Si pjesë e vizitës zyrtare të Presidentit Zviceran, sot u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe Presidenti Guy Parmelan.
Në vazhdim është deklarata integrale e Presidentes Siljanovska Davkova:
Të nderuar,
Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë ne dhe për vendin, kjo është një ditë historike, sepse për herë të parë një President Zviceran është në vizitë zyrtare. Prandaj, më lejoni edhe një herë të përshëndes mbërritjen e tij dhe bisedën e frytshme që patëm.
Pse e theksoj këtë? Prania e Presidentit Zviceran këtu do të thotë se ai i kushton rëndësi të madhe Ballkanit Perëndimor nga njëra anë, dhe së dyti, paraqet nxitje për marrëdhëniet maqedonase-zvicerane. Zvicra është frymëzim sa i përket demokracisë, Zvicra ka kulturë të zhvilluar politike pjesëmarrëse, vetëqeverisje lokale të zhvilluar, forma të demokracisë së drejtpërdrejtë nga të cilat mund të mësojmë. Pse është e rëndësishme për ne? Sepse paraqet shembull i suksesshëm i një shteti të vogël, federal, shumëgjuhësh, në të cilin dallimet kapërcehen me njohuri, me kapacitet qytetar, me kompetencë dhe, sigurisht, me aktivitet të vazhdueshëm.
Kemi konstatuar se po shënojmë përparim në dialogun, i cili bazohet në respekt, dhe synojmë të vazhdojmë me të njëjtën frymë, veçanërisht brenda OSBE-së, sepse në këto kohëra të vështira, siç e dini, Zvicra mori drejtimin e OSBE-së, por edhe të bashkëpunojë në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Europës.
Paqja dhe siguria janë angazhimet tona kryesore dhe e kam thënë shumë herë se për shtetet e vogla, multilateralizmi është zgjidhja, dhe ai lulëzon në institucione të qëndrueshme ndërkombëtare. Ndoshta, në bisedimet me Kryeministrin dhe qeverinë, shifrat ekonomike do të shpjegohen më mirë, por nuk mund të mos them se Zvicra është një nga donatorët tanë më të mëdhenj.
Për mua, donacionet zvicerane në qeverisjen demokratike, në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, në mbrojtjen e mjedisit janë veçanërisht të rëndësishme dhe ato kanë qenë të vazhdueshme për tri dekada. Falënderova veçanërisht për mbështetjen në themelimin dhe punën e Institutit Parlamentar në Parlamentin e Maqedonisë, sepse paraqet mbështetja më e mirë dhe kryesore logjistike për punën e parlamentit. Programi synon përmirësimin e procedurës legjislative, forcimin e funksionit mbikëqyrës të parlamentit, transparencën në punë dhe veçanërisht në komunikimin me ju, gazetarët, gjë që është veçanërisht e rëndësishme.
Konsiderojmë se Programi i Bashkëpunimit 2025-2028, për të cilin kanë informuar nga Zyra e Presidentit, ose më saktë ekipi i tij këtu, me një buxhet prej 56.1 milionë frangash zvicerane, synon të vazhdojë të stimulojë reformat që lidhen me integrimin europian, gjë që do të thotë shumë për ne. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, por i plotëson të gjitha kriteret e Kopenhagës dhe ka bashkëpunim të shkëlqyer me Bashkimin Europian.
Pres me padurim themelimin e SwissCham në Shkup, kjo është platformë për lidhje ekonomike. Prioriteti im është bashkëpunimi intensiv në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, sepse mendoj se kemi diçka për të shkëmbyer dhe diçka për të stimuluar.
Në fund, paraqita situatën tonë në lidhje me integrimin europian, i shpjegova Presidentit problemet me të cilat përballemi, theksova rëndësinë e kritereve të Kopenhagës për europianizimin tonë. Përfundova se, është shtëpia jonë natyrale, si shumë herë, dhe tani, me këtë do të përfundoj, gjeografikisht, historikisht dhe kulturorisht, ne gjithmonë kemi qenë pjesë e Evropës dhe aty i përkasim. Ajo që kërkojmë është të trajtohemi si të tjerët, ajo që kërkojmë është të përqendrohemi në sfidat e reformave dhe të mos humbasim energji në çështje irracionale.
Ju faleminderit.





