Si pjesë e vizitës së saj zyrtare në Republikën e Sllovenisë, Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u drejtua para anëtarëve të Klubit të Biznesit Maqedonas-Slloven në Lubjanë.
Për Presidenten Siljanovska Davkova, rinovimi i Klubit të Biznesit Maqedonas-Slloven paraqet hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjes së komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Sipas saj, ekziston potencial për rritjen e shkëmbimit tregtar, duke pasur parasysh rezultatet e arritura të deritashme dhe besimin e fituar në krijimin e kulturës së përbashkët të biznesit.
Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se produktet sllovene posedojnë cilësi të dallueshme në tregun maqedonas, ndërsa biznesmenët maqedonas janë partnerë të vlerësuar dhe të preferuar në Slloveni.
Në fjalimin e saj, ajo trajtoi edhe prioritetet strategjike të Maqedonisë: lidhjen e energjisë dhe infrastrukturës, transformimin digjital dhe reformat europiane, të cilat, sipas saj, duhet të krijojnë një mjedis ekonomik të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Midis të pranishmëve ishin përfaqësues të kompanive të shumta maqedonase dhe sllovene nga sektorët e ekonomisë digjitale, fondeve të sigurimeve dhe pensioneve, farmacisë, industrisë automobilistike, metalurgjisë dhe aktiviteteve të tjera ekonomike.
Ata shkëmbyen përvoja dhe njohuri mbi trendët ekonomikë në të dy vendet, me theks mbi forcimin e lidhjeve të biznesit, shkëmbimin e njohurive dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim midis kompanive.
Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit midis klubeve të biznesit të Shkupit dhe Lubjanës paraqet nxitje shtesë për lidhje dhe koordinim më intensiv të iniciativave dhe aktiviteteve të përbashkëta të ardhshme të komuniteteve të biznesit maqedonase dhe sllovene.
Në vazhdim teksti i plotë i fjalimit të Presidentes Siljanovska Davkova.
Të nderuar biznesmenë,
Të nderuar miq,
Kam kënaqësi që, në kuadër të vizitës sime të parë zyrtare në Slloveninë miqësore, të takohem me ju sot, në ambientet e Klubit të Biznesit të rinovuar Maqedonas-Slloven.
Marrëdhëniet maqedonas-sllovene mund të shërbejnë si shembull për të gjithë rajonin. Nëse kemi jetuar në të njëjtin vend për 50 vjet, 35 vitet e fundit të pavarësisë na kanë afruar edhe më shumë. Kemi arritur të krijojmë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe pa çështje të hapura, bazuar në miqësinë tradicionale dhe bashkëpunimin e thellë në të gjitha fushat, duke përfshirë ekonominë. Sllovenia është një nga mbështetëset tona më të qëndrueshme në integrimin europian.
Gjithashtu, Sllovenia është investitori ynë i pestë më i madh, me një pjesëmarrje prej 7% të totalit të investimeve të huaja direkte. Ajo që na bën tërheqës për kapitalin slloven nuk është vetëm klima e favorshme tatimore, por edhe lidhjet tona tradicionale dhe rrjeti i fortë i kontakteve personale që ju mbani në këtë sallë.
Ne e shohim këtë prani kudo. Mbi 40 kompani sllovene janë aktualisht aktive në sektorët tanë strategjikë. Ju jeni bërë shtylla të tregjeve tona bankare dhe të sigurimeve, dhe tani po bëni përparime në energji. Projekte si GEN-I dhe puna e tyre me fotovoltaikët tregojnë se ekspertiza sllovene po na ndihmon në tranzicionin e gjelbër.
Në vitin 2025, tregtia totale arriti në 279.6 milionë euro, nga të cilat 160.7 milionë euro ishte import dhe 118.9 milionë euro ishte eksport. Por unë besoj se mund të bëjmë më mirë. Prandaj, duhet të vendosim një qëllim të guximshëm dhe të përbashkët. Të arrijmë 500 milionë euro në tregti.
Ne tashmë i kemi kushtet. I njohim zakonet, preferencat dhe etikën e punës së njëri-tjetrit, dhe gjithashtu kemi besim tradicional. Për konsumatorët maqedonas, produktet sllovene nuk janë produkte të huaja, por marka cilësore me të cilat janë rritur. Ngjashëm, për kompanitë sllovene, biznesmenët maqedonas janë partnerë të dëshirueshëm. Ky besim është avantazhi ynë më i madh dhe paraqet kapital shoqëror që mund të lehtësojë punën e Klubit të Biznesit Maqedono-Slloven.
Këtu është edhe diaspora maqedonase, e cila mund të paraqet burim shumë i rëndësishëm i zhvillimit që do të ndihmojë në zhvillimin tonë ekonomik, por gjithashtu duhet të krijojmë edhe një klimë të mirë në mënyrë që këta njerëz të mund të njohin mbështetjen për sipërmarrjen, jo vetëm përmes transferimit të parave, por edhe përmes njohurive dhe biznesit.
Jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një kohë fragmentimi gjeo-ekonomik të ekonomisë globale, me kriza energjetike dhe tronditje të çmimeve. Në një mjedis kaq të paparashikueshëm, për ta bërë ekonominë maqedonase më elastike, fokusi ynë strategjik është i drejtuar drejt katër shtyllave.
Së pari, lidhja energjetike. Përmes ndërtimit të interkonektorëve të gazit natyror me Greqinë dhe Serbinë, ne po bëhemi një vend transit për gazin dhe një qendër rajonale energjie.
Së dyti, me modernizimin e Korridoreve 8 dhe 10, ne po sigurojmë transport të lirë dhe një zinxhir të sigurt të furnizimit.
Së treti, po përqendrohemi në lidhjen digjitale, sepse e ardhmja i përket ekonomive digjitale në zhvillim, të bazuara mbi njohuri, teknologji dhe konkurrueshmëri.
Së katërti, dhe më e rëndësishmja, pavarësisht pengesave me të cilat përballemi, ne po punojmë mbi reformat europiane. Dhe ju, udhëheqës biznesi, po na ndihmoni në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian. Duke adoptuar “praktikat më të mira” sllovene, disa kompani maqedonase tashmë po veprojnë sikur të ishin pjesë e BE-së.
Por të gjitha këto investime në energji, infrastrukturë dhe digjitalizim kanë qëllim përfundimtar, dhe ai është të krijojnë një mjedis në të cilin kompanitë tuaja mund të lulëzojnë dhe të krijojnë vlerë. Suksesi juaj është masa e progresit tonë. Ju inkurajoj të vazhdoni me të njëjtën energji, inovacion, kujdes për punonjësit, etikë pune dhe vullnet, dhe ju uroj një punë të suksesshme.
Ju faleminderit.





