

Prandaj, t’i rikthehem pyetjes: A do ta mbijetojë Pakti për të Ardhmen këtë vit 2025?

Nuk është hera e parë që ndodhemi në një situatë të tillë. Edhe gjenerata që para 80 vitesh i themeloi Kombet e Bashkuara u përballua me dyshime dhe frikë se eksperimenti i tyre i madh multilateral do të përfundonte me fatin e Lidhjes së Kombeve. E megjithatë, ata nuk u dorëzuan dhe e krijuan Organizatën. Ngjashëm me ta, edhe ne jemi të ndarë midis dëshirës për paqen e përjetshme të Kantit dhe rrezikut real nga lufta e të gjithëve kundër të gjithëve, sipas Hobsit. Dhe, në vend që të bëhemi idealistë naivë apo makiavelistë të ashpër, duhet me shpresë realiste ta mbajmë gjallë këtë konsensus global.

Këtë e them si Presidente e një shteti që shumë herë e ka ndjerë barrën e standardeve të dyfishta, të marrëveshjeve të shkelura dhe të premtimeve të pambajtura. Shtetet e vogla duhet të jenë zërat më të fuqishëm dhe mbështetësit më të mëdhenj të këtij pakti.

Çfarë na pret nëse e humbasim këtë mundësi? A do të kemi, në vend të Kombeve të Bashkuara, kombe të përçarë, të shndërruar në një relikt të së kaluarës, të bllokuara nga vetoja dhe të paralizuara nga krizat dhe sfidat e shumta? A do të përballohemi me ndarjen e botës në zona ndikimi dhe interesash, me rend paralel që graviton rreth qendrave të ndryshme gjeopolitike, secila me sistemin e vet të vlerave, rregullave dhe parimeve, secila me matjen e vet për të drejtat dhe liritë e njeriut? A do të jetojmë në një botë pa vlera universale dhe pa vetëdije e kujdes për të mirat globale dhe për të ardhmen e atyre që ende nuk janë lindur? Kjo është diçka që nuk duhet ta lejojmë.

Ju faleminderit.

 

Категории

Categories

Kategori

Последни вести

Latest news

Lajmet e fundit

Thirrje për akreditim të ekipeve të mediave

Thirrje për akreditim të ekipeve të mediave

Ju informojmë se më 7 maj 2025, të mërkurë, në vend, në vizitë zyrtare do të qëndrojë, Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq. Mediat e interesuara për ndjekjen e vizitës zyrtare, nevojitet që të akreditohen maksimum deri më5 maj 2025, e hënë, deri në...