Sot, më 5 Maj, dërgojmë mesazhe të rëndësishme për gjuhën maqedonase te të gjithë maqedonasit, kudo që janë, te njohësit dhe te respektuesit e gjuhës maqedonase, te brezat e ardhshëm të maqedonasve.
Sot, kambanat tingëllojnë në gjuhën maqedonase dhe për gjuhën maqedonase, jo vetëm këtu, në atdhe, por kudo që ndodhen ata me të cilët flasim të njëjtën gjuhë dhe kuptojmë njëri-tjetrin në të njëjtën gjuhë, ne, maqedonasit.
Sot, të gjithë folësit, dashamirësit, adhuruesit e gjuhës, respektuesit, studiuesit, përkushtuesit ndaj gjuhës së madhe, të bukur, të ëmbël maqedonase, flasin për të dhe në atë gjuhë.
Mesazhe për gjuhën maqedonase do të dërgojnë edhe pas meje dhe pas nesh, sepse përderisa ekzistojmë ne, do të ekzistojë edhe ajo: gjuha jonë e pashterrshme.
Pa gjuhën maqedonase, nuk do të mund të dërgonim mesazhe në maqedonisht, as të ishim misionarë të saj.
Si misionarë maqedonas kemi një detyrë gjithëmaqedonase, kombëtare dhe njerëzore që ta ruajmë, kultivojmë, duam, zhvillojmë, studiojmë, promovojmë dhe rigjallërojmë gjuhën maqedonase, sepse pa ne ajo nuk do të jetojë, as ne nuk do të jemi maqedonas pa të. Ne jemi ata që e njohim veten në të, identifikohemi nëpërmjet saj, dallojmë prej të tjerëve prej saj.
Për ne, gjuha maqedonase është ushqim shpirtëror, është e rëndësishme dhe e domosdoshme sa qumështi i nënës; ajo është dielli i identitetit tonë, atdheu që nga zanafilla. Gjuha maqedonase është lumë që buron nga një burim evropian dhe derdhet në detin e qytetërimit evropian dhe në oqeanin e qytetërimit botëror.
Binjake me shpirtin e popullit, gjuha maqedonase ka ekzistuar në të mirë dhe në të keqe përgjatë shekujve, është pjekur me popullin maqedonas, është rritur dhe pasuruar me fjalë të reja që lindnin për të shprehur dhimbjen dhe gëzimin e popullit, është përforcuar dhe është ndërthurur në bashkëjetesë me gjuhët e afërta, ka qarë, ka pëshpëritur, ka kënduar, ka vallëzuar, u ka qëndruar sfidave të mohimeve dhe kundërshtimeve, ka mbijetuar.
Kemi nder që jemi pasardhës të misionarëve epokalë, Shën. Kirilit dhe Metodit, figura – filozofë që na kanë dhuruar dritën e shkronjës, të shkrimit, dijes dhe kulturës, duke na dhënë alfabetin, shkrimin dhe letërsinë, jo vetëm neve, por të gjithë botës sllave.
I urti Konstantin Filozofi, në agimin e shkrimit pansllav dhe maqedonas, para historisë botërore të ndërgjegjes, ngriti zërin dhe pyeti: “A nuk bie shi nga Zoti për të gjithë njësoj? Po dielli a nuk ngroh njëjtë për të gjithë? A nuk marrim të njëjtin ajër të gjithë njësoj?
Na ndriçoi dhe na përndriti edhe neve shkëlqimi mësimor i Shenjtorëve Kirili dhe Metodi, të cilët, së bashku me nxënësit e tyre besnikë dhe të përkushtuar, Shën. Klimentin dhe Naumin, e ndriçuan botën sllave dhe maqedonase me alfabet, arsim dhe shkencë. Errësira u mund nga drita, padituria u mposht nga dituria me ndihmën e gjuhëve sllave, ndër të cilat edhe ajo maqedonase; popujt sllavë, duke përfshirë edhe popullin maqedonas, u bënë të ditur dhe të shkolluar.
Veprimtaria madhështore e Qendrës Letrare të Ohrit, e Shën. Klimentit të Ohrit, e mbështetur nga Shën. Naumi, është një akt dhe hap monumental në shpërhapjen e shkrim-leximit, që e mbështeti dhe e nxiti fuqimisht mendimin, duke i mundësuar atij të shprehej nëpërmjet gjuhës.
Bëhet fjalë për një “lëvizje të fuqishme”, sipas Bllazhe Koneskit, me të cilën u trasua dhe u hap rruga për epopenë e gjuhës maqedonase që nisi të ecë përpara me guxim, fillimisht si gjuhë prasllave, pastaj si gjuhë sllave e vjetër – gjuha e parë letrare e të gjithë sllavëve, e krijuar mbi bazën e të folmes së sllavëve maqedonas nga rrethina e Selanikut.
Evolucioni gjuhësor ka ndjekur rrugën nga glagolica, nëpërmjet cirilikës sllave të vjetër, deri tek alfabeti cirilik modern maqedonas.
Shkrim-leximi dhe kultura mesjetare dëshmojnë për zhvillimin e vazhdueshëm të gjuhës maqedonase. Shfaqja e gjuhës popullore maqedonase nga dorëshkrimet e shekullit XVI deri te rilindja në shekullin XIX është një etapë e rëndësishme në historinë e saj.
Me dhe nëpërmjet fazave zhvillimore të gjuhës popullore maqedonase ndër shekuj, rritej ideja për një gjuhë letrare maqedonase dhe për një identitet të veçantë maqedonas, që kulmoi me kodifikimin shkencor të argumentuar nga kolosi Kërste Misirkov në veprën e tij “Za makedonckite raboti” (Për çështjet maqedonase).
Zhvillimi shumë shekullor i gjuhës maqedonase përjetoi kodifikimin ligjor në vitin 1945, akt kurorëzimi i përpjekjeve shekullore të maqedonasve. Dua të theksoj, për të disatën herë, se mund të kodifikohet vetëm diçka që ekziston. Gjuha nuk shpiket.
Kodifikimi i gjuhës maqedonase u realizua nëpërmjet: Vendimit të Mbledhjes së Parë të KAÇKM-së për futjen e gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, më 2 gusht 1944; Vendimit të Presidiumit të KAÇKM-së për miratimin e alfabetit më 5 maj 1945; dhe miratimit zyrtar të drejtshkrimit të parë maqedonas më 7 qershor 1945.
Kështu u realizuan idealet dhe përpjekjet shumëvjeçare që të shprehemi në gjuhë letrare maqedonase, që të mësojmë dhe që të arsimohemi në gjuhën maqedonase, që të kemi gjuhën tonë letrare maqedonase.
Pas kodifikimit në vitin 1945, pasuan botimet e veprave madhore në shkencën e linguistikës: gramatika, historia e gjuhës maqedonase, fjalori i gjuhës maqedonase, kështu procesi gjuhësor u përmbyll në një sistem të plotë dhe tërësi gjuhësore.
Dua të konfirmoj dhe të theksoj edhe njëherë se kontributi i kolosit Bllazhe Koneski në kodifikimin e gjuhës maqedonase, në shkencën e linguistikës dhe në fushën e maqedonistikës është monumental. Duhet të përmendim edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Krume Kepeskut, por edhe të një plejade maqedonistësh, filologësh dhe gjuhëtarësh vendas dhe të huaj, gurët e të cilëve në themelet dhe në muret e maqedonistikës ndërtuan një shtëpi të fortë!
Gjuha standarde maqedonase nuk është vetëm element i rëndësishëm i historisë së Maqedonisë së pavarur, sovrane dhe të lirë, por edhe themel dhe mbështetje e identitetit maqedonas. Ajo është shenja themelore e identitetit për të gjithë maqedonasit që jetojnë në territorin e shtetit maqedonas dhe flasin maqedonisht, por edhe për maqedonasit në shtetet fqinje dhe maqedonasit kudo në botë.
Gjysma e dytë e shekullit XX dhe dy dekadat e gjysmë të shekullit XXI janë një etapë e rëndësishme në ngritjen e maqedonistikës, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, si shkencë gjuhësore dhe kulturore e qëndrueshme, e thellë, e argumentuar dhe e njohur botërisht. Shkenca bashkëkohore për gjuhën maqedonase, shkenca e letërsisë dhe kulturës shënojnë arritje të larta, ndërsa letërsia, arti dhe kultura maqedonase realizojnë vepra të jashtëzakonshme dhe kryevepra.
Gjuha maqedonase është një shtëpi gjithëmaqedonase, një atdhe për shkrimin, përparimin, dijen dhe shkencën, artin dhe kulturën.
Gjuha maqedonase është e gjallë dhe jetësore, ajo buçet nga energjia, hap, lind dhe sjell në jetë horizonte e botë të reja, ndryshon këndvështrime. Në të ëndërrojmë, krijojmë, realizojmë, bëhemi të përjetshëm.
Në gjuhën maqedonase është gdhendur kodi maqedonas, është ndërtuar thelbi dhe veçantia jonë, në të është endur kujtesa jonë, me të jetojmë të tashmen dhe ecim sipas vetes drejt së ardhmes.
Në maqedonisht ende pëshpërit bari i egër, në maqedonisht flet krenaria, në maqedonisht ëndërrohet për “agimet e bardha”, në maqedonisht është qëndisur “Vezilka” dhe është shkruar ai i vetmi dhe i veçanti, tregimi maqedonas – më shumë i trishtueshëm, sesa i gëzueshëm.
Gjuha, gjuha jonë maqedonase është lutja jonë, poezia jonë, drama jonë, epopeja jonë, romani ynë që rrjedh si lumë.
Me gjuhën maqedonase ndërtojmë ura ndërmjet kulturave, kapërcejmë pengesa, kuptohemi midis nesh.
Nëpërmjet gjuhës ndërtojmë sistemin e vlerave si kulturë dialogu, bashkëpunimi, humanizmi, dashurisë për njeriun, paqes dhe kosmopolitizmit, sepse neve, nëpërmjet fjalës, siç ka thënë Racini: “Shtëpinë e kemi plot me vëllezër”.
Gjuha jonë maqedonase është një mision për të gjithë ne: organet shtetërore, institucionet, sistemin arsimor, bashkësinë akademike, shkencore dhe shoqërore, qytetarët, individët, njerëzit.
Shpreh dhe deklaroj respekt të thellë për të gjithë maqedonistët, për gjithë potencialin arsimor, akademik dhe shkencor, për akademikët, profesorët dhe studiuesit, poetët dhe shkrimtarët, mësimdhënësit dhe arsimtarët, lektorët brenda dhe jashtë vendit, bibliotekarët, për të gjithë folësit dhe dashamirësit e gjuhës maqedonase, për adhuruesit e gjuhës që e kthejnë atë në art.
Personalisht, si njeri dhe si Presidente e shtetit, flas dhe mendoj me pasion në gjuhën maqedonase, e respektoj, e mbështes fuqishëm dhe e afirmoj maqedonistikën, gjithmonë dhe kudo: në vend dhe në botë.
E konsideroj veçanërisht të rëndësishme mbështetjen institucionale të maqedonistikës nëpërmjet veprimtarisë së Këshillit për gjuhën maqedonase, punës së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Maqedonase të Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodi”, lektorateve të gjuhës maqedonase, dhe veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencore në fushën e maqedonistikës. Pres dhe këmbëngul për një kujdes të veçantë dhe të posaçëm ligjor për gjuhën maqedonase nëpërmjet veprimtarisë së Inspektoratit për përdorimin e gjuhës standarde maqedonase.
Kremtimi i koordinuar institucional i këtij jubileu të madh gjatë gjithë vitit është dëshmi e përcaktimit të qartë për mbështetjen e gjuhës maqedonase.
Na nevojitet një strategji kombëtare për zhvillimin dhe mbrojtjen e gjuhës maqedonase, me trajtimin e maqedonistikës si një veprimtari me rëndësi të lartë kombëtare dhe me rëndësi ndërkombëtare.
Mbrojtja e gjuhës maqedonase është detyra dhe amaneti ynë më i lartë, ose, siç thotë Misirkovi: “Dashuria ndaj gjuhës popullore është detyra dhe e drejta jonë. Ne e kemi për detyrë ta ruajmë gjuhën tonë, sepse ajo është, po aq e jona sa edhe atdheu ynë i vetëm.”
Sot, në këtë ditë të madhe maqedonase, Ditën e Gjuhës Standarde Maqedonase, më 5 maj 2025, kremtojmë në mënyrë solemne dhe të denjë jubileun e madh “80 vjet nga kodifikimi i gjuhës maqedonase”, por nuk guxojmë t’i harrojmë ngjarjet që i kanë paraprirë, sepse gjuha maqedonase është shumë më e vjetër se gjuha standarde maqedonase — ose, siç thotë sllavisti dhe maqedonisti i njohur Rexhinald de Brej në veprën e tij “Udhëzues për gjuhët sllave” në vitin 1951: “Çfarë ironi e historisë, popullit, paraardhësit e të cilit u dhanë sllavëve gjuhën e parë letrare, ishte i fundit të cilit iu njoh gjuha si gjuhë sllave e veçantë, e ndryshme nga ajo bullgare dhe serbe.”
Dua të përmend se këtë vit shënohen: 150 vjet nga botimi i Fjalorit në tri gjuhë (trigjuhëshit), 145 vjet nga “Slognica Reçovska”, domethënë nga gramatika e parë e publikuar e gjuhës maqedonase nga Gjorgjija Pulevski, 135 vjet nga mbrojtja e disertacionit të parë të doktoratës për gjuhën maqedonase në Universitetin e Dorpatit në Estoni nga Leonard Gothilf Mazing, si dhe 100 vjet nga shtypja në Athinë e “Abecedarit” (Abetares) , me kërkesë të Lidhjes së Kombeve, pararendëses së OKB-së!
Gëzuar 5 Maji – Ditë e Gjuhës Standarde Maqedonase!