Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot mbajti fjalim në Akademinë solemne, që me rastin e festës shtetërore “Shën. Klimenti i Ohrit” që u mbajt në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi.
Në vijim është teksti i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
I nderuar Kryepeshkop i Ohrit dhe Maqedonas, z.z. Stefan,
I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Afrim Gashi,
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë, deputetë, përfaqësues të pushtetit gjyqësor, akademikë dhe dinjitarë të kishës,
Shkëlqesitë tuaja,
Të nderuar bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,
Të dashur miq,
“Nëse jeta e njeriut vlerësohet sipas asaj që do të mbetet pas tij dhe sipas qëndrueshmërisë së veprës së tij – atëherë, me të vërtetë, e madhe është vepra e shenjtorit Kliment. Sepse, edhe pas 11 shekujsh, ajo qëndron ende … vepra e tij ka karakter gjithëpërfshirës universal – dhe nga aspekti fetar, i krishterë edhe nga aspekti kulturor dhe shkencor.” Me këto fjalë, para pak kohe, i sapo ndjeri Mitropoliti i Dibër-Kërçovës i z.Timotej na e afroi nxënësin më të madh të Shën. Kirilit dhe Metodij.
E dimë se pas Misionit në Moravë, Shën. Klimenti u kthye në Ballkan, dhe është dërguar në rajonet tona në rajonin e Kutmiçevicës, së pari si misionar dhe mësues kurse mandej edhe si peshkopi i parë sllav. Këtu Shën. Klimenti ka gjetur një popull i cili ishte i zhytur në padituri dhe në varfëri, dhe i cili udhëhiqej sipas ligjit më i fuqishmi në vend të rregullit të artë.
I ballafaquar me një gjendje të tillë, Shën. Klimentin, nuk e ka zënë gjumi në sytë e tij, nuk e ka zënë dremitja në qerpikët e tij, dhe kujdesin për popullin e ka konsideruar si ushqimin dhe ëmbëlsimin e vet. Dhe gjithmonë ka mësuar, dhe gjithmonë ka vendosur rend, duke e tejkaluar mosdijen dhe për të gjithë ka bërë gjithçka sipas nevojës së secilit.
Për vetëm tri dekada, Shën. Klimenti, së bashku me Shën. Naumin e Ohrit, ka arritur ta transformojë periferinë e prapambetur në një qendër të zhvilluar të shkrim-leximit, spirituales dhe artit. Nga Shkolla Letrare e Ohrit dolën 3500 nxënës të cilët u bënë mësues të sllavishtes. Manastiret e tij u bënë roje të vazhdimësisë kohore dhe hapësinore të gjuhës maqedonase. Një shekull më vonë, vetë Ohri u ngrit në gradën e një kryepeshkopate që kujdesej për nevojat shpirtërore dhe të shenjta të njerëzve. Shumë nga kryepeshkopët e saj ishin mendimtarë të lartë, ndërtues, diplomatë, paqebërës, zëri i të cilëve u dëgjua dhe u respektua në të gjithë igumeninë ortodokse.
Por ndoshta vepra më e madhe e Shën. Klimentit është ngritja shpirtërore dhe etike e popullit. Me fjalët dhe me mësimet e veta, ai ka këmbëngulur të ndërtojë një njeri të ri, me shprehi fisnike të reja. Pothuajse nuk ekziston asnjë predikim i Shën. Klimentit pa thirrje për sjelle me përgjegjësi ndaj më të afërmve të cilët vuajnë. Qëllimi i tij ka qenë të ndihmojë njerëzit që të bëhen të vetëdijshëm jo vetëm për nevojat dhe mundimet e veta por edhe të të tjerëve.
Ja çfarë thotë Shën. Klimenti në një nga fjalimet e tij: “Mos bëni të keq dhe të mësoni të bëni të mirë, të kërkoni drejtësi dhe të shpëtoni të shtypurin; gjyko me drejtësi dhe mbroji jetimët dhe të vejat.” Sepse ky është pendimi i vërtetë, kur ne urrejmë çdo padrejtësi dhe e bëjmë atë të neveritshme për ne…”
Ky është vetëm një nga citimet e shumta biblike që Shën. Klimenti i përdor që t’i ballafaqojë dëgjuesit me dënimin biblik të padrejtësisë sociale ndaj kategorive të lëndueshme, diçka që është e përbashkët për të gjitha fetë abrahamike. Dhe ne sot, pavarësisht nëse jemi të krishterë, myslimanë, hebrenj, ateistë, pavarësisht nëse jemi maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë, romë, boshnjakë e të tjerë, duhet të jemi njësoj të bashkuar rreth këtyre angazhimeve të Shën. Klimentit dhe t’i ndihmojmë kategoritë moderne të lëndueshmeve, të rasteve sociale, të të pastrehëve, të refugjatëve, të viktimave të dhunës në familje, të punëtorëve të paparaqitur.
Shën. Klimenti e ka praktikuar atë që e ka predikuar. Jo rastësisht Kryepeshkopi i Ohrit Teofilakti shkruan se Shën. Klimenti ishte “babai i jetimëve dhe ndihmuesi i të vejave”, duke i mbajtur portat e shtëpisë së tij “të hapura për çdo të varfër dhe asnjë i huaj nuk mbetej jashtë tyre”. Falë angazhimeve të tij janë hapur kuzhina popullore, jetimore, shtëpi për pleqtë, spitale për trupin dhe shpirtin, përkatësisht ajo që sot quhet mbrojtje sociale dhe shëndetësore.
Me fjalët, mësimet, jetën e tij, por mbi të gjitha me shembullin e tij personal, Shën. Klimenti e ka tredhur egoizmin UNË dhe IM midis popullit dhe e shartoi fisnikëruesen NE dhe JONË. Ai e zhvilloi ndërgjegjësimin e njerëzve se duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, për të qenë të drejtë dhe solidarë. Kështu, Shën. Klimenti i dha popullit një busull shpirtërore dhe etike, që të mund të lundrojë më lehtë nëpër shekujt e ndryshimit të perandorive, qeverive dhe sistemeve dhe të mbijetonin gjatë viteve të propagandës, konfliktit dhe ndarjes.
Jo vetëm të krishterët, por edhe anëtarët e feve të tjera mund të identifikohen me këto vlera universale, njerëzore.
Jo rastësisht, Shën. Klimenti i Ohrit u bë autoriteti më i madh shpirtëror jo vetëm për kishën tonë lokale ortodokse, por edhe për shtetin laik maqedonas dhe për shoqërinë multietnike dhe multifetare maqedonase.
Jo rastësisht pikërisht nga Maqedonia e kanë prejardhjen një numër i madh i afreskave dhe ikonave të vjetra me imazhin e tij.
Jo rastësisht, Shën. Klimenti ishte një frymëzim për rilindësit dhe shkrimtarët maqedonas dhe një obsesion i brezave të historianëve, gjuhëtarëve, sllavistëve dhe maqedonistëve që i kushtuan atij mijëra vepra letrare dhe shkencore.
Jo rastësisht, ai është mbrojtës i disa shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, fakulteteve, bibliotekave dhe një universiteti shtetëror.
Më shumë se popujt e tjerë fqinjë, kombi maqedonas ia detyron ekzistencën dhe mbijetesën e tij Shën. Klimentit të Ohrit.
Megjithatë, 11 shekuj më vonë, nuk mund të mos vërejmë se vlerat dhe zakonet e rrënjosura nga Shën. Klimenti po zhduken para syve tanë. Jetojmë në një kohë të marrëdhënieve të trazuara ndërpersonale. Në vend të humanizmit dhe bujarisë, gjithnjë dhe më i shpërhapur është obsesioni me paranë, statusin dhe dashurinë për veten si qëllime që justifikojnë të gjitha mjetet. Kjo është një kohë në të cilën të ndershmit injorohen ndërsa të harbuarit imitohen. Në Evropë jemi ndër të fundit për nga niveli i vullnetarizmit dhe aktivizmit qytetar. Ashtu si korrupsioni kërcënon sundimin e ligjit, ashtu edhe shfrytëzimi ndot tokën, ujin dhe ajrin. Jemi dëshmitarë të një gare dekadash për të uzurpuar hapësirën publike dhe për të përvetësuar të mirën e përbashkët. Dhe e gjitha kjo në dëm të të ardhmes së brezave të rinj. Mjafton të kujtojmë trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rrezikuar të rajonit të Ohrit të UNESCO-s, i cili ishte qendra e veprimtarisë shpirtërore dhe arsimore të Shën. Klimentit.
Këto kushte nuk janë aktuale, por na ndjekin prej vitesh e dekadash. Por tani ato po marrin përmasa alarmante. Arsyet nuk duhet t’i kërkojmë vetëm te vetja Bllokadat dhe bilateralizimi i integrimit evropian na kanë mbërthyer në këtë periferi evropiane të quajtur çuditërisht Ballkan Perëndimor, prej nga po largohen masivisht të rinjtë tanë.
Në një farë mënyre, është sikur po kthehemi në kohët e para-Klimentit dhe po shndërrohemi me shpejtësi në një shoqëri në të cilën njerëzoret NE dhe JONA po shtypen nga egoistet UNË dhe IM.
Të nderuar të pranishëm, të dashur bashkëqytetarë,
Përpara nesh është detyra e madhe që këtë periferi tonën ta kthejmë në një qendër edukimi, ekonomie, kulture e arti, inovacioni e krijimtarie. Ne duhet të punojmë shumë dhe me vetëmohim në çdo fushë, të zhvillojmë ekonominë, të sigurojmë shtetin ligjor, të ndërtojmë sisteme dhe institucione funksionale. Por që të gjitha këto përpjekje të lëshojnë rrënjë dhe të japin fryte, duhet t’u kthehemi përsëri mesazheve të përjetshme të Shën Klimentit.
Ndonëse janë shkruar në gjuhë arkaike, fjalët e tij flasin për tema aktuale. Për drejtësinë kundër padrejtësisë dhe për solidaritetin kundër egoizmit.
Vlera e parë është drejtësia. Drejtësia e Shën. Klimentit nuk kufizohet në respektimin fjalë për fjalë të ligjeve shtetërore. Të drejtë nuk janë ata që nuk kanë shkelur asnjë ligj shtetëror, por ata që, duke respektuar ligjet, njëkohësisht e ndërtojnë dhe e përforcojnë bashkësinë me jetën e tyre. Drejtësia e Shën Klimentit është edhe drejtësi sociale sepse synon mbrojtjen e të dobëtit, të ndihmojë të varfrit dhe të rikthejë dinjitetin e çdo njeriu. Shoqëri e drejtë është ajo në të cilën individi kontribuon aktivisht për të mirën e përbashkët dhe interesin publik dhe është i lidhur në një bashkësi marrëdhëniesh harmonike.
Vlera e dytë është solidariteti, i cili nuk është emocion kalimtar, por virtyt praktik dhe politikë e zbatueshme. Të jemi solidarë do të thotë të jemi njerëzorë, domethënë të vetëdijshëm për nevojat dhe vuajtjet e të tjerëve. Solidariteti i Shën. Klimentit nuk reduktohet vetëm në rishpërndarje ekonomike, por përfshin edhe ndarjen e duhur të pushtetit dhe përgjegjësisë në bashkësi dhe shoqëri. Suksesi i çdo individi është sukses i të gjithë bashkësisë, kurse dështimi qoftë edhe i një individi, i një studenti, i një punëtori, i një familjeje është dështim i të gjithë shoqërisë. Solidariteti është multietnik, shumëgjuhësor, multifetar sepse e njeh njerëzoren te të ndryshmit prej nesh. Pa solidaritet ndëretnik nuk ka bashkëjetesë ndëretnike.
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur bashkëqytetarë,
Festa e sotshme është rast të rikujtojmë se nuk duhet të presim të vijë një Shën. Kliment i ri sepse ai jeton te ne. Por, duhet ta zgjojmë Shën. Klimentin edhe te secili prej nesh. Ne, mësuesit, liderët, duhet të bëhemi përsëri nxënës të Shën. Klimentit që të rikujtojmë filozofinë e tij jetësore dhe t’u përcjellim nxënësve tanë. Kështu do t’u mundësojmë edhe vetë të bëhen mësues dhe liderë të brezave të sotshëm dhe të ardhshëm. T’i ndihmojmë të përparojnë dhe të arrijnë vetëm me njohuritë, shkathtësitë dhe cilësitë e veta, ndërsa jo me lidhje, kartela partiake dhe proteksione.
Në duam shoqëria maqedonase të jetë e drejtë dhe solidare, kurse Maqedoninë ta bëjmë vend të këndshëm për të jetuar, ne duhet t’u kthehemi vlerave të Shën. Klimentit të Ohrit. Besoj se vetëm kështu do të mund të quhemi trashëgimtarë të vërtetë të mësuesit, shenjtorit dhe iluministit tonë të madh Shën. Klimentit të Ohrit.
Ju faleminderit.