Të nderuar bashkëqytetarë,
Për mua, 2 Gushti, Ilindeni, është dita më e shenjtë maqedonase, dita në të cilën në vitin 1903, ideja republikane maqedonase u shëndërrua në Republikën e Krushevës dhe dita kur në vitin 1944, në KAÇKM, pas një lufte shekullore, u realizua e drejta e popullit maqedonas për një shtet kombëtar, në të cilin garantohen të drejtat e komuniteteve pakicë.
Në Ilinden, e shikoj shkëndijën e zjarrit revolucionar maqedonas, që ndriçoi rrugën e partizanëve drejt qëllimit përfundimtar – liria!
Ilindeni paraqet personifikimi i dëshirës, vendosmërisë, këmbënguljes dhe guximit fillestar për t’u përballur dhe për ta pranuar sakrificën personale si të pashmangshme!
Epopeja e Ilindenit paraqet dramë popullore maqedonase.
Përmes faqeve të përgjakshme të historisë së vështirë, të shkruara me Mendimin e Delcevit, Vizionin Republikan të Karevit, Vetëflijimin e Pitugulit, Shpirtin Tribunal të Çentos, si dhe veprat e shumë heronjve të njohur dhe të panjohur, të lagur me lumenj lotësh, u ndërtua dhe u formësua Republika Maqedonase.
Ilindeni na detyron të jemi trashëgimtarë të denjë dhe të përgjegjshëm, dhe jo vetëm pasardhës mirënjohës të paraardhësve të lavdishëm.
Kush, nëse jo ne, do të jetë kujdestari i besëlidhjes së Ilindenit?
Kur, nëse jo tani, do ta justifikojmë besimin e popullit të Ilindenit dhe KAÇKM-së?
Çfarë lloj Republike do t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë të dashur?
Edhe sot, qytetarë të nderuar, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, politike, partiake apo tjetër, duhet të zgjojmë ndërgjegjen dhe vetëdijen e Ilindenit dhe KAÇKM-së, duke hyrë në luftë të pashmangshme dhe urgjente për republikën tonë të përbashkët maqedonase, europiane, demokratike, si shtet ligjor i bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve, lidhjeve dhe frenave efektive midis pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të vendosur për të mposhtur dhunën, korrupsionin dhe krimin, me një administratë kompetente, etike dhe efikase, një shoqëri civile të zhvilluar të përfshirë në procesin e vendimmarrjes dhe gazetari objektive, pa kompromis në mbrojtje të së mirës së përbashkët.
Le ta ndërtojmë shtetin maqedonas si një shtëpi për qytetarë të lumtur.
Gëzuar Ilindenin!
Gordana Siljanovska Davkova





