Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mbajti sot fjalim në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SPBEJL) në Sofje dhe theksoi nevojën për të ringjallur frymën e bashkëpunimit rajonal, si dhe për t’u rikthyer te parimet mbi të cilat u krijua ky proces tre dekada më parë.
Duke kujtuar problemet me të cilat përballet Europa Juglindore, ajo vlerësoi se emigrimi masiv i të rinjve, popullsia në plakje, prapambetja ekonomike dhe rrethanat gjeopolitike në përkeqësim kërkojnë lidership të guximshëm dhe të përgjegjshëm, të udhëhequr nga interesa dhe solidaritet të përbashkët, dhe jo vetëm nga ato të pjesshme.
Sipas Presidentes Siljanovska Davkova, procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian duhet të bazohet mbi kriteret e Kopenhagës, ndërsa progresi në zbatimin e reformave duhet të diktojë ritmin e procesit të pranimit.
Duke iu referuar fjalëve të autorit bullgar Georgi Gospodinov se “kur dyert e së ardhmes mbyllen, e kaluara bëhet atdheu i vetëm”, ajo paralajmëroi për nevojën e deballkanizimit përmes europianizimit.
Për Presidenten Siljanovska Davkova, integrimi europian është i natyrshëm, si dhe domosdoshmëri gjeopolitike dhe sigurie, ndërsa Ballkani i qëndrueshëm, i begatë dhe europian është në interes të të gjitha vendeve në rajon, por edhe të Europës.
Presidentja Siljanovska Davkova bëri thirrje për përgjegjësi rajonale, si garantuese e lëvizjes drejt një të ardhmeje të përbashkët të parashikueshme dhe të sigurt, duke theksuar se suksesi i secilit vend duhet të përjetohet si sukses i të gjithë rajonit, dhe konkurrenca duhet të udhëhiqet në njohuri, inovacion, kulturë dhe zhvillim ekonomik, në vend të bllokadave dhe përçarjeve.





