Ceremonia e ndërrimit të flamurit kombëtar u mbajt sot në oborrin e Kabinetit presidencial, në prani të nxënësve filloristë nga shkollat “Vlado Tasevski”, “Dimitar Miladinov”, “Ismail Qemalji” nga Shkupi, si dhe “Blaze Koneski” nga Prilepi.
Nxënësit ndoqën me kuriozitet dhe respekt ceremoninë që zhvillohet në mënyrë tradicionale nga Batalioni i Nderit të Armatës, ndërsa më pas vizituan ambientet e Kabinetit presidencial, u takuan dhe biseduan me Presidenten Siljanovska Davkova rreth dëshirave, ambicieve dhe aktiviteteve të tyre shkollore, si dhe nevojës për kujdes më të madh lidhur me shëndetin personal dhe mjedisin jetësor, për miqësinë dhe përdorimin e bontonit në komunikimin e përditshëm.
Përmes bisedës dhe pyetjeve të fëmijëve, u ndje mprehtësia e gjeneratës që di të vëzhgojë me kujdes dhe të mendojë në mënyrë kritike. Të ftuarit e rinj, me pjekuri që ndonjëherë tejkalonte moshën e tyre, shprehën interes për: sfidat e zyrës presidenciale, librat dhe hobet e preferuara të presidentes, traditat dhe kulturën, bukuritë e qyteteve dhe fshatrave të Maqedonisë.
Presidentja Siljanovska Davkova i inkurajoi ata të mësojnë, ta zhvillojnë frymën e kërkimit dhe të besojnë në aftësitë e tyre, sepse çdo shoqëri e suksesshme mbështetet mbi të rinj të arsimuar, të virtytshëm dhe empatikë, të gatshëm të kontribuojnë në mënyrë të përgjegjshme në kuadër të komunitetit.
Në fund të vizitës, nxënësit i dhuruan presidentes punime dore të bukura, si kujtesë për takimin e sotëm, të mbushur me gëzim, buzëqeshje dhe premtimin e miqësisë së re.





